Prishtinë, më 9 dhjetor 2023
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës së bashku me Institutin për Studime dhe Hulumtime Islame po mbajnë Konferencë Shkencore kushtuar xhamive shqiptare. Në këtë Konferencë u theksua roli i xhamive, ku përveç rolit në aspektin fetar, të adhurimit dhe kryerjes së ritualeve, xhamia, u tha se kishte edhe karakter atdhetar dhe social, duke shërbyer si shkollë e kuvend.Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës së bashku me Institutin për Studime dhe Hulumtime Islame po mbajnë Konferencë Shkencore kushtuar xhamive shqiptare, të cilat mbi supet e tyre bartnin misionin, historinë dhe identitetin e popullit tonë. Në këtë Konferencë u theksua roli i xhamive, ku përveç rolit në aspektin fetar të adhurimit dhe kryerjes së ritualeve, xhamia, u tha se kishte edhe karakter atdhetar dhe social, duke shërbyer si shkollë e kuvend.Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, tha se xhamitë shqiptare përgjatë shekujve kanë qenë qendra aktive të edukimit dhe ligjërimit intelektual.“Përgjatë këtyre shekujve të hapërimit tonë me Islamin si fe, në trojet tona u ndërtuan shumë xhami të bukura e me vlera historike, duke krijuar kështu një peizazh magjepsës fetar, sepse xhamitë, që në fillim të ndërtimit të tyre, e tejkaluan rolin e tyre duke mos u kufizuar vetëm si vende adhurimi, përkundrazi, misioni i xhamive kudo në tokat shqiptare shtrihet përtej madhështisë së tyre arkitekturore. Ato gjatë historisë, ishin vërtet qendra aktive të edukimit dhe ligjërimit intelektual. Brenda këtyre hapësirave të shenjta, dijetarët dhe mendimtarët nxitën një kulturë të të mësuarit që i kapërceu kufijtë fetarë”.Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën hapëse të kësaj Konference, theksoi rolin që kishin xhamitë ndër vite në çështjet kombëtare.“Ndërsa është e tepërt këtu të theksohet edhe roli i xhamisë te ne si vend i rëndësishëm social dhe edukativ. Vetë mënyra e hyrjes në xhami dhe kryerja e adhurimeve në të është edukatë dhe kulturë në vetvete, kurse qëndrimi në të është kalitje, përsosje dhe edukim shpirtëror. Xhamia pra ka qenë dhe është vendi që bashkon të gjitha kategoritë e shoqërisë, një institucion, i cili ka ruajtur vlerat gjuhësore e kulturore të besimtarëve tanë”.
“Në ambientet e këtyre shtëpive të Zotit, zunë fill dhe u zhvilluan edhe shumë ngjarje me rëndësi jetike për popullin dhe vendin tonë, duke u vënë kështu në shërbim të çështjes kombëtare. Xhamitë tona u shndërruan në shkolla e kuvende burrash, nga aty dolën dhe i prinë popullit ulema e atdhetarë tanë të spikatur, që u vunë në ballë të proceseve të rëndësishme historike, politike e kombëtare, ku vlen të përmendet se në xhaminë “Bajrakli” të Prizrenit u mbajt edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e deri te lufta e fundit, ku xhamitë tona u shndërruan në qendra të rezistencës e të mbijetesës sonë”.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahi, tha se kjo Konferencë është unike për shkak të qasjes gjithëpërfshirëse ndaj xhamisë.
“Kjo konferencë shkencore po respekton shtyllën kryesore të Islamit që quhet xhami, për këtë jam i bindur se gjithë shqiptarët dhe në veçanti për shqiptarët në trojet e tyre për shkak se për herë të parë, institucionit shtyllë të shpjegimit të islamit i qasemi nga të gjitha aspektet. Aspektin fetar, etik, shoqëror, social, ekonomi, artistik, letrar dhe në veçanti i qasemi xhamisë si shtyllë e identitetit kombëtarë e që ishte shtyllë në momentet më të rëndësishme. Kjo ka qenë një fuqi e madhe për të kuptuar se shqiptarët nuk janë rastësisht bartës së islamit, shqiptarët prej kohës së ezelit janë të caktuar që të jenë bartës së islamit në Ballkan dhe Evropë”.
Konferenca filloi punimet të shtunën dhe përgjatë këtyre dy ditëve, mbi 70 studiues do të vënë në pah elemente të shquar mbi rolin dhe funksionimin e xhamive në trojet shqiptare.