1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Gazetari palestinez që ka humbur këmbën raporton për masakrat e Izraelit në Gaza

Më të lexuarat

“Edhe pse jam me aftësi të kufizuara, jam krenar për veten që raportoj për vuajtjet në Gaza dhe do të vazhdoj të qëndroj këmbëngulës”, thotë Suleyman

Gazetari palestinez, Hazim Suleyman ka dokumentuar prej muajsh masakrat e kryera nga ushtria izraelite në rrugët e Gazës me biçikletën e tij, të cilën e pedalon me një këmbë.

33-vjeçari Suleyman, i cili humbi njërën nga këmbët e tij me një plumb të shkrepur nga arma e një ushtari izraelit gjatë “Marshimeve të mëdha të kthimit” të mbajtura në mars të vitit 2018 për të thyer bllokadën izraelite në Rripin e Gazës, vazhdon të punojë si gazetar pavarësisht vështirësitë që përjetoi.

Sipas të dhënave të organizatave të të drejtave të njeriut, më shumë se 200 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtria izraelite gjatë “Marshimeve të Mëdha të Kthimit”, të cilat zgjatën afërsisht 21 muaj.

Suleyman, i cili u plagos në këmbë nga plumbi i një ushtari izraelit gjatë marshimeve, humbi këmbën pas 3 vitesh trajtim dhe operacion. Ai vendosi të dokumentojë krimet e Izraelit kundër palestinezëve pas incidentit që përjetoi, përmes fotove dhe videove që ka bërë dhe llogaritë e tij në rrjetet sociale duke njoftuar botën për sulmet dhe masakrat e kryera nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.

Gazetari palestinez fotografon ngjarjet në rrugët e Gazës me biçikletën e tij, të cilën e pedalon me njërën këmbë dhe me celularin e tij fotografon ngjarjet dhe interviston njerëzit që u nënshtrohen sulmeve izraelite.

Në një prononcim për Anadolu, Suleyman tha se synon të jetë gazetar që njofton publikun botëror për dhimbjen që Izraeli u shkakton banorëve të Gazës. Ai u fokusua në situatën e fëmijëve të prekur nga sulmet izraelite si dhe në shkatërrimin dhe dhimbjen në Gaza. Suleyman tha se u përpoq të ndjekë jetën e përditshme të njerëzve që shpëtuan nga bombardimet dhe u strehuan në kampet e refugjatëve dhe zhvillimet në qytetin Rafah.

– “Jam krenar që kam raportuar për vuajtjet në Gaza, pavarësisht nga paaftësia ime”

Gazetari palestinez tregon sulmin në të cilin humbi këmbën.

“Fotografimi ishte ëndrra ime e fëmijërisë. Sulmi në të cilin humba njërën nga këmbët e mia më shtyri të dokumentoja krimet e Izraelit kundër popullit palestinez. Përveç sulmeve të Izraelit në Gaza dhe krimeve të tij kundër popullit tonë, unë regjistroj edhe aspektet e bukura të jetës në Gaza dhe i publikoj në llogaritë e mia në rrjetet sociale”, tha ai.

Duke shpjeguar se vazhdimisht lëviz me biçikletë në rrugët e qytetit Refah, Suleyman tha se punon si gazetar i pavarur dhe videot që bën i dërgon në shumë kanale televizive.

Ai thotë se është nder të praktikosh gazetarinë në Gaza. “Edhe pse jam me aftësi të kufizuara, jam krenar për veten që raportoj për vuajtjet në Gaza dhe do të vazhdoj të qëndroj këmbëngulës”, u shpreh Suleyman.

Gazetari palestinez tha se nuk do të heq dorë nga puna e tij edhe nëse kjo do t’i kushtonte me jetë. “Me miqtë e mi gazetarë unë do të vazhdoj t’i tregoj të gjithë botës për vuajtjet në Gaza”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit