-0.5 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Ragmi Mustafi reagon ndaj vendimit të gjykatës për Vulinin: Nuk kemi mbaruar, shihemi në Gjykatën e Strasburgut

Më të lexuarat

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë për të mos dënuar Aleksandar Vulin, ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht zëvendëskryeministër i Serbisë, për deklaratat e tij të cilësuara si diskriminuese dhe denigruese ndaj shqiptarëve.

Në një postim në Facebook, Mustafi theksoi se, “kur Gjykata Supreme e Serbisë me firmën e gjyqtares Dragana Marinkoviq, zgjedh ta mbyllë sytë ndaj diskriminimit flagrant dhe gjuhës denigruese të Aleksandar Vulin, nuk bën asgjë tjetër veçse nxjerr në pah një realitet të hidhur: sistemi i drejtësisë në Serbi vazhdon të jetë peng i politikës.”

Mustafi e vuri në pah përdorimin e termit “shqiptari” nga Vulin, duke e cilësuar atë si një përpjekje për “të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike.”

Ai kritikoi vendimin e gjykatës, që në vend se të ndëshkonte gjuhën denigruese, e ka mbrojtur atë.

“Vendimi i Gjykatës Supreme e çon këtë çështje pranë Gjykatës Kushtetuese të Serbisë,” deklaroi Mustafi, duke theksuar se pas këtij hapi, rasti do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, siç tha ai, “për të kërkuar atë që na mohohet sot në Serbi”.

Mustafi, i cili ka ngritur këtë padi që nga gushti i vitit 2019, deklaroi se çështja përbën një provë të madhe për sistemin serb të drejtësisë.

“Kjo nuk është vetëm betejë ligjore, është betejë për dinjitetin, për të drejtat e shqiptarëve dhe për respektin e tyre,” shkroi ai, duke përfunduar se për të dhe komunitetin që ai përfaqëson, “Strasburgu do të jetë një arenë ku do të kërkojmë me ngulm atë që na mohohet sot në Serbi.” /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit