4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kosovë, nis Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria është duke hartuar një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës.

Në Prishtinë ka filluar Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, për të ndarë praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Samiti dyditor i cili organizohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrit të Kosovës, shënon një ngjarje të rëndësishme vjetore që bashkon palët kryesore të interesit nga i gjithë rajoni, për të ndarë më së miri praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve.

Në këtë samit ku slogani i këtij viti është “Forcë në diversitet – Një shoqëri pa diskriminim racor”, u theksua se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë vazhdojnë të mbesin të diskriminuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria është duke hartuar një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, i cili, sipas tij, trajton diskriminim racor dhe antigjipsizmin.

“Qeveria jonë po harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, duke trajtuar diskriminimin racor dhe antigjipsizmin. Ky është një proces gjithëpërfshirës së bashku me shoqërinë civile nën koordinimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë”, theksoi Kurti.

Ai tha se forca e Kosovës është edhe në të përfaqësuarit e diversiteteve për një shoqëri të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Ambasador i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, ka thënë se pavarësisht punës së qeverisë, diskriminimi racor vazhdon që të mbetet sfidë në vendet e Ballkanit. Ai theksoi se në Kosovë komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian vazhdon të mbetet i diskriminuar si në arsim, shëndetësi e mirëqenie sociale.

Duke iu referuar një studimi të bërë së fundmi, ambasadori zviceran tha se në Kosovë statistikat janë shqetësuese, ku ende ka qëndrime diskriminuese ndaj komuniteteve.

“Integrimi i grupeve të margjinalizuara nuk është vetëm çështje e të drejtave të njeriut ose përmbushje e obligimeve evropiane, por është edhe hapje e potencialit të plotë e të gjithë qytetarëve për të kontribuuar për një shoqëri të fortë dhe prosperuese”, tha Sprecher.

Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor është një ngjarje vjetore që bashkon qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e pavarur dhe komunitetet për të trajtuar kolektivisht çështjen e diskriminimit racor kundër komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në rajon.

Objektivat e Samitit përfshijnë forcimin e vullnetit politik për veprime transformuese për të adresuar racizmin sistemik dhe diskriminimin racor.

/trt BALLKAN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit