4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kurti: Po bëjmë të gjitha konsultimet e nevojshme për hapjen e urës

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, Kurti njoftoi se Kosovën do ta vizitojnë dy ministra të Jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO-s javën e ardhshme, ndërsa të enjten edhe ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus.

Kurti nuk tregoi se ministrat e cilave vende anëtare të aleancës ushtarake do ta vizitojnë Prishtinën.

Ai paralajmëroi se sot Kosovën e viziton një delegacion danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull saj”, tha Kurti.

Një ditë më parë, Kurti u takua me shefin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiral Stuart Munsch, me të cilin ka biseduar për sigurinë në vend.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë.

KFOR-i, njëlloj sikur BE-ja, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, po ashtu, ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit