Mbështetja e integritetit territorial të Sirisë, uniteti politik dhe struktura unitare janë prioritetet kryesore për Türkiyen, ka thënë Shefi i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun.
Struktura unitare e Sirisë “është thelbësore për ta siguruar integritetin e rajonit dhe të ardhmen e popullit sirian”, tha Altun në një intervistë me transmetuesin rajonal Euronews të hënën.
Duke theksuar mbështetjen e Ankarasë për kërkesat dhe të drejtat legjitime të sirianëve, si dhe respektin e saj për vullnetin e tyre, Altun tha se qëndrueshmëria dhe përpjekja e tyre për ta formësuar të ardhmen e tyre ka qenë thelbësore në këtë proces.
Ankaraja mbetet e përkushtuar ndaj këtij pozicioni pas rënies së regjimit të Bashar al Asadit në fillim të këtij muaji, si dhe për të ndihmuar në shërimin e plagëve të popullit sirian, mbështetjen e zhvillimit të tyre dhe promovimin e paqes.
“Për këtë arsye, ne kemi prioritet paqen dhe sigurinë e popullsisë vendase. Për këtë qëllim, ne po punojmë për ta siguruar kthimin vullnetar, të sigurt dhe dinjitoz të refugjatëve sirianë”, shtoi Altun.
Ai vuri në dukje se e udhëhequr nga vizioni i Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Ministria e Jashtme turke është e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet intensive diplomatike dhe mbajtjen e kanaleve të hapura të komunikimit me të gjitha palët rajonale për ta mbrojtur integritetin territorial të Sirisë dhe për të arritur paqen e qëndrueshme.
Altun u zotua më tej se Türkiye nuk do të pranonte asnjë përpjekje për manipulim politik ose ndarje etnike brenda territorit sirian në asnjë rrethanë.
Ai gjithashtu paralajmëroi se prania e organizatave terroriste në Siri përbën një kërcënim jo vetëm për sigurinë kufitare të vendit, por edhe për stabilitetin e gjithë rajonit.
Duke riafirmuar qëndrimin e Türkiyes kundër terrorizmit, Altun tha se Ankaraja ndjek një politikë të orientuar drejt zgjidhjes së bazuar në drejtësi dhe barazi në bashkëpunim me aktorët ndërkombëtarë, “qoftë ShBA-ja, Rusia apo Irani.”
Anëtarësimin në BE
“Türkiye, si avokate e drejtësisë dhe mbrojtëse e të shtypurve, do të këmbëngulë në përpjekjet e saj për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, shtoi Altun.
Duke deklaruar se përpjekjet e Türkiyes për t’u bashkuar me bllokun është një “pjesë integrale e vizionit tonë strategjik”, Altun tha se ky është “më shumë se thjesht një vendim i politikës së jashtme; ai tregon përkushtimin tonë ndaj demokracisë, si dhe përpjekjet tona për zhvillim dhe bashkëpunim global”.
Ai shtoi se viti i ardhshëm “mund të paraqesë mundësi të reja në këtë fushë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se qasja e Bashkimit Evropian është gjithashtu një faktor vendimtar në këtë proces”.
Altun i kërkoi BE-së ta pranojë Türkiyen si anëtare në mënyrë që blloku të mund të marrë “një pozicion efektiv në skenën globale”. Türkiye ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të gatishmërisë për ta forcuar bashkëpunimin me BE-në. Ne parashikojmë në thelb eliminimin e standardeve të dyfishta në procesin e anëtarësimit si dhe vendosjen e një dialogu konstruktiv”, tha ai.
Ankaraja është e bindur se në të ardhmen e afërt do të ketë një nevojë të madhe që BE-ja ta forcojë bashkëpunimin me të, veçanërisht për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për sfidat globale dhe rajonale, potencoi gjithashtu Altun.
/trt BALLKAN/