Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve kosovare përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur zyrtarin tjetër policor, Alban Rashiti.
Lidhur me këtë sulm terrorist deri më tani numri i të arrestuarve nga Policia e Kosovës ka arritur në tetë, ku dy prej tyre u arrestuan sot (e martë).
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar një muaj paraburgim për dy të dyshuarit e tjerë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.
Të dyshuarit, të identifikuar me iniciale B.S dhe D.M akuzohen për veprat penale: Kryerja e veprave terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.