1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024


I riu mes Gazës e Tiranës me vëlla të vrarë nga izraelitët

Më të lexuarat

Historia e Ahmedit me baba palestinez dhe nënë shqiptare

Ahmed Jaber, i lindur nga një baba palestinez dhe nënë korçare është i vetmi nga familja e tij që ka mbetur në Tiranë. Babai, nëna dhe vëllai janë strehuar në një dhomë të vogël në Gaza. Pas dy muajve të pamundur për t’u lidhur me ta, Ahmedi e nis intervistën e tij me lajmin e shumëpritur për të:

“Sot kam folur me mamin, shyqyr Zotit ia dëgjova zërin!”.

Njërin prej dy vëllezërve ia vranë në Gaza. Ai kishte këmbëngulur të dilte për t’i marrë ilaçin e domosdoshëm për shëndetin e të atit, por nuk mundi të kthehej më.

“Shkoi të blinte ilaçin e babait, tha ‘nuk do të lë shtrirë në krevat, do të ta sjell ilaçin patjetër’. Doli, humbën kontaktet me të pesë ditë, pastaj u morr vesh lajmi që ka ndërruar jetë. Ende nuk e kam marrë veten nga kjo bombë që kam marrë nga goditja, se unë me vëllain ishim shumë të lidhur.”

Agjërimin në këtë muaj Ramazani e ka nisur vetëm. Është hera e parë për Ahmedin që nuk është i rrethuar nga familja e tij.

“Unë dëshiroj të mblidhemi në Palestinë. Do jetë më i vështirë ky Ramazan, pasi do jetë hera e parë që unë të ulem në iftar vetëm, të agjëroj vetëm, të bëj ushqimin vetë, çdo gjë vetë, më mungon shumë familja, ta ha një darkë me ta, më ka marrë malli për gjellën e mamit. Mall, mall, dhimbje! Kam nevojë për një përqafim të mamit të më thotë ‘qetësohu, çdo gjë do jetë mirë!’. Apo do jetë më e mira që kjo të jetë një ëndërr e keqe, e të zgjohem e t’i gjej të gjithë që janë aty, secili nëpër dhoma, edhe të ngrihemi të hamë një mëngjes bashkë.”

Ahmedi ka lindur në Tiranë ku jetoi me familjen e tij deri në moshën 10-vjeçare. Më pas u shpërngulën në Gaza. Jeta e tyre ishte e ndarë midis Shqipërisë dhe Palestinës. Babai i Ahmedit, mësues fizike, kishte ngritur dhe një biznes të vogël në Tiranë. I martuar me një shqiptare, ai ia sugjeron edhe të birit që ta lidhë jetën me një vajzë nga Shqipëria. Por Ahmedi duket i zhgënjyer nga bashkëjetesa me shqiptarët dhe mikpritja e tyre.

 “Shqiptarët janë shumë të ftohtë, me interes. Sot ka interes të merr në telefon, ikën interesi, të fshin nga lista e telefonatave.”

Ahmedi tregon aktualisht familja e tij dhe shumë tjerë janë në kushtet e mbijetesën në Gaza.

 “I kishin futur 50 persona në një dhomë, 10 ditë, imagjino si do rrinë 10 persona në një dhomë të vogël për 10 ditë, pa gjumë. Nuk kanë ushqim, hanë vetëm një herë në ditë dhe nuk ngopen, vetëm sa të mbajnë stomakun.”

Lufta e ka detyruar të jetojë në Tiranë. Rri në pritje të lidhjeve të internetit në Gaza për të mësuar diçka për shëndetin e familjarëve të tij. Ai vazhdon të ëndërrojë për një tjetër realitet, atë të një jete normale.

“Që të mos kishte filluar kjo lufta, të ishim në paqe, të mblidheshim të gjithë si familje, pa probleme, secili në vendin e vetë, të mblidheshim në një shtëpi, bashkë si një familje, si gjithë njerëzit e kësaj bote, të mblidheshim bashkë, pa humbje.” /Shqiptarja.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit