Mos e nënvlerëso diturinë për shkak të moshës

Më të lexuarat

Dituria nuk matet me vite, por me vlerën e saj. Ajo nuk vjen vetëm me thinjat, por me sinqeritetin, përkushtimin dhe përpjekjen për të kuptuar të vërtetën. Historia na ka treguar se disa nga njerëzit më të urtë dhe më të ditur të Islamit kanë qenë të rinj, por me një kuptim dhe pjekuri që kalonte kufijtë e moshës së tyre.

Një shembull i tillë ishte Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë I kënaqur me të!), një nga shokët më të ditur të Pejgamberit ﷺ. Ai vdiq vetëm 33 vjeç, por la pas një trashëgimi të madhe në dituri dhe jurisprudencë. I Dërguari i Allahut ﷺ e lavdëroi duke thënë:
وأعلَمُهم بالحَلالِ والحَرامِ مُعاذُ بنُ جَبَلٍ
“Më i dituri i umetit tim për hallallin dhe haramin është Muadh ibn Xhebeli.”
Në një moshë të re, ai u zgjodh nga Pejgamberi ﷺ për të qenë gjykatës dhe mësues në Jemen, për të udhëhequr njerëzit dhe për të vendosur drejtësinë. Ai nuk u gjykua për rininë e tij, por për dijen dhe devotshmërinë e tij.
Po ne sot? Si i shohim të rinjtë me dituri?
Sa shpesh sot shohim të rinj që përpiqen të mësojnë fenë, të lexojnë, të studiojnë Kuranin dhe hadithet – por në vend që t’i mbështesim, disa i ofendojnë, i nënvlerësojnë dhe i paragjykojnë?
“Je i ri, çfarë di ti për fenë?”
“Dituria arrihet kur ti kalon të dyzetat jo tani!”
“Mos u bëj sikur di më shumë se të tjerët.”
A nuk është ky një gabim i madh? A nuk ishte Muadhi Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ri, por i ditur? A nuk ishin shumë sahabë të rinj, por të nderuar për dijen e tyre?
Dituria është një dhuratë e Allahut, dhe Ai ia jep kujt të dojë, pavarësisht moshës. Çdo njeri që ka pasionin për të mësuar dhe dëshirën për të përhapur të vërtetën, meriton respekt dhe mbështetje – jo tallje dhe përçmim.

 

Fitim Gërguri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit