3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

HRW akuzon Izraelin për bllokimin e ndihmës për palestinezët në Gazë

Më të lexuarat

Izraeli ka dështuar që të respektojë urdhrin e gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara për të ofruar ndihmë urgjente për popullsinë në Rripin e Gazës, tha organizata Human Rights Watch më 26 shkurt, një muaj pas vendimit të publikuar nga gjykata në Hagë, që urdhëroi të parandalojë vdekjen dhe shkatërrimin në enklavën palestineze.

Në përgjigjen e parë ndaj rastit të ngritur nga Afrika e Jugut që e akuzoi Izraelin për gjenocid, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që të bëjë gjithçka që të shmangë vdekjen, shkatërrimin dhe çdo veprim të gjenocidit në Gazë. Por, GJND-ja nuk urdhëroi dhënin fund të ofensivës ushtarake që ka nxitur një katastrofë humanitare në enklavën e vogël palestineze. Izraeli mohon akuzat ndaj tij, duke thënë se po lufton në vetëmbrojtje.

Një muaj më vonë dhe pothuajse pesë muaj luftë, përgatitjet po bëhen që Izraeli të zgjerojë operacionin e tij tokësor në Rafah, qytezën më jugore të Gazës që gjendet përgjatë kufirit me Egjiptin, ku 1.4 milion palestinezë janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës palestineze.

Më herët gjatë të hënës, Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria i ka prezantuar Kabinetit të Luftës planin e tij operacional për Rafahun, por edhe planet për evakuimin e civilëve nga zonat e luftimeve. Për këto plane nuk janë dhënë detaje të tjera.

Situata në Rafah, ku të zhvendosurit janë vendosur në tenda, ka nxitur shqetësim botëror dhe aleatët e Izraelit kanë paralajmëruar atë që duhet të mbrojë civilët në betejën e tij kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vendimin e muajit të kaluar, GJND-ja në gjashtë masa u përfshi edhe “ndërmarrjen e menjëhershme të masave për të ofruar shërbimet bazike dhe ndihmën humanitare për të adresuar kushteve të pafavorshme të jetës me të cilat po përballen palestinezët në Rripin e Gazës”.

Sipas vendimit, Izraeli duhet të dorëzojë një raport brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të përmirësuar kushtet.

Organizata Human Rights Watch tha se Izraeli nuk po respekton vendimin, në pjesën kur flet për ndihmën humanitare. Kjo organizatë tha se ka prej kur është marrë vendimi pasur rënie prej 30 për qind të numrit të kamionëve me ndihmë që hyjnë çdo ditë në Gazë. Po ashtu, organizata akuzoi Izraelin se nuk po lehtëson dërgesat me karburante për në veri të Gazës dhe fajësoi Izraelin se po bllokon që në këtë pjesë të arrijë ndihma.

“Qeveria izraelite thjesht ka injoruar vendimin e gjykatës dh në disa mënyra veçse ka intensifikuar shtypjen e tij, përfshirë edhe bllokimin e ndihmës shpëtimtare”, tha Omar Shakir drejtor për Izraelin dhe Palestinën në HRW.

Izraeli mohon se bllokon hyrjen e ndihmës dhe fajëson organizatat humanitare që operojnë brenda Gazës, duke thënë se qindra kamionë të mbushur me ndihmë qëndrojnë të parkuar në pjesën palestineze, në pikëkalimin kyç. Kombet e Bashkuara kanë thënë se jo gjithmonë mund të shkojnë te kamionët në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, pasi shpesh situata është e rrezikshme.

Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmeve në jug të Gazës. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 29.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit