1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Pyetësor mbi dashurinë e fëmijëve

Më të lexuarat

Në këtë pyetësor, do u drejtojmë prindërve disa pyetjeve, të cilat duhet t’i përgjigjeni me: “Gjithmonë, ndonjëherë, rrallë ose asnjëherë.”

Një pyetësor i tillë, mat aftësitë tuaja edukative përsa i përket dashurisë, kontrollit të ndjenjave dhe shprehjes së dashurisë. Ky pyetësor i ndihmon prindërit të zbulojnë nëse i edukojnë fëmijët që ta shprehin dashurinë ose jo. Kjo, pasi dashuria dhe përkujdesi për fëmijën, është një faktor garantues për ta mbrojtur atë nga shkarjet dhe dhënia pas tundimeve që e rrethojnë.

Pyetja e parë: A e ndjen që i donë fëmijët e tu?

Pyetja e dytë: A i përshëndet dhe u jep dorën fëmijëve, kur del nga shtëpia dhe kur kthehesh sërish?

Pyetja e tretë: A u tregon fëmijëve që i donë?

Pyetja e katërt: A i puth dhe a i përqafon fëmijët e tu herë pas here?

Pyetja e pestë: A e shmang çdo lloj fyerje dhe ofendimi të fëmijëve të tu, sidomos në praninë e shokëve të tyre?

Pyetja e gjashtë: A përpiqesh të jesh i buzëqeshur para fëmijëve të tu?

Pyetja e shtatë: A i shton adhurimet dhe përkujtimin e Zotit, me nijetin që kjo të bëhet shkak që fëmijët e tu të jenë të ndershëm? Diçka të tillë e bënte Abdullah ibnu Mesudi. Gruaja e tij, duke e parë që falte shumë namaz nate, i tha: ”Ti fal shumë namaz nate!” Ibnu Mesudi ia ktheu:”Unë falem për këtë” dhe i bëri me shenjë foshnjën e tyre që po flinte.”

Pyetja e tetë: A i shmang mallkimet dhe të nëmurat e fëmijëve, sido qofshin kushtet dhe rrethanat? Janë të shumtë ata prindër të cilët i mallkojnë dhe nëmin fëmijët e tyre, për gjërat më të vogla. Një ditë, një miku im më tha:”Për Zotin, sa herë që i hyj një biznesi dështoj. Madje, çdo projekti që i hyj, patjetër që do të dështoj. Mendoj se shkaku për këtë është nëna ime.” I habitur unë e pyeta:”Po përse qenka shkaku i dështimeve, nëna jote?” Ai u përgjigj:”Sepse sa herë që ajo inatosej me mua kur isha i vogël, më thoshte:”Këputsh qafën! Kurrë mos paç sukses!” Tashmë unë e shoh të konkretizuar mallkimin e saj.”

Pyetja e nëntë: A u drejtohesh fëmijëve me emrat përkëdhelës, që atyre u pëlqejnë? Ishte në traditën e Profetit a.s, që njerëzit e afërt t’i thërrasë me emra përkëdhelës. Kështu, ai e thërriste gruan e tij Aishen:”O Aish!” Kurse dhëndrin e tij, Aliun e thirri një herë:”O baba i dheut!” për shkak se ishte bërë gjithë pluhur.”

Pyetja e dhjetë: A i feston bashkë me fëmijët e tu disa festa, si përfundimi i shkollës me rezultate të larta, ditëlindjet e tyre etj…?

Pyetja e njëmbëdhjetë: A u bën fëmijëve dhurata, qoftë dhe të vogla, sa herë që të jepet rasti ose për festa? Pyetja e dymbëdhjetë: A u blen fëmijëve të tu, lodra që janë të përshtatshme për moshën e tyre?

Pyetja e trembëdhjetë: A u bën fëmijëve komplimente, pothuaj aq sa i kritikon? Kjo pyetje, është shumë e rëndësishme, pasi prindërit e kanë zakon që vetëm t’i kritikojnë fëmijët. Psikologët modernë, thonë që nëse i thua fëmijës tënd një herë “Jo” kundrejt kësaj, duhet të dëgjojë shtatë herë “Po”.

Pyetja e katërmbëdhjetë: A luan me fëmijët dhe ai bën shaka me ta, herë pas here? Vetë Profeti a.s ecte këmbadoras, ndërkohë që dy nipat e tij, Hasani dhe Husejni, kishin hipur mbi shpinën e tij.

Pyetja e pesëmbëdhjetë: A i shmang krahasimet dhe preferencat mes fëmijëve të tu? A i shmang fjalë të tilla si:”Vëllai yt është më i mirë se ti?”

Pyetja e gjashtëmbëdhjetë: A u rrëfen fëmijëve të tu, përralla dhe histori të ndryshme, sidomos para gjumit?

Pyetja e shtatëmbëdhjetë: A i merr fëmijët e tu me vete, në ato ceremoni dhe aktivitete që u përshtaten moshës së tyre?

Pyetja e tetëmbëdhjetë: A përpiqesh të jesh i besueshëm, ashtu siç e këshillon të jetë fëmijën tënd?

Pyetja e nëntëmbëdhjetë: A han qoftë dhe një vakt në ditë, me të gjithë fëmijët e tu?

Pyetja e njëzetë: A del me fëmijët e tu në piknik apo shëtitje, herë pas here?

Pyetja njëzet e një: A këshillohesh herë pas here me fëmijët dhe a i vlerëson mendimet dhe propozimet e tyre?

Pyetja njëzet e dy: A e përdor gjithmonë fjalën “Faleminderit” dhe “Të lutem” kur u drejtohesh fëmijëve të tu?

Pyetja njëzet e tre: A mendon rreth familjes dhe fëmijëve të tu, të paktën dhjetë minuta në ditë?

Pyetja njëzet e katër: A përpiqesh që t’i rrallosh fjalë të tilla “Mos më mërzit!” me fëmijët e tu? A përpiqesh t’i shtosh fjalë të tilla:”Afrohu dhe më thuaj çfarë problemi ke?”

Pyetja njëzet e pesë: A e lut Zotin çdo ditë që ta shtojë dashurinë mes jush, t’i forcojë lidhjet dhe t’ju bëjë një familje të lumtur?

Siç thamë dhe në fillim të këtij pyetësori, përgjigjet e secilës prej pyetjeve, duhet të jetë me:”Gjithmonë, ndonjëherë, rrallë ose asnjëherë.” Përgjigjet me “Gjithmonë” vlerësoji katër pikë, ato me “Ndonjëherë” vlerësoji tre pikë, ato me “Rrallë” vlerësoji dy pikë dhe ato me “Asnjëherë” vlerësoji një pikë. Nëse shuma e mbledhur është mes njëzet e pesë dhe pesëdhjetë pikë, ti o prind ke nevojë ta rishikosh dhe njëherë mënyrën si ua shpreh dashurinë fëmijëve të tu. Nëse shuma e mbledhur është nga pesëdhjetë në shtatëdhjetë e pesë, ti o prind ke nevojë të mësosh më shumë si t’ua shprehësh dashurinë dhe atë që ndjen, fëmijëve. Nëse rezultati është nga shtatëdhjetë e pesë deri në njëqind, ky është tregues që metoda e ndjekur prej teje për t’ua shprehur dashurinë fëmijëve, është e saktë.

T’u falësh të tjerëve dashuri, dhe sidomos familjes tënde, është një parim islam. Një herë, Profeti a.s ishte i ulur me disa shokë të tij dhe pranë tyre kaloi një burrë. Një nga shokët e Profetit a.s, i tha:”O i dërguar i Zotit! Unë e dua filanin.” Profeti a.s e pyeti:”A i ke treguar që e donë?” Ai i tha:”Shko dhe tregoji!” Kështu, shohim që Profeti a.s na edukon dhe këshillon që të tjerëve t’ju falim dashuri dhe t’u tregojmë që i duam. Duke përhapur dashuri në shtëpitë tona, padyshim që ato do të jenë të gëzuara dhe të lumtura.

Kurani dhe edukimi i fëmijëve.

Në Kuranin famëlartë trajtohen dhe përmenden shumë histori dhe ngjarje të rëndësishme, të cilat kanë një rëndësi të veçantë. Nga këto histori, kemi dhe të tilla, ku babai e mëson fëmijën e tij si të sillet dhe të reagojë në situata të ndryshme. Thotë Zoti në Kuran:” (Kujtoje) edhe Dautin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre. Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Dautin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto.” (Enbija: 78 – 79) Në këto ajete, tregohet interesi i Daudit a.s, për t’i mësuar djalit të tij gjykimin e drejtë.

Në një ajet tjetër, në suren Bekare, na shfaqet babai i cili kujdesej dhe i edukonte fëmijët e tij, me adhurimin e një Zoti të vetëm. Thotë Zoti në Kuran:”Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” (Bekare 132)

Zoti në Kuranin famëlartë, i porosit dhe i urdhëron prindërit që të kujdesen për familjen dhe fëmijët e tyre. ”O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim 7) Sipas shumë komentuesve dhe interpretuesve të Kuranit famëlartë, është përgjegjësi e babait që t’i edukojë dhe orientojë fëmijët dhe bashkëshorten drejt më të mirës. Ai duhet të caktojë një kohë të përshtatshme, e cila duhet të jetë për edukimin e tyre.

Prindërit, ndahen në disa kategori përsa i përket marrëdhënieve që kanë ndërtuar me fëmijët e tyre.

Kategoria e parë, janë prindërit që i llastojnë fëmijët e tyre, duke u dhënë gjithçka që kërkojnë. Një komunikim i tillë me fëmijët, është shumë i dëmshëm për ta.

Kategoria e dytë, janë ata prindër të cilët sillen ashpër dhe dhunshëm me fëmijët. Këta prindër, si babai dhe nëna, sillen rreptë me fëmijët e tyre, sikur të ishin në një repart ushtarak. Padyshim që edhe një metodë e tillë edukimi, është shumë e dëmshme për fëmijët.

Kategoria e tretë, janë ata prindër të cilët bëjnë dallime mes fëmijëve të tyre, gjë e cila edhe kjo është e dëmshme për fëmijët dhe familjen në tërësi.

Kategoria e katërt, janë ata prindër të cilët autoritarë, që kërkojnë që fëmijët t’ju binden verbërisht dhe të jenë të nënshtruar. Diktatori dhe autoritari në këtë rast, mund të jetë babai ose nëna. Në një familje të tillë, fëmijët jetojnë nën terror, panik, frikë dhe stres. Ata ndihen të qetë dhe të sigurt vetëm jashtë familjes dhe shtëpisë. Që këtu fillojnë sjelljet perverse, devijuese dhe të shëmtuara.

Kategoria e pestë, janë ata prindër të cilët u kushtojnë fëmijëve një kujdes të tepërt. Ata duan t’i kenë fëmijët nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e tyre njëzet e katër orë, ngaqë frikësohen se mos u ndodh gjë e keqe. Fëmijë të tillë, kur rriten dhe arrijnë moshën e burrërisë, nuk dinë të arsyetojnë drejt dhe e kanë shumë të vështirë të marrin një vendim. Një miku im më tregoi:”Gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë time, kam jetuar në krahët dhe përkujdesjen e nënën. Ishte ajo e cila më zgjidhte edhe rrobat që duhej të vishja. Tashmë që kam martuar, unë nuk as si të vishem dhe çfarë të vesh. Gjithmonë e pyes bashkëshorten nëse duhet ta vesh filan këmishë apo jo.”

Kategoria e gjashtë, janë ata prindër të cilët i neglizhojnë, injorojnë dhe që janë indiferentë ndaj fëmijëve. Prindër të tillë, thjesht sa plotësojnë atësinë dhe mëmësinë e fëmijëve në certifikatën e lindjes. Ata nuk dinë si t’i edukojnë fëmijët, nuk ulen të bisedojnë dhe qajnë hallet me ta dhe nuk tregojnë asnjë farë interesi për fëmijët. Prandaj, psikologët bëjnë dallime mes babait dhe atësisë, nënës dhe mëmësisë. Babai dhe nëna, janë ata që i lindin fëmijët. Kurse atësia dhe mëmësia, kanë të bëjnë më së shumti me edukimin, përkujdesjen, orientimin e duhur, mbikëqyrjen, faljen e dashurisë dhe dhembshurisë etj…

Procesi i edukimit të fëmijëve, është një poçes që kërkon mund dhe nuk është aspak i lehtë. Për këtë, prindërit kanë nevojë të lexojnë dhe t’ju referohen librave, faqeve elektronike ne internet, programeve televizive, revistave, kasetave dhe institucioneve që merren me këtë fushë. Ne duhet të bëjmë çmos që fëmijët tanë të edukohen sa më mirë dhe të lenë gjurmët e tyre të dobishme në këtë jetë. Do të ishte një ndër gabimet më trashanike, nëse do të donim që fëmijët tanë të jenë një kopje e jona. Ne duhet t’i edukojmë të jenë të suksesshëm, sipas modelit më të mirë, profetit Muhamed a.s.

Edukimi i fëmijëve, aq sa është i vështirë, është dhe i lehtë në të njëjtën kohë. Të gjithë ne e dimë historinë e Musait a.s me Hidrin, kur rindërtuan murin e shembur dy jetimëve. Shkaku ishte pasi babai i tyre kishte qenë njeri i mirë dhe i ndershëm. Kështu, nëse duam që fëmijët tanë të jenë të ndershëm, duhet që ne prindërit të jemi të tillë.

Nëse babai dhe nëna janë të ndershëm, edhe fëmijët do të jenë të tillë. Një herë, më erdhi një nënë dhe më tha:”Djali im është tetëmbëdhjetë vjeç dhe shoqërohet me djem të këqij, që konsumojnë alkool dhe droga të ndryshme. Veç kësaj, djali im studion në filan shtet dhe nuk është pranë meje. çfarë duhet të bëj?” Unë e pyeta:”A je përpjekur që ta edukosh mirë, ta lidhësh me profetin Muhamed a.s dhe moralet e tij?” Ajo u përgjigj:”Po.” Atëherë i thashë:”Atëherë mos ia kij merakun, edhe pse ndodhet larg teje dhe shoqërohet me djem të këqij! Përderisa që në vegjëli e ke edukuar mirë, mos u frikëso! Edhe pse je larg tij, këshilloje dhe udhëzoje, porosite që të largohet nga shoqëria e keqe dhe lute Zotin që ta ruajë dhe mbrojë.” Kjo nënë i zbatoi këshillat e mia dhe në fund, djali i saj i përfundoi studimet me rezultate të kënaqshme dhe u kthye në vendlindjen e tij, pa u ndikuar nga shokët e këqij.

Ne e kemi të pamundur që t’i mbajnë fëmijët tanë të mbyllur dhe nën mbikëqyrjen tonë për njëzet e katër orë. Ajo që mundemi si prindër, është që t’i formojmë dhe edukojmë me edukatë të mirë në vegjëli. Ne duhet t’i përgatisim fëmijët tanë, ashtu siç e përgatisim tokën para se ta mbjellim. Ne duhet t’i përgatisim dhe formojmë ata, para se të nisin udhëtimin e tyre të jetës dhe të dalin në shoqëri. Ne duhet të lodhemi gjatë fëmijërisë së tyre dhe kur të rriten, t’ju themi:”Tashmë është koha të fluturoni.” Këtë, duhet ta themi të sigurt se fëmijët tanë do të bëhen faktorë pozitivë në shoqëri, duke lënë gjurmë dhe kontribut të paçmuar për shoqërinë.

Dëshira dhe ëndrra e çdo prindi është që pasardhësit e tij të jenë dhe të jetojnë të ndershëm, të jenë vazhdim i rrugës së tyre, edhe pas vdekjes. Kështu, ne si prindër, edhe pasi të kemi vdekur, kemi mundësinë të përfitojmë nga veprat e mira të fëmijëve tanë të mirëedukuar.

E lusim Zotin që të na ndihmojë në misionin e edukimit të fëmijëve tanë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit