-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

“Kthim nga e djathta”: Donald Trump dhe rritja e liderëve populistë

Më të lexuarat

Disa ditë para se amerikanët të votonin në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, kandidati republikan Donald Trump, veshi jelekun e punëtorëve të pastrimit dhe u ngjit në një kamion për mbledhjen e mbeturinave në një aeroport në Viskonsin, para një turme gazetarësh.

Ai po tentonte të përfitonte nga një gafë që kishte bërë një ditë më parë presidenti Joe Biden, i cili i quajti mbështetësit e Trumpit “mbeturina”, teksa dënoi një shaka raciste të bërë nga kandidati republikan në një tubim zgjedhor në Qytetin e Nju Jorkut.

Mesazhi i këtij triku politik të Trumpit, që ishte një nga shumë të tilla që ai ka bërë gjatë fushatës së parë për të fituar nominimin e republikanëve pothuajse një dekadë më parë, ishte për të treguar se elita politike e vendit i shikon me përbuzje qytetarët e saj.

“Nuk mund të jeni president nëse e urreni popullin amerikan”, tha Trump pak pas tubimit, duke iu referuar Bidenit dhe të kandidates demokrate, Kamala Harris.

Fitorja në zgjedhjet presidenciale e Trumpit më 5 nëntor, pavarësisht një sërë akuzash penale dhe dy gjykimeve për shkarkim gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 dhe 2021, është dëshmi se sa efektiv ka qenë mesazhi i tij politik.

Ai është pjesë e një vale të kandidatëve popoulistë të krahut të djathtë që kanë lënë në hije partitë tradicionale dhe ideologjitë, duke shtetëzuar zhgënjimin e votuesve të klasës punëtore mbi çështjet sikurse tregtia dhe imigrimi, çështje që partitë tradicionale kanë dështuar që t’i zgjidhin në atë mënyrë që prisnin votuesit.

Në Hungari, Sllovaki, Francë, Gjermani, Austri, Holandë dhe në shtete të tjera evropiane, partitë populiste të krahut të djathtë ose kanë marrë pushtetin, ose kanë dalë shumë mirë në zgjedhjet e mbajtura së voni.

Shpresat se pandemia e COVID-19 do të sillte fundin e valës së fitoreve të populistëve janë shuar, pasi çështjet kryesore me të cilat përballen demokracitë liberale perëndimore u rishfaqën, teksa virusi nisi të mos ishte më tema kryesore.

“Stagnim për disa dekada”

Ngritja e populizmit ishte shkak i punës prej dekadash, teksa globalizmi dhe rënia e komunizmit zbrazën qytetet prodhuese, veçmas në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Lindore, duke lënë pas dore shumë njerëz të klasës punëtore, tha për Radion Evropa e Lirë, Gabon Scheiring, profesor në Universitetin Georgetown të Katarit, i cili studion populizmin.

“Në SHBA, ka vërtet vuajtje në mesin e njerëzve të klasës punëtore. Pagat reale po stagnojnë, niveli i vdekshmërisë është rritur. Në Gjermani, pagat reale të punëtorëve pa diplomë universitare kanë stagnuar për dekada të tëra”, tha ai.

Imigrimi masiv nga vendet në zhvillim në Amerikën Latine, Afrikë dhe Lindje të Mesme vetëm sa i ka shtuar benzinë zjarrit politik, tha Scheiring. Populistët si Trumpi kanë fajësuar pagat e ulëta dhe humbjen e vendeve të punës në konkurrencë me imigrantët.

Trump ka kritikuar politikën e kufirit të hapur të administratës së Bidenit dhe kjo ishte çështja kryesore e fushatës së tij. Trump ka premtuar se do të dëbojë ata që kanë kaluar ilegalisht kufirin për në SHBA.

“Donald Trump është tregues i një modeli që kemi parë në kombe të tjera, domethënë një kthim në krahun e djathtë, në një qeveri më konservatore të krahut të djathtë”, tha për Radion Evropa e Lirë Robert Spitzer, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Kortland.

“Shumë nga kjo mendoj se është nxitur nga imigrimi”, tha ai.

Rojet në kufirin jugor të SHBA-së kanë regjistruar afër 8 milionë raste gjatë gushtit të këtij vitit, shifër rekorde. Ndërkaq, afër 400.000 imigrantë të paligjshëm hyn në Evropë vitin e kaluar, shifër pothuajse trefish më e lartë që nga pandemia më 2020, kur u zvogëlua numri i kalimeve të paligjshme të kufirit.

Ndryshim i besnikërisë

Në shumicën e periudhës së pasluftës shtresa e klasës punëtore në Perëndim ndiheshin si në shtëpi me partitë liberale të qendrës së majtë, që përkrahnin sindikatat dhe mbronin industritë.

Megjithatë, këto parti gjerësisht iu bashkuan euforisë për të mbështetur globalizmin në fillim të viteve ’90, me shpresën se do të sillte prosperitet më të madh për të gjithë.

Teksa punëtorët u lanë pas dore, veçmas pas krizës globale financiare më 2008-2009, partitë tradicionale dështuan që të adresonin problemet e tyre.

Kjo u dha populistëve sikurse Trump dhe Victor Orban në Hungari, mundësi për ta paraqitur veten si përfaqësuesit e vërtetë të popullit.

“Ka qenë dështim i partive tradicionale për të përfaqësuar zonat e tyre, për të artikuluar nevojat e tyre dhe për të propozuar politika që ofrojnë zgjidhje, që u lejoi populistëve që të rriteshin”, tha Stanford në një raport të shkruar më 2020 lidhur me analizimin e trendëve për populistët.

Përderisa populistët mund të dallojnë në çështjet në të cilat ata fokusohen, ata ofrojnë mesazh të ngjashëm për votuesit: elita në pushtet është e korruptuar dhe përçmuese ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Ata po ashtu e kanë të përbashkët mosbesimin ndaj institucioneve, përfshirë ndaj gjykatave, organeve rregullative dhe mediave. Trump vazhdimisht i ka quajtur mediat tradicionale si “armik të popullit”, ndërkaq Orban gjerësisht i ka marrë nën kontrollin e partisë mediat hungareze.

Skepticizmi i tyre për elitat dhe institucionet minoi aftësinë e tyre që në mënyrë efektive të menaxhonin krizën me COVID-19, tha Scheiring. Trump dhe presidenti populist i Brazilit, Jair Bolsonaro, humbën garat e tyre për rizgjedhje pjesërisht për shkak të mënyrës se si iu përgjigjën pandemisë, duke rritur shpresën se valës së populistëve po i vinte fundi.

Gjuha e drejtpërdrejtë

Populistët po ashtu shkelin normat e sjelljes politike, duke përdorur gjuhë më të ashpër e të drejtpërdrejtë apo duke tentuar që të shfaqen duke punuar punë krahu për të fituar besimin e punëtorëve.

“Njerëzit ndiejnë se dëgjohen dhe shihen nga populistët për shkak të këtyre sinjaleve performuese”, tha Scheiring.

Politikanët tradicionalë, në anën tjetër, flasin shumë ndryshe sesa njerëzit e zakonshëm, tha ai, duke shtuar se politika tradicionale është bërë një sferë e njerëzve me arsim të lartë.

“Kur nuk i beson elitës, këto lloje përplasjesh socio-kulturore rezonojnë dhe kjo është arsyeja pse të gjitha këto qëndrime populiste funksionojnë kaq mirë”, tha ai.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit