8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Firmat e sanksionuara, dikur në bashkëpronësi të Radoiçiqit, fituan miliona euro

Më të lexuarat

Kompania “Inkop” dhe kompanitë simotra “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka” arritën këtë rezultat në vitin kur Millan Radoiçiq u tërhoq zyrtarisht nga pronësia e tyre.

Siç e pranoi edhe vetë publikisht, Radoiçiq ishte organizator i sulmit të armatosur kundër policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në fshatin Banjskë.

Në të ardhurat e kompanive të lartpërmendura kontribuuan, mes tjerash, edhe punë që paguhen nga arka e shtetit të Serbisë.

Këtë e dëshmojnë raportet e fundit financiare, të publikuara në ueb-faqen e regjistrit komercial të Serbisë në fund të prillit, si dhe tenderët dhe dokumentet e tjera që analizoi Radio Evropa e Lirë.

Ndërtimi i autostradave të shpejta, mirëmbajtja e rrugëve lokale dhe ndërtimi i shtyllave për linjat e transmetimit ishin vetëm disa nga punët prej milionash të këtyre kompanive.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Ndërtimit dhe Infrastrukturës e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse kompanitë nga lista e zezë e SHBA-së përfshihen në kryerjen e këtyre punimeve.

Këtë nuk e shpjeguan as dy kompanitë publike “Putevi Srbije” dhe “Elektroprivreda”, të cilat, siç zbuloi REL-i, u kanë ndarë punë kompanive të sanksionuara përmes prokurimit publik.

Përgjigje për punët dhe fitimet nuk dhanë as kompanitë “Inkop”, “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka”.

“Inkop”, kompania më fitimprurëse

“Inkop”, kompani e regjistruar në qytetin Quprija në Serbinë qendrore, arriti fitimin më të lartë – rreth 17 milionë euro.

Fitimi i saj në vitin 2023 mbeti në nivele të njëjta me një vit më parë, tregojnë të dhënat financiare.

Pjesë e raportit financiar që tregon të ardhurat e kompanisë “Inkop” në vitin 2023. Raporti tregon një fitim prej mbi 1.9 miliard dinarësh ose rreth 17 milionë euro.
Pjesë e raportit financiar që tregon të ardhurat e kompanisë “Inkop” në vitin 2023. Raporti tregon një fitim prej mbi 1.9 miliard dinarësh ose rreth 17 milionë euro.

Në tetor të vitit 2023, pasi mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, Radoiçiq u largua nga bashkëpronësia e këtij biznesi prej milionash.

Ai ua la punën ish-partnerëve të tij të biznesit, vëllezërve Zharko dhe Zvonko Vesellinoviq, biznesmenë nga veriu i Kosovës, të cilët – ashtu sikurse Radoiçiq – janë në listën e sanksioneve të SHBA-së që nga viti 2021, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Radoiçiq ua ndau vëllezërve Vesellinoviq, në “pjesë të barabarta”, 40 për qind të aksioneve të tij në “Inkop”.

Të dyve ua kaloi nga 20 për qind të pronësisë, pa ndonjë kompensim.

Zvonko Vesellinoviq ka tani 60 për qind të aksioneve në “Inkop”, ndërsa vëllai i tij, Zharko, i ka 40 për qind të tjerat.

Derisa “Inkop” dhe kompanitë simotra me pronarë të rinj/të vjetër vazhdojnë punën pa u penguar, Radoiçiq kërkohet nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, ndërsa Kosova dhe Serbia bëjnë hetime të ndara të sulmit në Banjskë.

Radoiçiq supozohet se gjendet në Serbi dhe bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Beogradit zyrtar që t’i ndjekë penalisht të gjithë përgjegjësit për Banjskën.

Makineritë në lindje të Serbisë

Raporti financiar nuk zbulon detaje se me kë ka bërë biznes kompania “Inkop” në vitin 2023, e as Ministria e Ndërtimit nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë se në cilat projekte shtetërore është e angazhuar kjo kompani aktualisht.

Mirëpo, një punë e “Inkop”-it, e cila paguhet me paratë e shtetit, mund të shihet në ueb-faqen e kompanisë simotër, “Novi Pazar-put”.

Makineritë e tyre po ndërtojnë rrugën Pozharevac-Gollubac në lindje të Serbisë, e quajtur “Korridori i Danubit”.

Në atë rrugë, “Inkop” është nënkontraktor i kompanisë kineze të ndërtimit “Shandong”.

Në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kinës, “Shandong” fitoi punën për ndërtimin e kësaj rruge me kontratë direkte, pa tender.

Kompania i zgjedh vetë nënkontraktorët, ndërsa për angazhimin e tyre duhet pëlqimi i shtetit.

REL-i raportoi edhe më herët se “Inkop”, që nga shkurti i vitit 2022, ka pëlqimin e Ministrisë së Ndërtimit për të punuar në pjesën nga Pozharevci deri në Gollubac.

Sipas njoftimeve të fundit nga zyrtarët, ajo rrugë pritet të përfundojë në fund të vitit 2025.

Kompania kineze “Shandong” nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse kompanitë nga lista e zezë amerikane, “Inkop” dhe “Novi Pazar-put”, kanë qenë kandidate për partnere biznesi.

Kilometra rrugë nga Priboji, përmes Sjenicës, deri në Manastirin e Zhiçës

Kompania simotër e “Inkop”-it, “Novi Pazar-put”, fitoi rreth 5.7 milionë euro në vitin 2023, thuhet në raportin financiar.

Fitimi është pak më i ulët se në vitin 2022, kur kompania regjistroi një fitim prej rreth 6.5 milionë eurosh.

Pjesë e raportit financiar që tregon të ardhurat e kompanisë “Novi Pazar-put” në vitin 2023. Raporti tregon një fitim prej rreth 667 milionë dinarësh ose rreth 5.7 milionë euro.
Pjesë e raportit financiar që tregon të ardhurat e kompanisë “Novi Pazar-put” në vitin 2023. Raporti tregon një fitim prej rreth 667 milionë dinarësh ose rreth 5.7 milionë euro.

Rrugët lokale në Priboj, Tutin, Prijepole, Kralevë, Sjenicë, Novi Pazar dhe rreth manastirit mesjetar Zhiça janë “projekte aktuale” – siç i përshkruan kompania në faqen e saj në internet.

Ndër projektet në zhvillim, siç i përshkruan kompania “Novi Pazar-put” në ueb-faqen e saj, janë rrugët lokale në Priboj, Tutin, Prijepole dhe komuna të tjera.
Ndër projektet në zhvillim, siç i përshkruan kompania “Novi Pazar-put” në ueb-faqen e saj, janë rrugët lokale në Priboj, Tutin, Prijepole dhe komuna të tjera.

Punimet paguhen me paratë e shtetit.

Investuese është ndërmarrja publike “Putevi Srbije”, por, nga informacionet në ueb-faqen e kompanisë “Novi Pazar-put”, nuk dihet se në çfarë faze janë aktualisht punimet dhe sa do të kushtojnë ato.

Në vitin 2023, “Novi Pazar-put”, siç thotë vetë, kishte mbi dhjetë projekte të përfunduara në rrugët lokale në disa komuna.

Edhe ato i financoi ndërmarrja “Putevi Srbije”.

Ndër projektet e përfunduara, siç i përshkruan kompania “Novi Pazar-put” në ueb-faqen e saj, janë rrugët në Sjenicë, Rashkë, Kralevë.
Ndër projektet e përfunduara, siç i përshkruan kompania “Novi Pazar-put” në ueb-faqen e saj, janë rrugët në Sjenicë, Rashkë, Kralevë.

Kjo kompani publike i tha Radios Evropa e Lirë se “Novi Pazar-put” është i angazhuar në mirëmbajtjen e rregullt të rrugëve shtetërore, si dhe në “punë rehabilitimi dhe emergjente”.

Por, ajo nuk iu përgjigj pyetjes se si “Novi Pazar-put”, si kompani e sanksionuar nga SHBA-ja, është zgjedhur për bashkëpunëtore.

Rrjeti i rrugëve shtetërore që mirëmban kjo kompani – në zonën e Novi Pazarit, Kralevës, Rashkës, Sjenicës dhe Tutinit – është i gjatë 800 kilometra.

Në fund të shkurtit, “Novi Pazar-put” u mburr me “asfaltimin rekord”, duke thënë se, për shkak të kushteve të favorshme atmosferike gjatë dimrit, i ka shtuar edhe aktivitetet në kantieret lokale.

Për “asfaltimin rekord” shkroi kompania në shkurt.
Për “asfaltimin rekord” shkroi kompania në shkurt.

Për oriz dhe kripë, 650 mijë euro

Bashkëpunimi i kompanisë “Novi Pazar-put” me “Putevi Srbije” shihet edhe në dokumentacionin financiar vjetor për vitin 2023.

“Putevi Srbije” pagoi një paradhënie prej rreth 650 mijë eurosh.

Ekstrakt nga dokumentacioni financiar i kompanisë “Novi Pazar-put”, nga ueb-faqja e Agjencisë për Regjistrat e Biznesit e Serbisë.
Ekstrakt nga dokumentacioni financiar i kompanisë “Novi Pazar-put”, nga ueb-faqja e Agjencisë për Regjistrat e Biznesit e Serbisë.

Kjo kompani i tha REL-it se paradhënia është ndarë për “blerjen e kripës dhe orizit” për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.

Dhe, në fund të nëntorit të vitit 2023, kompania “Novi Pazar-put” njoftoi se ura e rikonstruktuar në Adrane, afër Kralevës, është vënë në qarkullim “para afatit”.

Për këtë punë, me vlerë rreth një milion euro, ajo u dakordua me “Putevi Srbije”, më 27 shtator, 2023 – tri ditë pas sulmit të armatosur në Banjskë, kur Radoiçiq ishte ende bashkëpronar i kompanisë.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se përse “Novi Pazar-put” mori punë dhe nëse vendimi ishte rishikuar pas sulmit në Banjskë, kompania “Putevi Srbije” tha se Ligji për Prokurim Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënien e kontratës” në atë rast.

Ajo, po ashtu, tha se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimin publik”.

Sipas “Putevi Srbije”, kompania “Novi Pazar-put” ndërtoi edhe një unazë rreth Novi Pazarit, në vitin 2023, me vlerë prej rreth 2.25 milionë eurosh.

Në të njëjtin vit, ajo përfundoi edhe një punë tjetër që ia kishte besuar shteti: rehabilitimin e rrugës nga Rashka në Novi Pazar, me vlerë rreth 14 milionë euro.

Paradhënia prej milionash nga një kompani kineze

Në vitin 2023, “Novi Pazar-put” vazhdoi bashkëpunimin edhe në projekte të tjera të mëdha shtetërore, siç ishte ndërtimi i autostradave me shpejtësi të madhe.

Raporti financiar tregon vazhdimin e bashkëpunimit të kompanisë “Novi Pazar-put” me degën e kompanisë kineze “Shandong”.

“Shandong” i pagoi kompanisë “Novi Pazar-put” një paradhënie prej rreth 1.7 milionë eurosh në vitin 2023. Nuk dihet se për cilat punë bëhej fjalë.

Siç raportoi më herët Shërbimi i Ballkanit i REL-it, “Novi Pazar-put”, nga viti 2022, është nënkontraktor në rrugën me shpejtësi të madhe nga Valeva në Llajkovac, e cila po ndërtohet nga “Shandong”.

Afatet për përfundimin e punimeve në këtë trase u shtynë disa herë dhe, sipas njoftimeve të fundit nga qeveritarët, rruga duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Makineritë e kompanisë “Novi Pazar-put”, siç njoftohet në ueb-faqen e saj, po ndërtojnë edhe një tjetër trase, ku kontraktore kryesore është dega e “Shandong”.

Në magjistralen Pozharevc – Gollubac, përmes “Inkop”-it, ajo u mor me punë kullimi.

Cili është qëndrimi i Serbisë ndaj “listave të zeza”?

Që nga vendosja e Radoiçiqit, vëllezërve Vesellinoviq dhe kompanive të tyre në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Beogradi zyrtar nuk i ka zbatuar ato sanksione, sepse nuk ka detyrime ndërkombëtare për një gjë të tillë.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe të llogarive të tyre në SHBA, nëse kanë, si dhe ndalimin e bizneseve dhe qytetarëve amerikanë që të bëjnë biznes me ta.

Nga dhjetori i vitit 2022, Radoiçiq dhe Vesellinoviqët janë edhe nën sanksionet e Britanisë së Madhe.

Cili është qëndrimi i Serbisë ndaj “listave të zeza”?

Që nga vendosja e Radoiçiqit, vëllezërve Vesellinoviq dhe kompanive të tyre në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Beogradi zyrtar nuk i ka zbatuar ato sanksione, sepse nuk ka detyrime ndërkombëtare për një gjë të tillë.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe të llogarive të tyre në SHBA, nëse kanë, si dhe ndalimin e bizneseve dhe qytetarëve amerikanë që të bëjnë biznes me ta.

Nga dhjetori i vitit 2022, Radoiçiq dhe Vesellinoviqët janë edhe nën sanksionet e Britanisë së Madhe.

Shtyllat e betonit me vlerë prej milionash

Kompania “Betonjerka Aleksinac” e mbylli vitin 2023 me rreth 950 mijë euro të ardhura.

Ky fitim ishte për rreth 200 mijë euro më i mirë se në vitin 2022.

Pjesë e raportit financiar që tregon të ardhurat e kompanisë “Betonjerka” në vitin 2023. Sipas raportit, kompania kishte një fitim neto prej rreth 111 milionë dinarësh, ose rreth 950 mijë euro.
Pjesë e raportit financiar që tregon të ardhurat e kompanisë “Betonjerka” në vitin 2023. Sipas raportit, kompania kishte një fitim neto prej rreth 111 milionë dinarësh, ose rreth 950 mijë euro.

Një analizë e Radios Evropa e Lirë nxori në pah se “Betonjerka” ishte në grupin e kompanive që kontraktuan punë bashkërisht me kompaninë shtetërore – përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike – “Elektrodistribucija Srbije”.

Marrëveshja dyvjeçare për ndërtimin e shtyllave prej betonit për linjat e transmetimit – me vlerë rreth 2.5 milionë euro – u lidh në fillim të shtatorit të vitit 2023.

Nga dokumentacioni i tenderit rezulton se puna është ende në vazhdim e sipër.

Përmes një kontrolli të prokurimit publik, REL-i konstatoi se prokurimi i fundit në serinë e kontratave për këtë punë, është bërë në fund të prillit të këtij viti.

“Betonjerka Aleksinac” – një kompani dikur me borxhe nga jugu i Serbisë – u ble nga kompania “Inkop” në tetor të vitit 2019.

Me pronarët e rinj, gjatë viteve në vazhdim, “Betonjerka” lidhi kontrata të mëdha me elektrodistribucionin serb, ndërsa të hyrat e saj filluan të rriten, tregojnë raportet financiare dhe dokumentet nga portali i prokurimit publik.

Kompania energjetike nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për marrëveshjet e lidhura me kompaninë “Betonjerka”.

Kjo e fundit është, gjithashtu, nën sanksionet e SHBA-së nga dhjetori i vitit 2021.

Hoteli në Kopaonik në minus

Për dallim nga kompanitë e tjera të vëllezërve Vesellinoviq, të cilat shënuan fitime vitin e kaluar, kompania “Dolly Bell” operoi në minus.

Kjo kompani menaxhon hotelin luksoz “Grey” në Kopaonik të Serbisë, i cili ndan emrin me restorantin e sekuestruar të Radoiçiqit në Mitrovicën e Veriut.

Sipas raportit financiar për vitin 2023, kompania “Dolly Bell” operoi me një humbje prej rreth 1.47 milion eurosh.

Kështu, minusi i saj u dyfishua në krahasim me një vit më herët.

Pjesë e raportit financiar që tregon humbjen neto të kompanisë “Dolly Bell” në vitin 2023. Raporti tregon një humbje prej rreth 172 milionë dinarësh ose rreth 1.47 milion euro.
Pjesë e raportit financiar që tregon humbjen neto të kompanisë “Dolly Bell” në vitin 2023. Raporti tregon një humbje prej rreth 172 milionë dinarësh ose rreth 1.47 milion euro.

Akuza në Kosovë, punë në Serbi

Në publikun serb, prej vitesh, Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq prezantoheshin si partnerë biznesi me origjinë nga Kosova.

Deri në sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kur e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, më 29 shtator, ai gjithashtu njoftoi se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Edhe para kësaj, Radoiçiq ishte në arrati nga autoritetet e Kosovës, por për shkak të akuzave për korrupsion.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si një nga udhëheqësit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Prokuroria e Kosovës i lidh Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Olliver Ivanoviq.

Ata përmenden si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk u ngrit asnjë akuzë, pasi atëkohë ishin në arrati.

Ligji i Kosovës nuk e lejon ngritjen e aktakuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ato janë hetuar më parë.

Në dhjetor të vitit 2021, kur komentoi vendimin e SHBA-së për t’i vënë në listën e zezë Radoiçiqin dhe vëllezërit Vesellinoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka nëse ka “akuza serioze”.

Mirëpo, në muajt pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk mori vesh nëse akuzat janë hetuar.

As Qeveria dhe as Presidenca serbe nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë.

Pasi Interpoli, me kërkesë të Kosovës, lëshoi një fletarrestim për Radoiçiqin, për shkak të Banjskës, udhëheqësit e Serbisë thanë se ekstradimi i tij është “i pamundur” dhe se të gjitha procedurat gjyqësore do të zhvillohen “para gjykatave vendase”.

Ndonjë aktakuzë, megjithatë, nuk ka ende.

Për shkak të pjesëmarrjes në sulmin në Banjskë, prona e Radoiçiqit në Kosovë u sekuestrua nga institucionet e Kosovës në fillim të prillit.

Ndër pasuritë e sekuestruara janë një banesë dhe një restorant në Mitrovicën e Veriut dhe një vilë në Liqenin e Ujmanit.

As në Kosovë nuk ka ende aktakuzë kundër Radoiçiqit, ndonëse u paralajmërua se ajo do të ngrihej deri në fund të marsit të këtij viti.
\REL\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit