Prishtinë, më 24 nëntor 2023Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Özkan Ulutaş.
Myftiu Tërnava fillimisht i uroi mirëseardhje në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, e më pas e uroi atë për marrjen e detyrës në misionin e KFOR-it, duke i dëshiruar kështu punë të suksesshme. Më pas ai e njohu mysafirin me historikun, veprimtarinë dhe punët e Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë në fushën e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike. Ai tha se Bashkësia Islame mbetet e përkushtuar që të vazhdojë kontributin e saj në këtë drejtim, gjithnjë në koordinim me miqtë tanë. Myftiu Tërnava edhe me këtë rast, shprehu falënderimet e tij për ndihmën dhe mbrojtjen që ka dhënë misioni i KFOR-it në Kosovë.
Nga ana e tij, gjenerali Özkan Ulutaş, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, e më pas shprehu urimet dhe përgëzimet e tij për rizgjedhjen e Myftiut në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës edhe për një mandat, duke i dëshiruar kështu punë të mbarë. Gjenerali vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ka institucioni i BIK-u për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke vlerësuar kështu harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim. Komandanti theksoi se misioni i KFOR-it eshte krijimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të jetojnë në paqe e harmoni, dhe bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it, Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe bashkësive të tjera fetare në vend do të vazhdojë edhe më tej në ndërtimin e paqes në Kosovë.