3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

QUINT-i mbështet grupin e serbëve të kritikuar nga Bislimi

Më të lexuarat

Pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shprehu një sërë kritikash ndaj takimit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, me një grup të komunitetit serb nga shoqëria civile, mediat dhe zyra e Avokatit të Popullit – ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë thonë se ata “përfaqësues të serbëve të Kosovës janë partnerë të besueshëm”.

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.

Ky grup i serbëve, duke përfshirë zëvendësin e Avokatit të Popullit në Kosovë, Sërgjan Sentiq, Jovana Radosavljeviq dhe Miodrag Miliçeviq nga organizatat joqeveritare Iniciativa e Re Sociale dhe Aktiv, drejtorin e RTV-së lokale, Kim Isak Vorguçiq dhe Dragisha Mijaciqin nga grupi punues i Beogradit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, u takuan me Lajçakun më 13 shkurt në Bruksel.

“Gjithmonë ndihmon kur dëgjohen zëra nga terreni”, ka shkruar Lajçak në një postim në rrjetin social X pas atij takimi.

Kësaj, zëvendëskryeministri i Kosovës u përgjigj duke njoftuar se në takimin me Lajçakun ishte një “delegacion i përbërë kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova, të cilat në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në sektorin ekonomik dhe në jetën sociale të Kosovës”.

Këto takime të serbëve me diplomatët ndërkombëtarë ndodhën në kohën kur Kosova është nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të shtyrë vendimin për shfuqizimin e dinarit serb. Vendet perëndimore besojnë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili parasheh euron si valutë të vetme për transaksionet e parave të gatshme dhe pagesave, mund të ketë ndikim negativ në komunitetin serb.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi i BQK-së nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë t’i ndihmojë serbët në Kosovë, por ato duhet të paguhen në euro.

Në të njëjtën kohë, që nga fundi i janarit, janë mbyllur shtatë komuna paralele serbe që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme. Po ashtu, janë mbyllur edhe zyrat e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në qendër të Prishtinës me arsyetimin se aty janë ofruar “shërbime të paligjshme mjekësore”.

Me këtë rast, më 8 shkurt, sektori civil serb ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndalojë veprimet që pengojnë punën e institucioneve serbe në Kosovë dhe të gjendet një zgjidhje përmes formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, disa organizata joqeveritare nga komuniteti shqiptar reaguan ndaj kritikave të Bislimit me mesazhin se ato janë “të pabaza dhe të dëmshme”.

“Kërkojmë respekt të sinqertë dhe të pakushtëzuar të parimeve themelore demokratike të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga disa organizata joqeveritare dhe individë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar për deklaratat e Bislimit dhe ka vlerësuar se organizatat joqeveritare që kanë hasur në kritikat e tij, “punojnë pa u lodhur në integrimin brenda Kosovës”.

Po ashtu, organizata joqeveritare Aktiv bëri të ditur se kritikat e zëvendëskryeministrit të Kosovës janë “sulm ndaj shoqërisë së lirë për të cilën ne qëndrojmë”.

Iniciativa e Re Sociale sqaroi gjithashtu se Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian përbëhet edhe nga një rrjet i organizatave të shoqërisë civile që është i pavarur në punën e tij, dhe nuk përfaqëson pikëpamjet e asnjë organi shtetëror, organizate bilaterale apo ndërkombëtare.

“Ne nuk e shohim dialogun si një rivalitet midis dy palëve armiqësore, por si një proces që duhet të mundësojë paqe të qëndrueshme, një jetë më të mirë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga përkatësia kombëtare apo etnike, si dhe prosperitet për të gjithë rajonin”, tha kjo nismë.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë më shumë se dhjetë vjet që zhvillojnë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por shpesh palët i interpretojnë ndryshe marrëveshjet e arritura dhe akuzojnë palën tjetër për shkeljen e tyre.

Vitin e kaluar Kosova dhe Serbia e kanë pranuar marrëveshjen e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin për zbatimin e saj. Megjithëse nuk është nënshkruar, BE-ja ka thënë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit