Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha sot se në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm do të merret vendim për aktakuzën për rastin Banjska, duke theksuar se për atë rast është nisur një hetim kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
“Ndaj Milan Radoiçiq ka nisur hetimi në lidhje me ngjarjen e 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Gjatë hetimeve janë kryer mbi 40 veprime procedurale. Vendimi për ngritjen e aktakuzës do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Sfanoviq, duke shtuar se pret bashkëpunim adekuat me EULEX-in, shkruajnë mediat në Serbi.
Stefanoviq tha se po kontrollohen pretendimet e të dyshuarit, të cilat i ka bërë gjatë marrjes në pyetje në Departamentin e Hetimeve Kriminale në Beograd.
Gjithashtu, prokuroria me ndërmjetësimin e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, i është drejtuar EULEX-it dhe ka kërkuar që t’i sigurohet dokumentacioni i plotë lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
“Është kërkuar dorëzimi i raportit të hetimeve, fotodokumentacioni, procesverbalet e autopsisë së të gjithë personave të vdekur, raportet mjekësore të të gjithë personave të lënduar. Janë kërkuar edhe procesverbalet nga ekspertiza e armëve, municionit dhe mjeteve shpërthyese, si dhe procesverbalet nga marrja në pyetje e të pandehurve dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve”, tha Stefanoviq.
“Sipas urdhrit të hetimit, Radoiçiq akuzohet se me persona të tjerë të panjohur ka kryer tri vepra penale – shoqërim me qëllim të kryerjes së veprave kriminale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme”, shtoi Stefanoviq. /Telegrafi/