-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shkurorëzimet e shpeshta dhe shkaqet e tyre

Më të lexuarat

Familja është ndër gjërat më të shtrenjta që posedon njeriu. Ajo është qeliza e parë mbi të cilën ndërtohet dhe ngrihet shoqëria. Nëse kjo qelizë është e shëndetshme dhe e ndritur, atëherë edhe shoqëria është e tillë, e nëse dështojmë në këtë aspekt, atëherë të jemi të sigurt se kemi dështuar në bazamentin e shoqërisë, dhe nuk kemi pse të çuditemi nga dështimi i shoqërisë. Prandaj me të drejtë thuhet se familja bazohet në dashuri të pastër, simpati, respekt e mirëkuptim, dhe përderisa funksionon kështu, atëherë pa dyshim se do të jetë vendprehje për shpirtin, stabilitet për ndërgjegjen dhe rehati për zemrën. Këto vlera më së miri manifestohen atëherë kur kemi një raport të shkëlqyer mes çiftit bashkëshortor, martesa e të cilëve është e ndërtuar mbi parimet e dashurisë e mëshirës, harmonisë e bashkëpunimit, durimit, tolerancës e këshillës. E, si e tillë kjo familje do të lulëzojë, dhe jehona e shkëlqimit të saj do të shihet në çdo sferë të jetës, si në punë, në aktivitete, ashtu edhe në shkollë e mësime, sepse si burri, ashtu edhe gruaja, nëse janë të lumtur dhe të qetë në familjen e tyre, do të jenë më produktivë edhe në punë e aktivitete. Po ashtu, edhe fëmijët do ta tregojnë të njëjtin rezultat, nëse rriten e frymojnë në një ambient të ndërtuar me këto parime.

Duke u nisur nga këto fakte, Islami ka bërë familjen ndër gjërat më të shenjta për një njeri, duke i treguar qartë që, nëse dështon në formimin e kësaj fortifikate të shoqërisë, ke dështuar në misionin tënd jetësor. Dhe është pikërisht kjo fe madhështore që na mësoi çdo gjë rreth ndërtimit të familjes, dhe ndër gjërat e para të cilat na tregoi ishte edhe qëllimi final se, përse Zoti ynë e krijoi bashkudhëtarin e jetës sonë. Lidhur me këtë Allahu, xh.sh., thotë në Kuranin famëlartë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush i krijoi, për ju, bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.”(1)

Lidhur me këtë ajet dhe thënien e të Plotfuqishmit “dashuri dhe mëshirë “ vlen të theksohet edhe një gjë: këtu kemi një karakteristikë shumë të përpiktë lidhur me këtë thënie, e ajo është se, nëse gruaja e mbush shikimin dhe dëgjimin e burrit të saj, ajo i ka arritur qëllimet e martesës. Kjo është dashuri. Po ashtu edhe burri, nëse e mbush shikimin dhe dëgjimin e gruas së tij, atëherë vijmë te një nga argumentet e Allahut, e që tregojnë për madhështinë e Tij, e që është dashuria mes bashkëshortëve. Mirëpo, ndodh që për një arsye apo tjetër burri ta humbë punën, apo nëse sëmuret rënd dhe mbetet në shtrat. Gjithsesi, ky institucion nuk guxon të bjerë, sepse është krijuar të qëndrojë, dhe të qëndrojë me dashuri kur dyja palët i arrijnë qëllimet e tyre, ose do të qëndrojë me mëshirë; pra, dashuria lind kur arrihen qëllimet e martesës, kurse mëshira kur këto qëllime prishen.(2)

Ndërsa, i dashuri ynë, a.s., lidhur me këtë temë, na informon për hadithe të shumta, e në njërin ndër ta thotë: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë në shtëpinë e tij (familjen e tij), dhe unë jam më i miri për familjen time.”(3)

Ky është realiteti i Islamit dhe mësimet e tij lidhur me familjen. Madje, Islami e ka ruajtur aq shumë familjen, sa edhe shakanë në shkurorëzim e ka llogaritur si seriozitet. Lidhur me këtë, Pejgamberi, a.s., thotë: “Në tri gjëra serioziteti në to është seriozitet, e edhe tallja është seriozitet: martesë, shkurorëzim dhe kthimi i bashkëshortes.”(4)

Kështu është kujdesi i Islamit dhe mësimet e tij lidhur me familjen. Mirëpo, si erdhëm deri te këto shkurorëzime të shumta, ky është një fakt që duhet studiuar, sado i hidhur që është, pasi Islami ynë është i pastër dhe i jep rëndësi shumë të madhe familjes? Cilat janë motivet që po shtyjnë në rrënimin thuajse çdo ditë të një familjeje?

Në vijim do të mundohemi t’i sjellim disa nga shkaqet që kanë sjellë deri te ky fenomen tashmë i zakontë në shoqërinë e vendit tonë.

1. Dështimi në zgjedhjen e bashkëshortites së duhur. Njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në ndërtimin e familjes është zgjedhja e bashkëshortes it të duhur, dhe se dështimi në këtë pikë na sjell në fenomenin e shkurorëzimeve të shumta. Ky kusht, aq sa është i rëndësishëm, po aq është edhe delikat, prandaj duhet bërë zgjedhjen e duhur, sepse në rast dështimi, dështojmë edhe në vetë aktin e lidhur. Fatkeqësia jonë sot është që zgjedhja e bashkëshortit bëhet vetëm nga kriteri i bukurisë së jashtme, ose nga pasuria, duke u anashkaluar tërësisht elementet e tjera, sikurse janë: feja, morali, edukata etj. Natyrisht se edhe bukuria dhe pasuria janë gjëra relative, dhe humbin me kalimin e kohës, kurse ato që të shoqërojnë gjithmonë dhe të dhurojnë lumturi janë feja, morali i mirë dhe edukata. E, për përzgjedhjen e bashkëshortes Pejgamberi, a.s., na flet në një hadith shumë të bukur, kur thotë: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj, dhe për fenë e saj; zgjidhe atë që është fetare, dhe do të kesh lumturi!”(5)

Secili prej nesh mund ta shtrojë pyetjen: Përse vetëm te fetaria është garantuar lumturia bashkëshortore?! Përgjigjja është shumë e qartë: Ngase pasuria, bukuria e pozita, të gjitha këto mund të të braktisin një ditë, mirëpo fetaria, devotshmëria, morali, durimi e urtësia asnjëherë. Prandaj, dashuria e tillë është e çiltër, dhe nëse ndonjëherë ndodh që ndonjëri të bëjë gabime të paqëllimshme, ka mirëkuptim dhe falje mes tyre (gjë që te mungesa e fetarisë është e rrallë). Kështu që, vendimi për martesë duhet marrë në mënyrë të saktë, dhe jo të nxituar, dhe me të drejtë thuhet se nuk është njerëzi thjesht të martohesh, por ta vazhdosh jetën duke qenë i martuar.

2. Mungesa e durimit ndërmjet bashkëshortëve. Edhe ky shkak mund të themi se luan rol të fuqishëm dhe ka efekt në shkatërrimin e lidhjeve bashkëshortore. Nga gjërat që i dimë të gjithë është edhe fakti se jeta nuk është e lehtë, dhe shpesh goditemi e sprovohemi nga nuk e kemi idenë. Ngarkesat dhe presioni nga vështirësitë e jetës mund të çojnë ndonjëherë deri te të folurit e diçkaje që nuk na përket apo nuk na shkon si bashkëshort e besimtar. Mirëpo, edhe në raste të tilla duhet të kemi mirëkuptim dhe durim ndaj bashkëshortit tes. Mos të harrojmë se durimi është dritë, dritë e cila na e tregon rrugën e duhur që të dalim nga errësirat e sprovave në dritën e shpërblimit! Çelësat e një marrëdhënieje të shëndetshme janë mirëkuptimi dhe durimi i ndërsjellë. Fundja, çdonjëri prej nesh jemi njerëz dhe gabojmë, prandaj falja dhe durimi ndaj më të dashurve është vlera e tyre më e çmuar. Për më tepër, asnjëherë nuk duhet harruar se shpërblimi i durimtarëve nuk mund të llogaritet, siç na informon Allahu, xh.sh., në librin e Tij fisnik, kur thotë “Vetëm ata që do të jenë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.”(6) Pra, çdo lloj shpërblimi që mund ta paramendosh ti, shpërblimi i Allahut di të jetë akoma më i madh. Dhe, a nuk është gjëja më e bukur që në atë Xhenet që e ke ëndërruar në këtë botë të hysh dorë më dore me bashkëshortin en tënde?! Sigurisht që po, prandaj duhet fuqizuar këtë pjesë, në mënyrë që mos të vijmë në një ndarje e shkatërrim të familjes.

3. Neglizhenca e njërit apo e tjetrit bashkëshort. Nga shkaqet më të rëndësishme të shkurorëzimeve të shumta mund të themi se është edhe neglizhenca që mund të bëhet nga njëri apo të dy bashkëshortët. Një gjë duhet ditur dhe duhet pasur frikë: neglizhenca e bashkëshortites në fenë tonë të pastër është gjë e ndaluar. Pra, kurrë nuk do të jesh burrë i mirë nëse e neglizhon gruan tënde, dhe kurrë nuk do jesh grua e mirë nëse e neglizhon burrin tënd. Dhe, është e vërtetë e pamohueshme se nuk ka njeri më të përsosur sesa Pejgamberi, a.s., dhe se ky Pejgamber është shembulli ynë më i mirë, siç na tregoi edhe Zoti në Kuran. E, nëse i qasemi vetëm pak literaturës do të gjejmë se ky shembull ishte më i miri sa i përket angazhimit në familjen e tij, prandaj edhe na tha, në hadithin e tij të njohur: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë me gruan (familjen e tij), dhe unë jam ai që sillem më së miri me familjen time.”(7)

Prandaj, edhe Pejgamberi a.s., që kishte kujdes në këtë pikë, dhe ai kalonte kohë me bashkëshortet e veta. Ai luante e garonte me to, argëtohej dhe u falte atyre përkëdhelje të butë, buzëqeshje të ngrohtë, e edhe më shumë se kaq. Aisheja, r.a., transmeton se bashkëshorti i saj luante shpeshherë me të, thjeshtë për t’ia bërë qejfin asaj. Madje, edhe Omeri, r.a., thoshte: “Burri duhet të jetë në familjen e tij si një fëmijë.”. Kjo do të thotë në njerëzi dhe butësi, kurse me njerëzit e tjerë le të jetë tamam burrë. Ndërsa, sot e vërejmë se shumë prej burrave forcën dhe “burrërinë” e tyre e shprehin në shtëpi, ndërsa kur të dalin jashtë shtëpisë, janë të kuptueshëm, zemërbutë, fjalëëmbël e të shoqërueshëm!(8)

Prandaj, është më se e nevojshme që të marrim nga shembulli i Pejgamberit, a.s., burrit më të mirë, dhe ta lëmë sot e përgjithmonë “burrërinë” e kamufluar, e cila i rrënon lidhjet bashkëshortore.

4. Zbulimi i sekreteve bashkëshortore. Pra, edhe ky është një ndër shkaqet e rëndësishme në përhapjen e shkurorëzimeve. Në Islam, le ta dimë që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk lejohet zbulimi i sekreteve ndërbashkëshortore. Zbulimi i tyre është mëkat i madh. Ai që e bën këtë veprim, ka humbur, dhe nuk e ka xhelozinë për nderin e tij. Detajet dhe sekretet e jetës bashkëshortore duhet t’i dijë vetëm Allahu i Madhëruar, e jo bota mbarë. Sot gjejmë se shumë gra, pa ndonjë kompleks, i tregojnë sekretet e burrave të tyre në takime apo tubime të llojeve të ndryshme, dhe po ashtu kemi edhe burra që nuk ngurrojnë t’i përhapin e zbulojnë sekretet e grave të tyre para shoqërisë. Kështu tek ne edhe po fundosen virtytet. Përderisa jemi në këtë pikë, vlen të përmendet edhe një fakt interesant: kur Allahu, xh.sh., na ka ndaluar t’i zbulojmë të metat e njerëzve në përgjithësi, çfarë mendoni se do të jetë qëndrimi i Tij në rastin e përhapjes së sekreteve bashkëshortore?! Besoj se përgjigjen e di secili, dhe nuk është fare nevoja ta deklarojmë!

5. Ndërhyrja e familjes, fqinjëve dhe miqve në jetën bashkëshortore. Edhe ky shkak ka efekt në plasaritjet e lidhjeve bashkëshortore, e të cilat pastaj po çojnë deri te ndarja mes çifteve. Mirëpo, vlen të theksohet se një burrë i arsyeshëm dhe një grua e arsyeshme nuk lejojnë që çështjet apo mospajtimet e tyre të zhvendosen jashtë shtëpisë së tyre, qoftë te familja e gjerë, fqinjët, apo edhe te rrethi i miqve. Pa mendoni pak më gjatë për ajetin “(e nëse keni mospajtime) Madje largoheni nga shtrati (mos flini në një shtrat me bashkëshortet tuaja)!”(9)

Allahu me këtë porosi ka synuar që mospajtimi të mbetet mes bashkëshortëve, madje këtë mundësisht mos ta dinë as fëmijët. Kjo ngase, nëse në problemet e bashkëshortëve ndërhyn nëna, babai, fëmijët, fqinjët etj., gjërat vetëm se do të përkeqësohen. Qëllimi i kësaj është që askush në shtëpi mos ta dijë këtë.10 Mos ta harrojmë faktin se njeriu ndikohet nga fjalët e tjerëve, edhe nëse janë jo të sakta, prandaj duhet që mosmarrëveshjet të rregullohen brenda çerdhes së bashkëshortësisë. Për më tepër, askush nuk i di problemet dhe zgjidhjen e tyre më mirë sesa ata vetë. A nuk jemi dëshmitarë se shpesh ndarja vjen edhe si rezultat edhe i një fjale që dikush e fut si thikë në mes të bashkëshortëve?! Ta zëmë se, kur dikush i thotë gruas se çfarë të bleu burri për festën e fundit, cila është dhurata e tij e fundit që ta ka dhuruar, e të ngjashme, gruaja vihet në siklet, dhe ndoshta ndikohet nga ato fjalë, dhe kështu ngjallet dilema në kokën e saj, për sinqeritetin e lidhjes së saj me burrin. Megjithatë një gjë duhet ditur gjithmonë, e ajo është se besimtari
ja e vërtetë gjithmonë mbështetet tek Allahu, dhe nuk tundohet nga fjalët dashakeqe të të tjerëve. Prandaj, ndërhyrja mes çiftit bashkëshortor dhe tendosja e raporteve mes tyre është mëkat i madh.

6. Tradhtia bashkëshortore. Ndonëse është theksuar në fund, është shumë me rëndësi. Pra, tradhtia e burritgruas ka rol të madh në përfundimin e martesës. Vlen të theksohet se kjo pikë këtu është produkt direkt i shkakut të parë (dështimit në zgjedhjen e bashkëshortit/es së duhur). Kështu, rëndom gabimi apo ngutja në përzgjedhjen e bashkëshortit/tes edhe mund ta sjellë këtë rezultat. Kur një burrë e ka martuar një grua thjesht duke pasur si kriter bukurinë apo pasurinë e tij/ saj, natyrisht se lidhja e tillë do të jetë e rrezikuar dhe jetëshkurtër. Ajo grua që nuk është e stolisur me virtytin e ndershmërisë, mund ta tradhtojë burrin dhe, ai burrë që nuk e posedon fisnikërinë morale, mund ta tradhtojë gruan. Secili prej tyre, në momentin që gjen dikë më të bukur apo më të pasur, ai/ajo do ta filloj lidhjen me të, e duke tradhtuar pragun e bashkëshortësisë. Për këtë realitet të hidhur të gjithë jemi dëshmitarë, sidomos te gjeneratat e reja. E, për ta mënjanuar mundësinë e tradhtisë, ndër të tjerash, këshillohemi që të kujdesemi për shikimin e ndaluar; të shmanget vetmimi i burrit me gruan e huaj dhe i gruas me burrin e huaj, pa prezencën e një pale të tretë, si dhe të ndalohen provokimet pasionante nga cilado palë qofshin ato. Nëse kujdesemi dhe i respektojmë normat islame që i rregullojnë raportet ndërmjet dy personave të huaj (një burri dhe një gruaje të huaj), natyrisht se edhe dera e tradhtisë bashkëshortore do të qëndrojë e mbyllur.

Këto ishin disa nga shkaqet që çojnë deri te shkurorëzimet, kështu që, nëse duam ta ruajmë familjen me çdo kusht, atëherë le të kthehemi te mësimet hyjnore të Zotit tonë, dhe të inspirohemi nga jeta fisnike e të dashurit të Zotit- Muhamedit, s.a.v.s., sepse kjo është garancia që divorcet të pakësohet e lidhjet tona bashkëshortore të ruhen e të kultivohen! Familja është motivimi ynë i dynjasë dhe shpresa jonë e Ahiretit. Ajo është celula më e fortë dhe themeli i shoqërisë. Nëse ajo është e shëndoshë, edhe shoqëria do të jetë e shëndoshë.

___________________________

1. Surja Err Rrum, ajeti i 21-të, Përkthimi i Hasan Nahit.

2. Muhammed Ratib Nabulsi, Të drejtat e bashkëshortëve, f. 7.

3. Tirmidhiu, Sunnen Et Tirmidhi, 3895.

4. Tirmidhiu, Sunnen Et Tirmidhi, 1184.

5. Muhammed bin Ismail El Buhari, Sahih El Buhari, 5090. Muslim bin El Haxhaxh, Sahih Muslim, 1424.

6. Surja Ez Zumer ajeti i 10-të, Përkthimi i Hasan Nahit.

7. Përmendur më herët.

8. Muhammed Ratib Nabulsi, Shtëpia e lumtur f. 71.

9. Surja En Nisa ajeti i 34-të, Përkthimi i Hasan Nahit. 10 Muhammed Ratib Nabulsi, Familja Myslimane, f. 158.

Nehat Shehu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit