2.6 C
Pristina
Sunday, November 10, 2024

Gaza, mbi 500 të vrarë nga sulmet e Izraelit ndaj shkollave të OKB-së

Më të lexuarat

190 objekte ose qendra nën pronësimin e UNRWA-s u shkatërruan pjesërisht ose plotësisht nga sulmet izraelite, raportoi agjencia për refugjatët palestinezë.

Të paktën 563 palestinezë kanë vdekur në sulmet që Izraeli ka kryer që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ndaj shkollave që i përkasin Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në Gaza.

Sipas raportimit të bërë nga UNRWA më 11 shtator, 190 objekte ose qendra që i përkisnin agjencisë u shkatërruan pjesërisht ose plotësisht nga sulmet izraelite.

Zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Medias të UNRWA-së në Gaza, Inas Hamdan, tha se kjo shifër është tronditëse.

Hamdan theksoi se të paktën 563 njerëz kanë vdekur dhe 1.790 të tjerë janë plagosur në sulmet e kryera ndaj shkollave të UNRWA-s që nga fillimi i luftës.

Duke deklaruar se deri më tani kanë vdekur 220 njerëz nga personeli i UNRWA-s që ofronte ndihma shëndetësore dhe ushqimore për të zhvendosurit si rezultat i sulmeve të Izraelit, Hamdan paralajmëroi se situata humanitare në Gaza do të përkeqësohet nëse nuk sigurohet mjedisi i sigurt i nevojshëm për UNRWA-n për të vazhduar punën e saj.

Izraeli goditi të njëjtën shkollë për të pestën herë

Në sulmin në shkollën Al-Jaouni humbën jetën 18 persona, mes tyre gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën 18 të tjerë, sipas deklaratës së lëshuar nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Rripin e Gazës.

Në deklaratë njoftohet se ky ishte sulmi i pestë që ushtria izraelite ka kryer ndaj së njëjtës shkollë.

/trt/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit