-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Idiotët e dobishëm të Izraelit

Më të lexuarat

Cila është më e keqja: gënjeshtrat e Izraelit mbi Gazën apo mbështetësit e saj perëndimorë që i përsërisin?

Nga Mehdi Hasan*, The Guardian

“Italianët kanë një fjalë të urtë: Ai që më mashtron një herë, është faji i tij; por nëse më mashtron për herë të dytë, atëherë është faji im”- shkroi oborrtari britanik i shekullit XVII, Entoni Uelldon. Sot, ne zakonisht e përmbledhim në këtë formë këtë proverb të vjetër: “Më mashtro një herë, turpi jot; më mashtro për herë të dytë, turp për mua!”.

Që nga sulmi i tmerrshëm i 7 tetorit, qeveria izraelite e ekstremit të djathtë dhe ushtria e saj e propagandistëve, kanë mashtruar politikanët dhe gazetarët perëndimorë jo një herë, as dy por disa herë. Ka aq shumë gënjeshtra dhe shtrembërime të fakteve, sa që është e vështirë të përmenden të gjitha.

Dyzet foshnjave u pritet koka nga Hamasi? S’ka ndodhur asnjëherë. Foshnja të pjekura në furra apo të varura në tela rrobash? Sërish gënjeshtër. Një strofull si e filmit Xhejms Bond nën spitalin Al-Shifa? Nuk ekziston. Palestinezë në Gaza të kapur në kamera duke inskenuar plagët e tyre? Kryekëput trillim.

Lista e pengmarrësve të Hamasit gjendet në një mur në spitalin e fëmijëve Al-Rantisi? Jo, nderur në mur ishin vetëm ditët e javës në një kalendar në gjuhën arabe. Po në lidhje me mizoritë për të cilat janë akuzuar me fakte forcat izraelite, të cilat më pas u mohuan me zë të lartë dhe më pas…u gjetën se ishin përgjegjës?

Masakra e Miellit në shkurt? Bombardimi i kolonës së refugjatëve tetorin e vitit të kaluar? Sulmi me bomba me fosfor në Libanin Jugor? Siç u shpreh miku im, analisti palestinezo-amerikan Omar Baddar, në një postim që është bërë tashmë viral në Twitter:

Gjithçka rrjedh sipas kësaj renditjeje:

  • Izraeli kryen një masakër…
  • Izraeli e mohon masakrën…
  • Mediat thonë se nuk e dimë se kush e ka kryer masakrën…
  • Hetimi zbulon se Izraeli ka kryer në fakt një masakër…
  • Cikli i lajmeve vazhdon më tej, duke e anashkaluar këtë ngjarje…
  • Njerëzit e zakonshëm nuk e dinë që Izraeli kryen sistematikisht masakra…

E megjithatë, izraelitët vazhdojnë të thonë gënjeshtra, dhe elitat tona politike dhe mediatike në Perëndim vazhdojnë të mashtrohen. Turp për ta. Por ndoshta asnjë gënjeshtër e izraelitëve nuk ka qenë më e dëmshme, më shkatërruese dhe më vdekjeprurëse sesa pretendimi që UNRWA – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Mesme, organizata kryesore përgjegjëse për ofrimin e ndihmës në Gaza – ka bashkëpunuar me Hamasin.

Madje edhe më keq: pretendohet se 12 punonjës të UNRWA-s, morën pjesë në sulmin terrorist të 7 tetorit. Pse? Sepse ishte një gënjeshtër kaq e rëndësishme, saqë ndihmoi në krijimin e bazës për nxitjen e një urie me përmasa çnjerëzore shkaktuar nga Izraeli brenda Rripit të Gazës.

Në fund të janarit, pas një fushate të pamëshirshme anti-UNRWA nga Izraeli dhe përfaqësuesit e tij në Perëndim, e cila kulmoi me akuzën e paprovuar se punonjësit e saj ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit, 16 vende donatore, përfshirë sponsorin kryesor financiar të UNRWA-s, Shtetet e Bashkuara, pezulluan rreth 450 milion dollarë financime për agjencinë.

Këto vende u paralajmëruan se ky akt ndaj organizatës më të madhe të ndihmës në Gaza, do të rrezikonte një uri masive. Ata u paralajmëruan se dosja aq shumë e lavdëruar e shërbimit sekret të Izraelit mbi UNRWA-n, përmbante vetëm “akuza të dobëta e të paprovuara”. Por ata i besuan Izraelit.

Gjatë tre muajve të fundit, ndërsa shumë fëmijë palestinezë kanë vdekur nga uria, shumica e vendeve e rifilluan me vonesë financimin për UNRWA-n, përfshirë qeverinë gjermane, e cila është burimi i dytë më i madh i fondeve për agjencinë.

Pse? Javën e kaluar, një raport i pavarur mbi punën e UNRWA-s, i përpiluar nën drejtimin e ish-ministres së Jashtme të Francës, Katerin Kolona, arriti në përfundimin se agjencia “mbetet thelbësore në ofrimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve thelbësore sociale” dhe “si e tillë, UNRWA është e pazëvendësueshme dhe e domosdoshme për zhvillimin human dhe ekonomik të palestinezëve”.

Më e rëndësishmja, duke iu referuar pretendimit të bujshëm të qeverisë izraelite se punonjësit e UNRWA-s ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit, raporti i Kolonas thotë se “Izraeli nuk ka ofruar ende prova mbështetëse” për këto pretendime.

Po ashtu, vuri në dukje se si UNRWA ndan si çdo vit me Izraelin por edhe Shtetet e Bashkuara listën e plotë të stafit të saj. “Qeveria izraelite nuk e ka informuar UNRWA-n për ndonjë shqetësim në lidhje me ndonjë pjesëtar të stafit të saj që nga viti 2011”- theksohet në dokument.

Pra e gjitha ishte një gënjeshtër. Sërish nga Izraeli. Edhe nëse do të jetë e vërtetë pjesëmarrja e 12 personave nga 13.000 gjithsej që ka UNRWA në Gaza, kjo përbën rreth 0.1 për qind e totalit. Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara, kanë refuzuar të rifillojnë mbështetjen e tyre për UNRWA-n.

Kongresi miratoi një ligj që ndalon financimin e agjencisë, deri të paktën në mars të vitit 2025.

Më gënje një herë… apo në fakt dhjetëra herë? Dhe rikujtojmë politikanët dhe ekspertët mendjemëdhenj që u rreshtuan për t’i bërë jehonë dhe mbështetur narrativën e rreme të Izraelit mbi UNRWA-n.

Për shembull senatori republikan Ted Kruz, postoi në Twitter rreth UNRWA-s gjashtë herë midis janarit dhe marsit, duke pretenduar se agjencia “mbështet terrorizmin”, është “e komprometuar nga Hamasi” dhe se ka pasur “të paktën 12 punonjës … të përfshirë në sulmin terrorist të 7 tetorit”.

David Frum, ish-shkrimtar i fjalimeve të Xhorxh W.Bush, tha se ishte “koha për të shfuqizuar UNRWA”, dhe e akuzoi atë për “dhënien e mbështetjes materiale për një organizatë terroriste”. UNRWA, shkroi kolumnisti neo-konservator Bret Stefëns në New York Times, “duket se është i infektuar me terroristë dhe simpatizantët e tyre”, ndaj “nuk duhet përkrahur”.

Ata gabuan që të gjithë. Të gjithë përhapën gënjeshtra dhe bënë propagandë për Izraelin. Mjerisht nuk kanë qenë vetëm republikanët dhe të djathtët. Ka pasur edhe një numër demokratësh të Kongresit, që përsëritën verbërisht pretendimet e pabaza të qeverisë Netanyahu për UNRWA-n.

Për shembull, kongresmeni demokrat Xhosh Gothaimer, ashtu si Ted Kruz, shkroi një

duzinë postimesh në Twitter duke sulmuar UNRWA-n midis muajve janar dhe mars, duke deklaruar: “Provat janë të qarta: punonjësit e UNRWA e mbështetën Hamasin më 7 tetor”. Kongresmeni demokrat Bred Sherman, tha se e përshëndeste vendimin e administratës Biden për të pezulluar fondet për UNRWA-n, dhe pretendoi se stafi i agjencisë ishte “ekspozuar si terroristë”. Kongresmeni Riçi Torres shkroi në Twitter se UNRWA kishte “qeverisur Gazën me urdhër të Hamasit”.

Dhe që nga publikimi i raportit të pavarur javën e kaluar, asnjë nga këta figura të njohura të Partisë Demokratike në SHBA, nuk i ka tërhequr këto pretendime të rreme në llogaritë e tyre në Twitter. Madje ata as që i kanë përmendur rezultatet e raporti të fundit.

Megjithatë, më e keqja nga të gjitha ishte deklarata e bërë nga Blinken, Sekretari i Shtetit më 29 janar, kur ai e pranoi se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë aftësinë për t’i verifikuar vetë këto akuza”. Megjithatë, vazhdoi t’i quajë këto akuza të paverifikuara të izraelitëve si “shumë të besueshme”.

Por vetëm disa javë më vonë, vetë Këshilli Kombëtar i Inteligjencës i SHBA-së, tha se kishte “pak besim” se punonjësit e UNRWA-s kishin marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit. Megjithatë Blinken nuk ka kërkuar ende falje, apo edhe të tërheqë pretendimin e tij të rremë.

Në këto kushte unë pyes veten: Çfarë është më e keqe? Gënjeshtrat e qeverisë izraelite, apo njerëzit në Perëndim që vazhdojnë t’i besojnë dhe t’i përforcojnë ato? Akuzat e pabaza të qeverisë izraelite kundër UNRWA-s, apo qeveritë perëndimore që më pas i përqafuan ato si fakte dhe i ndërprenë menjëherë fondet për agjencinë më të madhe të ndihmës në Gaza? Izraeli po e vdes urie popullin e Gazës. Turp për budallenjtë që i kanë ndihmuar t’i justifikojnë akte të tilla.

*Mehdi Hasan është kryeredaktor i portalit Zeteo, dhe një kolumnist i Guardian me banim në SHBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit