Drejtësi do të thotë t’i japësh hakun çdokujt, t’i japësh atë që meriton, aq sa e meriton. Drejtësi do të thotë gjithashtu të vesh në peshore mes dy të mirave apo dy të këqijave, për të vlerësuar se cila rëndon më shumë dhe cila rëndon më pak. Kjo është drejtësia.
Drejtësia nuk është paanësia absolute, sepse paanësia mund të jetë padrejtësi. Nëse dikush vret një njeri në mënyrë të padrejtë dhe tjetri që hakmerret duke vrarë dhjetëfishin e të afërmve të vrasësit për hakmarrje, kjo nuk mund të justifikohet nga një i paanshëm, se i pari e nisi vrasjen dhe qe shkaktar, kështu që ai është po aq fajtor sa i dyti në mos fajtor më i madh!
Nëse një popull pasi e ke pushtuar, e ke dëbuar, e ke izoluar, e ke grabitur, e ke burgosur, e ke vrarë, e ke diskriminuar, e ke masakruar, e ke provokuar në shenjtëritë e tij, e ke përdhosur dhe privuar nga toka e tij dhe jeta normale për dekada të tëra, nuk mund të pritet prej tij që si viktimë ai të dojë apo të kursejë xhelatin e tij, kur i jepet mundësia. Ndërkohë jo të gjithë viktimat vuajnë nga sindroma e Stokholmit. Skllevërit ndoshta po.
Kështu që nëse një ditë viktima e tejkalon cakun në hakmarrje, pa arritur kurrë në përmasën e krimit që ka vuajtur mbi shpinë, atëherë për hirë të të qenit të paanashëm, u dashka ta fajësojmë edhe atë njëlloj dhe barazojmë me kriminelin, për të ruajtur paanësinë, përndryshe qenkemi histerikë të njëanshëm?!
Nëse njëri bëhet kriminel i madh nga qefi dhe tjetri bëhet kriminel i vogël nga halli, sigurisht që të dy kriminelë janë. Por nëse është pikërisht i pari shkaktar që i dyti u bë kriminel, në emër të paanësisë u dashka që t’i barazojmë ata në nivelin dhe peshën e krimit që kryen secili në përmasa të ndryshme?!
Në fakt kriminelët e mëdhenj dhe zullumqarët e zhytur në padrejtësi, gjithmonë gjejnë pretekste dhe “fakte” përmes të cilave ata përligjin dhe justifikojnë krimet e tyre.
Këtë mendësi Zoti e ka qortuar në Kuran kur flet për Kurejshët, të cilët e bën shumë të madhe faktin se disa muslimanë kishin vrarë njërin prej tyre në muajin e ndaluar dhe lanë mënjanë faktin se çfarë u kishin bërë atyre. Ndërkohë besimtarët u zunë ngushtë dhe u ndjen keq për këtë ngjarje edhe pse gabimi i tyre kishte qenë i paqëllimshëm. Atëherë Allahu zbriti ajetin ku vendos drejtësinë dhe peshon gjerat me masën e tyre, duke thënë:
“Të pyesin ty për luftimin në Muajin e Ndaluar. Thuaju: “Luftimi gjatë tij është (shkelje) e rëndë, por të pengosh nga rruga e Allahut, të mohosh Atë, të pengosh nga Xhamia e Pacenueshme (Qabeja) dhe të dëbosh banorët e saj, janë shkelje edhe më të mëdha tek Allahu. Sprova (e idhujtarisë) është edhe më e rëndë se vrasja.” (2:217)
Por Krijuesi nuk u mjaftua me kaq, por menjëherë pas këtyre fjalëve tregon se përtej kësaj akuze qëndron synimi i idhujtarëve për t’i luftuar besimtarët në çdo moment, derisa t’ia arrijnë qëllimit, nëse munden: “Ata nuk do të reshtin së luftuari derisa t’ju zmbrapsin nga feja juaj, nëse munden.”
Kështu që e tillë është edhe lufta në Palestinë e në Gaza.
Dezinformimi, përmes mashtrimeve dhe ekzagjirimeve, janë pjesë e luftës psiqike ndaj kundërtarit dhe përpjekje për të bërë në anën tënde opinionin publik asnjanës, kjo është e ditur, por ndërkohë shteti sionist është mjeshtër i paskrupullt i manipulimit dhe gjithmonë kërkon të zërë diellin me shoshë. Kësaj herë atij i erdhi rasti i artë në dorë, shumë më tepër se në të shkuarën, për ta bërë qimen tra, në mënyrë që “makabriteti” me të cilin janë sjellur palestinezët ndaj tyre justifikon çdo hakmarrje disporpocionale tashmë kundrejt tyre.
Ndërkohë shteti izraelit dhe “bota e qytetëruar” hedh pas shpine faktin se ai është pushtuesi dhe palestinezët të pushtuar, dhe justifikimin e bën si të jetë ai i pushtuari!
E thënë përmbledhtazi slogani: “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten” përkthehet: “Pushtuesit i justifikohet çdo që për mbrojtjen e vetes, ndërsa viktimës së pushtuar JO”!
Ky është realiteti i pështirë i njëanshmërisë hipokrite me të fortin dhe jo me të drejtën.