0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Respektohej nga Lindja e Mesme deri në ShBA” – Hoxhaj për rolin e ish-myftiut Rexhep Boja në diplomacinë e Kosovës

Më të lexuarat

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, vlerësoi rolin vendimtar të ish-myftiut dhe ambasadorit Rexhep Boja në ndërkombëtarizimin dhe njohjen e Kosovës nga vendet myslimane dhe arabe. Sipas Hoxhajt, Boja, me përgatitjen e tij intelektuale dhe përkushtimin e tij, kontribuoi dukshëm në lobimin për njohjen e Kosovës dhe përfaqësimin e saj në mënyrë dinjitoze në skenën ndërkombëtare. Hoxhaj theksoi se kontributi i Bojës është një meritë që duhet të njihet gjithmonë nga shteti i Kosovës.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar lart rolin e ish-myftiut dhe ish-ambasadorit Rexhep Boja, duke e cilësuar si një figurë historike me ndikim të madh në vitet ’90 dhe gjatë procesit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Kështu, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) do të organizojë një konferencë shkencore në nder të ish-myftiut dhe ish-diplomatit të shquar, i cili ndërroi jetë në shtator të vitit 2021. Konferenca, e titulluar “Myftiu dr. Rexhep Boja – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”, do të mbahet më 18 dhe 19 tetor në Prishtinë.

Më tej Hoxhaj theksoi se gjatë kohës kur Boja drejtonte Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), ai luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e kauzës së Kosovës, si në vendet arabe myslimane, ashtu edhe në Evropë.

Sipas tij, Boja me përgatitjen e tij intelektuale dhe intuitën politike, arriti të përfaqësojë me dinjitet interesat e Kosovës, duke u bërë një figurë kyçe në mbështetjen për luftën çlirimtare dhe përpjekjet për pavarësi.

“Roli i ambasadorit Boja është një rol shumë përcaktues në vitet e ‘90-ta në një kohë kur ai ka qenë Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe myfti i Kosovës dhe në një kohë kur Kosova ka pas shumë që të internacionalizohet si një kauzë politike dhe si një çështje që do zgjidhje dhe me përgatitjen e tij politike, me intuitën politike, me formimin e tij intelektual, ka qenë fat i Kosovës që ai ka qenë në drejtimin e Bashkësisë Islame duke determinuar së bashku me lidershipin e asaj kohe artikulimin e drejtë të një kauze të tillë jo vetëm në Lindje të Largët, në botën arabe myslimane por edhe në Evropë së bashku me prijës politik por edhe me prijës fetarë, ai ka ditur të artikulon sa kauzën tonë të drejtë për liri dhe pavarësi po aq të përfaqësoj realitetin politik të asaj kohe në mënyrë të dinjitetshme por gjithashtu edhe të del në mbështetje të luftës së drejtë çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një kohë shumë historike”, ka thënë Hoxhaj në një bisedë për Dukagjinin.

“Unë e kam takuar duke qenë po thuajse për shtatë vite e gjysmë ministër i jashtëm i Kosovës por edhe duke qenë dikur i cili në këto 30 vite është interesuar për temat e marrëdhënies së Kosovës me jashtë, për politiken e jashtme të saj pas shpalljes së pavarësisë. Kam takuar politikanë, intelektualë, vendimmarrës kudo, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Evropë Perëndimore, në Lindje të Mesme, në shtete arabe, në shtete myslimane, në Turqi, në Arabi Saudite, në Pakistan e deri në Egjipt, njerëz të cilët kontaktin e parë e kanë pas me Bojën si një imazh i gjallë i përfaqësimit të interesit politik të Kosovës në pozitën dhe petkun e myftiut, kështu që roli i tij në këtë kohë është pa dyshim shumë, shumë, shumë i madh”, ka shtuar Hoxhaj.

Sipas Enver Hoxhajt, ishte një fat i madh për Kosovën që ambasadori i parë në Arabinë Saudite ishte Rexhep Boja.

Hoxhaj thekson se roli i Bojës ishte vendimtar në sigurimin e njohjeve të shumta për Kosovën gjatë viteve të tij si ministër i jashtëm, duke vlerësuar përkushtimin, dijet dhe vetëbesimin e tij në përfaqësimin e vendit.

“Ka qenë një fat i madh për Kosovë që ambasadori i parë në Arabinë Sudite ka qenë zoti Boja. Dhe përmes një përvoje të gjatë, ka jetuar gjatë në Arabi Saudite, në atë pjesë të botës. Duke njohur gjuhën arabe në mënyrë të shkëlqyer, si një njeri i cili ka doktoruar në botën arabe, si njeri i cili e ka njohur në thellësi Kuranin e shenjtë, por edhe ka pas njohuri të mirëfillta për fenë islame, si një udhëheqës fetar ka qenë një fat që ka ditë të përfaqësojë kauzën politike që shtetet myslimane, arabe ta njohin Kosovën. Nëse shumë vende nga Liga Arabe dhe organizata e kanë njohur Republikën e Kosovës, dhe ka qenë vlerësim i qeverive të tyre që shteti i Kosovës është një e drejtë e shqiptarëve, që të jetojnë në një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur, ka qenë puna lobuese e Bojës, kanë qenë kontaktet e tij, të parat kanë qenë letrat e shkruara, takimet e mbajtura, insistimi i pareshtur që të ndodh njohja e Kosovës, meqë njohja nuk është një veprim i cili ndodh përmes një akti të vetëm, që ne kemi pas njohje nga shumë shtete arabe edhe myslimane”.

“Është një listë e shteteve ku kontributi i Bojës personal në marrjen dhe njohjen e Republikës së Kosovës është kontribut i tij. Unë mund ta them me përgjegjësinë më të plotë si dikush që nga 2011 deri në 2017-18 ka qenë ministër i Jashtëm, por edhe si dikush i cili ka negociuar në pakon e Atihsarit dhe duke qenë si ministër i Arsimit e ka ndjek punën dhe aktivitetin e Bojës, që roli i tij ka qenë vendimtar në marrjen e disa njohjeve dhe numri është i madh në emër të Kosovës. E ka bërë me përkushtim, me dije e vetëbesim. Dhe mendoj që këtë meritë duhet ta njeh shteti i Kosovës çdoherë”, ka shtuar Hoxhaj.

Hoxhaj në bisedën për Dukagjinin, gjithashtu e përshkruan Bojën si një figurë historike, që nga roli i tij si myfti deri te pozicioni i ambasadorit të parë të Kosovës në botën arabe, duke e cilësuar si një njeri me virtyte të larta njerëzore, krenar për identitetin kombëtar dhe fetar.

Për Hoxhajn, kontributi i Bojës në njohjen e Kosovës është i pamatshëm, dhe merita e tij duhet të njihet nga shteti i Kosovës çdoherë.

“Mendoj që është shembulli historik i një myftiut të shndërruar në ambasador të parë të Kosovës në botën arabe. Një njeriu i cili i pas virtytet më të larta njerëzore, i cili e ka pasur ndjen e hapur dhe zemrën e hapur për çdo kulturë, për çdo gjuhe, fe e besim. Të njeriu i cili çdo herë ka qenë krenar me identitetin e tij kombëtar e fetar. I cili ka dit ti shërben duke pas parasysh gjeografinë, historinë e Kosovës dhe kauzën tonë të drejtë për liri dhe pavarësi dhe për shtetësi, duke e artikular këtë në një diskurs polit edhe intelektual i cili ka arrit qëllimin e pritur”.

“Ka qenë një figurë, i cili kudo që ka hy ka lënë përshtypjen më të mirë që mund të lërë dikush prej Kosovës. Prandaj, ka qenë një njeri i respektuar kudo në Lindje të Mesme, në shtete arabe, myslimane, në Afrikë, Azi e Evropë e edhe në SHBA. Ka qenë dikush që ka pasur respekt edhe të bashkësive të tjera fetare… ka qenë një figurë markante”, ka thënë Hoxhaj.

/Dukagjini/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit