Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk tha se krijimi dhe zgjerimi i vendbanimeve hebraike nga ana e Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar përbën “krim lufte”
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk deklaroi se krijimi dhe zgjerimi i vendbanimeve hebraike nga ana e Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar përbën “krim lufte”, transmeton Anadolu.
Ai bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me raportin e dorëzuar në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut lidhur me vendbanimet ilegale të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze.
Türk tha se sipas raportit që mbulon periudhën midis 1 nëntorit 2022 dhe 31 tetorit 2023, vendbanimet ekzistuese izraelite në Bregun Perëndimor u zgjeruan ndjeshëm dhe se rreth 24.300 shtëpi u ndërtuan në vendbanimet ekzistuese izraelite në Bregun Perëndimor në periudhën e njëjtë. Sipas tij, ky numër ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i vëzhgimeve në vitin 2017.
Ai tha se krijimi dhe zgjerimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor do të thotë që “Izraeli të lëvizë popullsinë e tij civile në tokat që pushton”. Türk theksoi se kjo përbën “krim lufte” sipas ligjit ndërkombëtar.
Komisioneri i lartë i OKB-së thotë se krijimi dhe zgjerimi i vendbanimeve të paligjshme ndodhi njëkohësisht me zhvendosjen e palestinezëve përmes dëbimeve me forcë, prishjes së shtëpive dhe kufizimeve të lëvizjes ndaj palestinezëve si dhe ekspozimit ndaj dhunës nga kolonët dhe Izraeli.
Duke nënvizuar se tashmë ka krizë në Bregun Perëndimor, Türk tha: “Dhuna e kolonëve dhe shkeljet e lidhura me vendbanimet kanë arritur nivele të reja tronditëse. Kjo situatë rrezikon të eliminojë mundësinë praktike të krijimit të një shteti palestinez të zbatueshëm në mënyrë të pavarur”.
Autoritetet izraelite më 6 mars miratuan planin për të ndërtuar 3.500 shtëpi të reja në Bregun Perëndimor. Dominimi i Izraelit në Kudsin Lindor, të cilin e pushtoi në vitin 1967 dhe vendbanimet hebraike që ndërtoi atje, konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.