3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Berisha: Akuzat e Martyt u shkruan nga prokuror serb

Më të lexuarat

Duke folur në Asamblenë Parlamentare të KiE-s, kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryesia shqiptare e konsideron procesin e integrimit si një proces të bazuar në meritë.

“Shumë probleme janë zgjidhur dhe vendi është i vendosur të bëjë përpara në rrugën e integrimit”, theksoi kryeministri shqiptar, duke falenderuar Presidencën e KiE-s për ndihmën e madhe në rrugën e vështirë që Shqipëria ka kryer këto 22 vjet tranzicion.
“Për mua është një rast i jashtëzakonshëm të theksoj vendosmërinë e Shqipërisë se në bashkëpunim me vendet anëtare do të punojmë për vlerat e përbashkëta dhe objektivat e organizatës, vlerat për demokraci, shtet ligjor dhe aspiratat për paqe që janë themelet që na bashkojnë, siç është edhe motoja Të bashkuar në diversitet”, u shpreh kryeministri në Asamblenë Parlamentare të KiE-s.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka si prioritete të kryesisë së saj respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, dialogun ndërkulturor, për të cilën është miratuar edhe një strategji kombëtare, ndërsa nënvizoi se do të do të ketë në vëmendje arsimimin e rinisë, shkruan noa.
Kryeministri Berisha risolli në vëmendje se Shqipëria njihet për tolerancën fetare, një nga vlerat shembullore dhe shekullore të saj.
Ai përmendi si përparësi të tjera të kryesisë, konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë funksionale, ku siç tha “Ne do të vijojmë të nxisim reformat politike të kësaj organizate, për një sistem më të pasur të respektimit të të drejtave të njeriut”.
Gjatë seancës Berisha u pyet edhe për fenomenin e gjakmarrjes, duke informuar parlamentarët e KiE-s se gjakmarrja ekziston ende, por në nivele e përmasa të pakta, për zgjidhjen e të cilës siç tha, lipset forcimi i sundimit të ligjit.
Mandej kryeministri shqiptar foli edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit të Ballkanit, duke nënvizuar se “Pavarësisht luftrave dhe dramave gadishulli i Ballkanit po përjeton një sfidë për t’u integruar në BE”.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se mbrojtja e kufijve aktualë është në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ai tha se në këtë kontekst, Shqipëria ka mbështetur dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar këtu edhe marrëveshjet e nënshkruara, që sipas tij duhet të vihen në jetë.
“Kosova është kthyer në një faktor stabiliteti në rajon. Në 2 korrik do të hiqet mbikëqyrja e procesit të pavarësisë së Kosovës. Vlerësoj ndihmën e KiE-s në këto procese për të sjellë më afër të Kosovës në këtë organizëm dhe marrjes sa më shpejt të vendit që i takon Kosovës në këtë organizëm”, tha ai.
Zoti Berisha u pyet edhe për qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me akuzat e senatorit zviceran Dick Marty për trafikim organesh.
Kryeministri shprehu keqardhjen se raporti i Dick Martyt për trafikimin e organeve u hartua nga një prokuror serb.
Në këtë suazë, Berisha u shpreh se qeveria shqiptare ka miratuar një ligj që i jep autoritetin e plotë EULEX-it për të hetuar ndaj akuzave të Dick Martyt.
“Zyrtarisht jam shumë i interesuar për të hetuar çdo akuzë të Dick Martyt që ka të bëjë me krime kundër njerëzimit. Ndjej keqardhje për nuancat raciste të raportit dhe kur mësova se raporti ishte shkruar nga prokurori serb Vukçeviç më erdhi më shumë keq. Ne kemi miratuar një ligj, që i jep gjithë autoritetin EULEX-it për të hetuar. Akuzat duhet të hetohen të gjitha”, tha kryeministri.
Berisha i ftoi partnerët e KiE-s që të bashkëpunojnë sa më mirë, për ta shndërruar kryesinë shqiptare në një histori suksesi.
“Kryesia shqiptare është e përkushtuar të punojë për të konsoliduar sa më mirë respektimin e frymës së ligjit. Ndërkohë që do të vijojmë reformat politike që kanë si synim arritjen e nivelit më të lartë të demokracisë funksionale. Le të punojmë që ta kthejmë kryesinë e Shqipërisë në një histori suksesi për vendin tim dhe vendet tuaja”, tha kryeministri Berisha/ndx/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit