Prishtina heq çibanët e rrezikshëm anti-shtet të Beogradit
Policia e Kosovës me mbështetjen e misionit EULEX mbylli disa institucione të themeluara nga Serbia që vepronin në Kosovë.
Janë mbyllur të ashtuquajturat organe të përkohshme, degët e Postës Serbe, Qendrat për Punë Sociale dhe Departamenti i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, që vepronin në territorin e dhjetë komunave të Kosovës.
Aksioni filloi herët në mëngjesin e sotëm dhe punonjësit e këtyre institucioneve të financuara nga Serbia u detyruan të largoheshin nga puna.
“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka filluar kryerjen e një operacioni policor që përfshin disa rajone të Kosovës, si Prishtinën, Gjilanin, Gjakovën dhe Mitrovicën e Jugut”, u tha nga Policia për portalin KoSSev.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se “janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale”.
Sveçla tha se askush nuk duhet ta shkelë Kushtetutën e Kosovës.
Sipas RTS, shiriti i verdhë është vendosur në hyrje të objektit të Postës në Graçanicë dhe hyrja në objekt është e ndaluar.
“Institucionet paralele serbe”
“Aksioni i përbashkët i MPB-së (Ministrisë së Punëve të Brendshme) dhe PK-së (Policia e Kosovës), si dhe i MINT-së (Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë) dhe MAPL (Ministria e Administratës Shtetërore Lokale) i jep fund epokës së Serbisë me komunat dhe institucionet paralele kriminale në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Svecla në Facebook dhe ka shtuar:
“Siç kemi premtuar, nuk do të lejojmë asnjë veprimtari paralele, veçanërisht kriminale të Serbisë që do të kërcënonte Kushtetutën dhe rendin juridik në vendin tonë”.
Agjencia Anadolu bën të ditur se komunat, kompanitë, kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme dhe universitetet publike të financuara nga qeveria e Serbisë kanë funksionuar në qytete dhe qyteza ku jeton komuniteti serb në Kosovë dhe të cilat sipas ligjeve të Kosovës trajtohen si të paligjshme.
Këto institucione janë mbyllur gradualisht në periudhën e kaluar dhe Qeveria e Kosovës në disa raste ka theksuar se me shfuqizimin e “institucioneve paralele serbe” po tenton të vendos rend dhe ligj, veçanërisht në veri të Kosovës, ku jetojnë shumica e serbëve. /tesheshi.com/