2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Siguria në Kosovë mes trazirave globale

Më të lexuarat

Në një realitet të mbushur me sfida të forta dhe të shumëfishta të sigurisë, udhëheqja e Kosovës do të bënte mirë që t’i mirëmbante partneritetet dhe t’i forconte lidhjet me rëndësi strategjike, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s, thotë eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.

“Siç u pa në rastin e Izraelit, partneritetet dhe koalicionet janë jetike për mbrojtjen e vendit”, thotë studiuesi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, me bazë në Uashington.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Shtuni i referohet kështu përgjigjes që i dha Izraeli bashkë me aleatët e tij sulmit të Iranit me raketa dhe dronë, natën mes 13 dhe 14 prillit.

Shtuni thotë se ky konfrontimi “i paprecedentë” e bëri situatën në Lindje të Mesme edhe “më të paparashikueshme” dhe nuk e përjashton mundësinë që ajo, në një mënyrë ose tjetër, të ketë implikime edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Rajoni është duke kaluar një situatë të trazuar. Ka polarizim politik shoqëror. Ka pasur edhe sulme të drejtpërdrejta, që kanë përfshirë armatime të nivelit ushtarak”, thotë Shtuni, duke përmendur rastin e Banjskës.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, shtatorin e kaluar, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Kosova fajësoi aparatin shtetëror të Serbisë për këtë sulm. Edhe SHBA-ja tha se po i heton lidhjet e shtetit serb me të.

Derisa Serbia u distancua, përgjegjësinë e mori ish-politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili është ende i lirë dhe ka dyshime se gjendet në Serbi.

“Për sa kohë që autoritetet serbe – të cilat i kanë në territorin e tyre të gjithë eksponentët që morën pjesë në atë sulm – nuk veprojnë, jo vetëm për t’i arrestuar dorasit, por edhe për t’i vënë para përgjegjësisë planifikuesit dhe financuesit e sulmit, ekziston rreziku që personat e njëjtë t’i kryejnë aktet e njëjta”, thotë Shtuni.

Për më tepër, shton ai, “mund të ketë edhe individë, që nuk kanë qenë të përfshirë në sulmin e Banjskës, e që, nëse nuk ndodh ndëshkimi apo vënia para përgjegjësisë, mund ta marrin mesazhin se ‘është në rregull ta bësh të njëjtën gjë’”.

Shtuni thotë se “ka vend për shtim të vigjilencës nga bashkësia ndërkombëtare”, por edhe “për mirëmbajtje dhe forcim të partneritetit dhe aleancave të rëndësishme” të Kosovës, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej kohësh, përsërit se Serbia paraqet kërcënim për sigurinë e Kosovës. Një sondazh i publikuar këtë javë nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në SHBA, nxori në pah se për gjysmën e qytetarëve të Ballkanit, “rreziku më i madh është Serbia”.

Por, mes Kurtit dhe aleatëve ndërkombëtarë kishte disa mospajtime së voni – sidomos për çështjen e përdorimit të dinarit në Kosovë – të cilat çuan në disa paralajmërime se Kurti po vë në rrezik marrëdhëmiet me aleatët, edhe pse ai këmbënguli në të kundërtën.

Pas sulmit të Iranit në Izrael, Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës në takim, ku, siç tha, u diskutuan edhe implikimet e mundshme të zhvillimeve në Lindjen e Mesme në paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

Zyra e Kurtit tha se dronët që i përdori Irani kundër Izraelit, i posedon edhe Serbia, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë mohoi se ka dronë Shahed në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Por, për rrezikun e një konflikti të gjerë rajonal, me implikime ndoshta edhe globale, tërheq vërejtjen edhe Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme.

“Po arrijmë në një pikë, ku po hiqen dorezat”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Është një konflikt mes shtetesh – Iranit dhe Izraelit – dhe kjo nënkupton një epokë të re”, shton Vatanka.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë të larta prej vitesh dhe të përshkuara shpesh me një luftë në hije – qoftë nëpërmjet ajrit, detit, tokës apo sulmeve kibernetike.

Ato u përshkallëzuan pas shpërthimit të luftës në Gazë, tetorin e kaluar. Izraeli nisi një fushatë të ashpër bombardimesh atje, pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, i cili kontrollon Gazën – sulmoi i pari Izraelin.

Grupet militante, si Hezbollahu dhe Huthi, të mbështetura nga Irani, sulmojnë vazhdimisht territorin izraelit, kurse Izraeli kryen atentate kundër figurave iraniane në rajon.

Vatanka thotë se një luftë e plotë konvencionale do të ishte shkatërruese për të dyja palët dhe shumë destabilizuese për botën.

Derisa Forca e Mbrojtjes e Izraelit renditet në mesin e ushtrive më të fuqishme në botë, Vatanka thotë se Irani ka “ka arsenalin më të madh në Lindjen e Mesme me dronë e raketa”.

“Ekzistojnë, po ashtu, mijëra e mijëra milici pro-iraniane në vende si: Siria, Libani dhe gjetiu në rajon. Pra, Irani nuk është me duar bosh”, thotë Vatanka.

Ndikimi i këtij konfrontimi në vendet e largëta, sipas tij, tash për tash mund të jetë më shumë ekonomik, apo nga bllokimi i anijeve në Detin e Kuq.

Prej muajsh, rebelët Huthi pengojnë transportin detar në Kanalin e Suezit, që është rruga më e shpejtë detare midis Azisë dhe Evropës dhe përmes së cilës kalon rreth 15 për qind e tregtisë detare globale.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në janar se kjo krizë ka pasur ndikim edhe në Kosovë, duke i rritur çmimet e disa produkteve.

Shtuni thotë se në një situatë të tillë, është me rëndësi që kapacitetet mbrojtëse brenda Kosovës, të shtohen.

“Shqetësimi vjen kur sheh që disa qarqe të caktuara brenda disa vendeve, kanë tendenca të përfitojnë nga situatat e tilla të sigurisë në botë, për të ndërmarrë veprime destabilizuese”, thotë Shtuni, duke marrë Serbinë si shembull.

Për sigurinë në Kosovë, krahas institucioneve vendore, kujdeset edhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

Javën e kaluar, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli, fajësoi Rusinë për nxitje të tensioneve ndëretnike në Ballkan dhe tha se Serbia dyshohet se është e përfshirë në këto operacione ndikimi.

Ai tha se ka autorizuar dërgimin e më shumë trupave të NATO-s në Kosovë, por edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Këtë javë, Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan miratoi një projektligj, që synon angazhim më të shtuar të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, duke folur në mbështetje të ndihmës për Ukrainën, tha se nëse Putin lejohet, ai “mund të shkojë edhe në Ballkan”.

Shtuni thekson edhe rëndësinë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, teksa thotë se “vëmendja dhe kapacitetet e vendeve kryesore që garantojnë sigurinë, vihet nën presion kur ka aq shumë vatra zjarri për t’u shuar nga një numër i limituar zjarrfikësish”.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit