12.3 C
Pristina
Monday, September 23, 2024

Amerikanët ia këputën këmbët dhe ëndrrat…

Më të lexuarat

Irakiani që kërkon drejtësi prej 21 vjetësh, një gjymtim që e vuajti dhe psiqikisht

Shtetasi irakian Younus Khudair po kërkon drejtësi prej dy dekadash, pasi humbi të dyja këmbët në një sulm amerikan në kryeqytetin Bagdad gjatë pushtimit të vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara.

Pa këmbë për 21 vjet, Khudair, 46 vjeç, ka kërkuar pa sukses drejtësi dhe kompensim pasi u godit nga bombat e hedhura nga ushtria amerikane kur ai ishte 25 vjeç.

Khudair nuk la asnjë derë të hapur me shpresën për të marrë dëmshpërblime dhe për t’i mbajtur përgjegjës abuzuesit e të drejtave të njeriut. Lufta amerikane në Irak shkaktoi shumë viktima, të vdekur, të paaftë dhe me lëndime të tjera.

Duke folur për Anadolia-n për ditën që nuk do ta harrojë kurrë, e cila i ndryshoi jetën, Khudair tha: “I humba të dyja këmbët në bombardimet nga forcat amerikane më 5 mars 2003″.

Atë ditë, teksa po ecte në shtëpi pasdite nëpër lagjen e tij në Bagdad, ndodhi një shpërthim e papritur. Ai pa që njëra nga këmbët i ishte shkëputur dhe tjetra ishte plagosur rëndë.

Probleme mendore

Pas kësaj, ai u transferua në një spital për trajtim, por në atë kohë, spitalet në Irak, thotë ai, nuk ofronin shërbime adekuate mjekësore.

Pas operacionit, kur është zgjuar ka dashur t’i prekë këmbët, por të afërmit që kanë qenë me të nuk e kanë lejuar.

Kur i pyeti pse, ata i thanë se i kishte këmbët mirë për ta qetësuar, por ai në një moment të pakujdesisë së tyre, i ndjeu këmbët dhe kuptoi se ato i ishin prerë, me ç’rast shpërtheu në lot.

Duke psherëtirë, Khudair tha: “I humba këmbët në kulmin e rinisë sime (në moshën 25 vjeçare) dhe për shkak të kësaj pata shumë probleme mendore. Nuk dola nga shtëpia për një kohë”.

Ai ishte një futbollist i mirë para se të humbiste këmbët, kështu që e gjithë kjo kishte një ndikim të madh në psikikën e tij. Gjithashtu ia ka bërë të pamundur të mbajë familjen dhe të gjitha këto pasoja janë ende në vazhdim.

Vazhdoi punën

Sipas Khudairit, shtëpia në të cilën ai jeton është e babait të tij dhe të gjashtë vëllezërit e tij janë të martuar dhe jetojnë në atë shtëpi me familjet e tyre.

Khudair u detyrua të vazhdonte punën si marangoz, megjithëse e kishte shumë të vështirë pasi humbi këmbët.

Punon gjithashtu edhe në ndërtim. “Unë ndërtoj çati në shtëpitë e të tjerëve, por nuk mund të ndërtoj çati në shtëpinë time sepse nuk kam mundësi financiare për ta bërë këtë”, tha ai.

Ai vazhdoi: “Kam luajtur futboll (…), dhe pasi kam humbur këmbët, shikoj të rinjtë duke luajtur futboll nga një karrige me rrota dhe kjo është ajo që më lëndon më shumë.”

Më 20 mars 2003, një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi një operacion ushtarak për të përmbysur regjimin e presidentit irakian Sadam Hussein, duke pretenduar, ndër të tjera, se Iraku posedonte armë të shkatërrimit në masë.

Pavarësisht rënies së regjimit të Sadamit më 9 prill 2003, i cili zgjati që nga viti 1979, pushtimi i Irakut nga SHBA vazhdoi.

Që nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara kanë një prani ushtarake në Irak si pjesë e koalicionit ndërkombëtar për të luftuar ISIS-in, ndërkohë që thirrjet irakiane për tërheqjen e forcave amerikane po bëhen gjithnjë e më të forta.

Pushtimi amerikan i Irakut midis 2003 dhe 2011 shkaktoi vdekjen e rreth 200,000 irakianëve, shumica prej tyre civilë, sipas raporteve të të drejtave të njeriut.

Ndërsa pretendimi për armë të shkatërimit në masë doli të ishte fjasko. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit