4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mesazhe të forta turke nga Damasku

Më të lexuarat

Hakan Fidan: Integriteti territorial i Sirisë, i panegociueshëm

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha të dielën në Damask se integriteti territorial i Sirisë është “i panegociueshëm” dhe ripohoi se nuk ka vend për grupin terrorist PKK/YPG në vend, raporton Anadolu.

“Kjo nuk është koha për të pritur dhe parë. Duhet të bëjmë diçka. Integriteti territorial i Sirisë është i panegociueshëm. Ne duam të ritheksojmë se nuk ka vend për PKK/YPG në Siri”, tha Fidan në një konferencë shtypi në Damask pas takimit me kreun e administratës së re në Siri, Ahmed al-Sharaa, ose ndryshe, Abu Mohammed al-Jolani.

Ai theksoi se kjo organizatë terroriste po pushton tokat e popullit sirian dhe po vjedh burimet e tyre natyrore.

“Në takimin e sotëm pashë edhe një herë se sa i vendosur është populli sirian në luftën kundër PKK/YPG. PKK/YPG duhet të shpërbëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Fidan.

Duke shprehur shpresën se vizita e tij do të inkurajojë kontaktet e nivelit të lartë edhe nga vendet e tjera, Fidan u bëri thirrje vendeve arabe dhe komunitetit global që të angazhohen me administratën e re në Siri.

Ai tha se periudha më e vështirë dhe më e errët e Sirisë është në të kaluarën dhe se ditë më të mira po vijnë.

Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili ishte në pushtet që nga viti 1963.

Marrja e pushtetit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë rrufe në më pak se dy javë.

Me rrëzimin e Assad-it, PKK/YPG-ja terroriste po përpiqet të përfitojë nga paqëndrueshmëria dhe vakumi i pushtetit në vend.

Fidan tha se të gjitha grupet etnike, fetare dhe sektare në Siri do të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Ai theksoi se e ardhmja e vendit do të përcaktohet nga vetë sirianët.

Duke theksuar se administrata e re ka nevojë për mundësi dhe burime për të zbatuar planet e saj, ministri i Jashtëm turk bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

“Heqja e sanksioneve ndaj Sirisë, normalizimi i vendit dhe vendosja e sigurisë janë kyçe në këtë drejtim”, tha ai.

Duke theksuar se përgatitjet për rindërtimin e Sirisë duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, Fidan tha:

“Krijimi i një mjedisi që do të lejojë kthimin vullnetar dhe të sigurt të vëllezërve tanë sirianë në vendin e tyre mund të arrihet vetëm në këtë mënyrë.”

Ai theksoi se shteti turk, populli i tij dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan do të qëndrojnë gjithmonë pranë Sirisë dhe popullit të saj.

“Gjatë 14 viteve gëzimi juaj ishte gëzimi ynë, hidhërimi juaj ishte pikëllimi ynë. Marrëdhëniet vëllazërore dhe fqinjësore e kërkonin këtë. Sot, si Turqi, me të drejtë jemi krenarë që jemi në anën e duhur të historisë”, tha Fidan.

Ministri turk tha se ishte “absolutisht e papranueshme” të tolerohej që Izraeli të përfitonte nga situata aktuale për të kapur territorin sirian, duke iu referuar sulmeve të fundit izraelite në territorin sirian pas rënies së regjimit Baath.

Fidan i bëri thirrje Tel Avivit të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe të mos kërcënojë më tej sigurinë rajonale, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa konkrete kundër veprimeve të paligjshme të Izraelit.

Al-Shara tha se ai diskutoi të ardhmen e Sirisë me Fidanin, duke shtuar se “vendi mik” Turqia ka qenë me sirianët që nga fillimi i revolucionit.

Ai tha se u diskutua edhe për rëndësinë e një qeverie të fortë, veçanërisht rëndësinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe sigurimin që armët të mbeten nën kontrollin e shtetit.

Al-Shara tha se ata diskutuan se si do të zhvillohen marrëdhëniet strategjike midis Ankarasë dhe Damaskut në ditët në vijim, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve në fushat politike, ekonomike dhe sociale.

“Për ne, është e papranueshme që ndonjë grup të jetë i armatosur në rajonet nën kontrollin tonë ose në ato nën kontrollin e terroristëve të PKK/YPG-së”, shtoi Al-Sharaa. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit