Allahu thotë në Kuran:
وَٱصْبِرْ نَفْسَكَ مَعَ ٱلَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِٱلْغَدَوٰةِ وَٱلْعَشِىِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُۥ ۖ وَلَا تَعْدُ عَيْنَاكَ عَنْهُمْ تُرِيدُ زِينَةَ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۖ وَلَا تُطِعْ مَنْ أَغْفَلْنَا قَلْبَهُۥ عَن ذِكْرِنَا وَٱتَّبَعَ هَوَىٰهُ وَكَانَ أَمْرُهُۥ فُرُطًا
Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.
El-Kehf : 28
Tefsiri i ajetit
El-Kehf: 28
وَٱصْبِرْ نَفْسَكَ مَعَ ٱلَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِٱلْغَدَوٰةِ وَٱلْعَشِىِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُۥ ۖ وَلَا تَعْدُ عَيْنَاكَ عَنْهُمْ تُرِيدُ زِينَةَ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۖ وَلَا تُطِعْ مَنْ أَغْفَلْنَا قَلْبَهُۥ عَن ذِكْرِنَا وَٱتَّبَعَ هَوَىٰهُ وَكَانَ أَمْرُهُۥ فُرُطًا
Allahu i Madhëruar i përcjell Profetit të Tij të dashur një urdhër shumë të rëndësishëm. Dhe, sigurisht, ky është një urdhër për të gjithë popullin, sepse Muhamedi (a. s) është modeli i tyre më i mirë në zbatimin e urdhrave. Ky urdhër ka të bëjë me sjelljen me besimtarët dhe mënyrën e trajtimit të tyre:
“Bëj durim e qëndro vetëm me ata që e lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje e që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij …” – Bëhu i durueshëm dhe qëndro gjithmonë dhe vetëm me besimtarët, të cilët – siç i përshkruan Zoti – e lusin Atë mëngjes e mbrëmje. Ata i luten Zotit dhe e adhurojnë, duke kërkuar ta kënaqin Atë. Siç shihet, Allahu i ka përshkruar këta besimtarë se e adhurojnë Atë dhe janë të sinqertë vetëm për të kënaqur Atë me çdo punë e adhurim që i përkushtojnë.
Ky është një urdhër i qartë për t’u shoqëruar me besimtarë të sinqertë e vepërmirë. Madje është urdhër për t’u përpjekur fort dhe me durim, për të qëndruar dhe për t’u shoqëruar vetëm me ta. Ata duhet ë jenë shoqëruesit e vetëm dhe më të mirë të besimtarit, edhe nëse janë të varfër e jo me pozitë ndër njerëz. Të shoqëruarit me ta ka dobi të shumta dhe të panumërta, që kurrsesi nuk duhen neglizhuar për asnjë lloj shkaku:
“… dhe mos i hiq sytë prej tyre e të kërkosh stolitë e kësaj bote!” – Kurrë mos e largo vëmendjen nga ata, që janë të zgjedhur! Mos iu largo shoqërimit me ta dhe të rendësh pas kënaqësive të kësaj bote! Kjo është shumë e dëmshme dhe nuk të ofron asnjë lloj dobie. Kjo gjë ndërpret dhe cenon shumë mirësitë e besimit dhe fesë. Kjo sjellje e lidh zemrën me kënaqësitë e kësaj bote dhe atëherë të gjitha mendimet dhe planet do të lidhen me këtë jetë. Rrjedhimisht, do të zbehet në zemër dashuria dhe malli për ahiretin.
Mos harro asnjë çast se stolitë e kësaj bote janë shumë joshëse për njeriun. Ato e dehin mendjen dhe e pushtojnë zemrën, duke bërë të harrojë Zotin. Dalëngadalë e pa kuptuar, kjo zemër e dehur përkushtohet vetëm për të plotësuar dëshirat vetjake, duke humbur më kot kohën, që është aq e vyer. Në këtë mënyrë, njeriu i shkatërron punët dhe çështjet e tij dhe zhytet gradualisht në dëshpërimin e përjetshëm. Kjo është arsyeja që Allahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen që të mos mashtrohemi nga kënaqësitë e kësaj bote, duke thënë:
“Mos iu bind atij që ia kemi shkujdesur zemrën prej përmendjes Sonë dhe i është dhënë epshit të vet, sepse puna e tij ka mbaruar!” – Për arsye se njerëz të tillë e harrojnë Allahun, Ai i ndëshkoi ata duke ua lënë zemrat të zhyten edhe më tepër në plotësimin e dëshirave dhe t’i largohen adhurimit të Tij. Kështu, ata nuk e kujtojnë dhe nuk e madhërojnë Zotin e tyre, përmes adhurimeve që Ai ua ka treguar përmes Shpalljes. Përfundimi i të tillëve është i pashmangshëm, siç thotë Allahu: “çështja e tij ka mbaruar!”
Tashmë epshet dhe dëshirat e tyre janë të vetmet që kanë rëndësi. Ata janë dorëzuar plotësisht para dëshirave të tyre. Për të plotësuar epshet e tyre, ata të mjerë sakrifikojnë gjithçka, edhe sikur të vuajnë a të vdesin. Në këtë mënyrë, ata e kanë epshin si zot të tyre, sepse i binden dhe i nënshtrohen veç atij, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër kuranor: “A e ke parë atë që, me vetëdije, dëshirat e veta i konsideron si zot?! Allahu, me urtësinë e Tij, e ka humbur atë nga rruga e drejtë, ia ka bllokuar të dëgjuarit dhe zemrën dhe mbi sytë e tij ka vënë perde.
Përveç Allahut, kush tjetër mund ta udhëzojë atë?! A nuk e kuptoni?!” Duke zgjedhur dëshirat e vetes si zot, njeriu rrënon jetën dhe fenë e tij, prandaj të tillë njerëzve është e ndaluar t’u bindesh dhe t’i pasosh. Ata ftojnë edhe të tjerët në gjërat e poshtra, ku janë zhytur vetë. Nga ajeti kuptohet se ai që e meriton më shumë që t’i bindesh e ta pasosh është ai që e ka mbushur zemrën me dashuri për Allahun.
Kjo dashuri duket qartë në fjalët që ai thotë dhe në adhurimet e shumta që i kushton Zotit. Ai në çdo çast kujton Zotin. Ai gjithmonë synon kënaqësinë e Allahut dhe i jep përparësi asaj kundrejt çdo lloji tjetër kënaqësie, të vetes së tij apo të të tjerëve. Kështu, atë e sheh gjithmonë të kujdesshëm me kohën dhe shfrytëzimin e saj. Ai e mbush kohën me ato fjalë e vepra që rregullojnë marrëdhëniet e tij me Zotin. Ai është sistematik, i përqendruar dhe i paluhatshëm në rrugën e tij.
Duke përmirësuar veten e vet, ai nuk harron që të kujdeset edhe për të tjerët, që edhe ata ta arrijnë mirësinë që gëzon ai. Kështu, një njeri i tillë e meriton që të pasohet si imam. Durimi i përmendur në këtë ajet e për të cilin jemi urdhëruar që ta plotësojmë është durimi në bindje ndaj Zotit, i cili është grada më e lartë e durimit. Duke plotësuar dhe forcuar këtë lloj durimi, plotësohen e forcohen të gjitha llojet e tjera të durimit. 117
Nga ajeti kuptohet se është e pëlqyeshme që në dy skajet e ditës të shtohen sa më shumë adhurimet, kujtimi i Zotit, lutjet e përkushtimet, sepse Allahu i lavdëron ata që i kryejnë këto veprime. Në qoftë se Allahu i lëvdon ata që e kryejnë një vepër të caktuar, kjo tregon se Allahu e pëlqen edhe atë vepër. Po ashtu, nëse Allahu thotë që e do një vepër, atëherë Ai nxit që të kryhet ajo vepër.
Llojet e durimit: Durim do të thotë ta nënshtrosh veten që të pranojë ato gjëra që ajo i urren. Në fakt, ka tri lloje durimi:
Durimi që tregohet në bindjen ndaj Allahut të Lartësuar, derisa të zbatosh çdo urdhër të Tij.
Durimi që duhet të tregojmë për t`u larguar nga haramet dhe për të mos shkelur kufijtë e Allahut.
Durimi gjatë ngjarjeve të dhimbshme, të cilat Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar për ne, duke i pranuar ato me zemër të kënaqur dhe duke mos shprehur as më të voglin zemërim rreth tyre.
[ Tefsiri i Sadit ]