2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024


Haaretz: Izraeli, edhe me shumë armë nga Serbia kundër Gazës

Më të lexuarat

Kthim nderi? Lufta e serbëve ndaj Bosnjës në vitet ’90-të, me armë nga shteti sionist

Për më shumë se tetë muaj, Izraeli ka zhvilluar një luftë gjenocidale kundër Gazës, siç përshkruhet nga ekspertët ndërkombëtarë, në të cilën janë vrarë dhe plagosur më shumë se 121,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Një hetim i publikuar të hënën nga gazeta izraelite Haaretz zbuloi një rritje “të madhe” të shitjeve të armëve serbe në Izrael gjatë luftës më shumë se tetë muajshe në Gaza.

Hetimi tregoi se Serbia i shpërfilli thirrjet që erdhën nga të gjitha anët, përfshirë ato të dërguara nga një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara më 23 shkurt me një apel për vendet në mbarë botën që të ndalojnë rrjedhën e armëve në Izrael për shkak të rrezikut se ato mund të përdoren për shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Sipas një hetimi nga Haaretz në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Kërkimeve (BIRN), Serbia ka eksportuar 16.3 milionë euro (17.5 milionë dollarë) armë në Izrael që nga shpërthimi i luftës në tetor 2023.

Vlera e eksportit të armëve nga Serbia në Izrael në muajin shkurt, mars dhe maj të këtij viti ishte 15.7 milionë euro, përveç faktit se në fillim të tetorit 2023, Serbia kishte eksportuar armë në vlerë prej 540 mijë euro në Izrael.

Hetimi tregoi se shumica e këtyre armëve janë transportuar me avionë ushtarakë izraelitë dhe që nga tetori i vitit 2023 janë identifikuar shtatë fluturime ushtarake izraelite drejt Serbisë. Haaretz vuri në dukje edhe fluturimin e tetë, por deklaroi se është kryer nga një avion “në pronësi private, i cili njihet për transportin e llojeve të ndryshme të ngarkesave, përfshirë edhe armët”. Ndër të tjera, nga hetimet rezultoi se një fluturim ka ndodhur më 5 shkurt, dy fluturime më 18 mars dhe tre fluturime më 26 maj.

Një mbulim i qeverisë

Haaretz deklaroi se Qeveria e Serbisë nuk e zbuloi përmbajtjen e atyre dërgesave, dhe Ministria e Tregtisë e Serbisë refuzoi gjithashtu kërkesën e BIRN-it, të paraqitur në bazë të Ligjit për Lirinë e Qasjes në Informacion, për të zbuluar datën e lëshimit të lejeve të eksportit dhe llojin e armëve që janë dorëzuar. Ministria i shpalli këto të dhëna “rreptësisht konfidenciale”.

Sipas hetimit, fluturimet erdhën pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi më i lartë gjyqësor i OKB-së, urdhëroi Izraelin më 26 janar të parandalonte forcat e tij nga kryerja ose nxitja e akteve të gjenocidit kundër palestinezëve, në përgjigje të një padie për gjenocid të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit.

Haaretz citon Vlado Raduloviç, një ekspert ushtarak nga Serbia, i cili tha se “Izraeli ka nevojë për municion të drejtuar dhe të padrejtuar për avionë, veçanërisht bomba ajrore për depërtimin në bunkerë dhe objekte nëntokësore, raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore, municione të kalibrit të mesëm, granata tankesh dhe artilerie, si dhe armët këmbësorie”.

Eksperti beson se “shtë e nevojshme të sigurohen sasi shtesë të municionit të kalibrit të vogël për armët e kalibrit të vogël, si dhe predha mortajash”.

Ai shtoi se predhat e artilerisë serbe të kalibrit 155 mm, të prodhuara nga kompania shtetërore “Krušik”, “janë shumë të kërkuara dhe jo vetëm në Lindjen e Mesme”.

Për më shumë se tetë muaj, Izraeli ka zhvilluar një luftë gjenocidale kundër Gazës, siç përshkruhet nga ekspertët ndërkombëtarë, në të cilën janë vrarë dhe plagosur më shumë se 121,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Në të kaluarën, Izraeli ishte i lidhur shpesh me shitjen e armëve për forcat ushtarake serbe të Bosnjës në periudhën midis viteve 1992 dhe 1995, kur ishte në fuqi embargoja për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në vendet e ish-Jugosllavisë.

Në vitin 2016, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë një kërkesë për të zbuluar informacione në lidhje me eksportet e armëve në ish-Jugosllavi gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë asaj periudhe, duke theksuar se “publikimi i informacionit të kërkuar mund të dëmtojë sigurinë kombëtare ose marrëdhëniet me jashtë”.

Avokatët që u morën me këtë rast dhe kërkuan zbulimin e informacionit më të detajuar, iu referuan raportit të Institutit Holandez për Dokumentacionin e Luftës të vitit 2002, ku thuhet se “Izraeli u dorëzoi armë forcave serbe të Bosnjës në vitin 1992, kur nisi rrethimi i Sarajevës”, në mënyrë që forcat që rrethuan Sarajevën t’i mundësonin shumicës së anëtarëve të komunitetit hebre të largoheshin nga ky qytet.

“Kishte disa indikacione për përfshirjen izraelite: në fund të vitit 1994, një kontroll i mbetjeve të një predhe mortajash në aeroportin e Sarajevës zbuloi se kishte shkronja hebraike në predhë dhe në gusht 1995, një program lajmesh televiziv izraelit njoftoi se tregtarët privatë furnizuan Ushtrinë e Republika Srpska (VRS) me armë nga Izraeli. Kjo është dashur të ndodhë me pëlqimin e Qeverisë”, thuhet në raportin e Institutit Holandez për Dokumentacionin e Luftës. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit