Rregullatori britanik për mbrojtjen e të dhënave njoftoi të hënën se ka nisur një hetim ndaj TikTok për përdorimin e të dhënave të fëmijëve.
Zyra e Komisarit të Informacionit (ICO) ka njoftuar se do të hetojë se si platforma e njohur e ndarjes së videove përdor të dhënat personale të fëmijëve të moshës 13-17 vjeç në Britaninë e Madhe për të bërë rekomandime dhe për ta shfaqur përmbajtjen e sugjeruar në burimet e tyre.
“Kjo vjen mes shqetësimeve në rritje për përdorimin e të dhënave të krijuara nga aktiviteti i fëmijëve në internet në platformat e mediave sociale në sistemet e tyre të rekomandimeve, gjë që mund të çojë në shfaqjen e përmbajtjeve të papërshtatshme ose të dëmshme për të rinjtë”, tha Zyra e Komisarit të Informacionit në një deklaratë.
Rregullatori po heton gjithashtu se si Reddit, një forum në internet, dhe Imgur, një platformë për ndarjen e imazheve, përdorin të dhënat personale të fëmijëve dhe teknikat e tyre të verifikimit të moshës.
“Ne mirëpresim teknologjinë dhe inovacionin që kompanitë si media sociale sjellin në Mbretërinë e Bashkuar dhe duam që ato të lulëzojnë në ekonominë tonë. Por kjo nuk mund të jetë me koston e privatësisë së fëmijëve,” tha komisioneri britanik i informacionit John Edwards.
“Mesazhi im është i thjeshtë: nëse rrjetet sociale dhe platformat e ndarjes së videove duan të përfitojnë nga të bërit biznes në MB, ata duhet të respektojnë ligjet për mbrojtjen e të dhënave”, shtoi ai.
Në vitin 2023, Zyra e Komisionerit të Informacionit gjobiti TikTok-un me 12,7 milionë £ (16 milionë dollarë) për trajtimin e pahijshëm të të dhënave të fëmijëve dhe lejimin e deri në 1,4 milion fëmijëve britanikë nën moshën 13 vjeç të përdorin platformën në vitin 2020.
