-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ekspertët: Shenja Wagner-i te terrori serb në Banjskë

Më të lexuarat

Ç’tregoi armatimi i sulmuesve ndaj Policisë së Kosovës në veri

Ekspertët e sigurisë konsiderojnë se grupi i personave të armatosur, i cili sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, nuk është një strukturë spontane, por një strukturë e organizuar dhe e përgatitur mirë.

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, vlerëson se “formacioni imiton grupin mercenar rus Wagner”, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se nuk mund të vepronin “pa dijeninë e autoriteteve serbe”. shkruan Radio Evropa e Lirë.

Profesor Islami thotë se grupi i armatosur që sulmoi policinë në Banjskë ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.

Sipas tij, grupi nuk ka funksionuar si i izoluar dhe i vetëorganizuar, por si formacion me uniforma, me armë specifike dhe që pretendonte se ishte i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.

“Uniforma të tilla të kujtojnë grupin mercenar rusë Wagner. Duket se ky grup i strukturuar ishte një imitim i grupit të Wagner-it”, thotë Islami, duke iu referuar mercenarëve rusë që morën pjesë në luftën në Ukrainë dhe në zona të tjera konflikti.

“Pushkë me tyta të gjata, armë përleshjeje, të gjitha këto janë armë që përdoren në vijën e frontit nga një distancë e afërt. Kjo tregon mjaft se ky grup terrorist, i lidhur me shtetin serb, ka kryer terrorizëm shtetëror në territorin e huaj”, thotë Islami.

Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se, sipas mënyrës se si është kryer sulmi në Banjskë, nuk mund të thuhet se formacioni ka kryer një akt spontan.

Sipas tij, grupi ka vepruar në mënyrë të drejtuar me plan për të destabilizuar pjesën veriore të Kosovës.

Një gjë e tillë, thotë ai, nuk nuk mund të ndodhte pa dijeninë e autoriteteve serbe.

“Nëse flasim për mënyrën e paraqitjes së tyre, është e qartë se këta persona janë të trajnuar, të përgatitur dhe se kanë marrë shumë mjete të shtrenjta për të vepruar. Mendoj se është e pamundur që autoritetet serbe të mos kenë informacion. Tani shtrohet pyetja nëse shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në atë strukturë apo janë përfshirë elementë radikalë në të? Kjo është e vështirë të konfirmohet. Por, meqë ka të arrestuar, atëherë do të dihet se kush i ka detyruar të organizohen”, është i bindur Vrajolli.

Në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit as sot në mëngjes nuk mund të hyhet e as të dilet. Gjithçka është bllokuar nga forca të forta policore dhe ende nuk dihet se kur do të ketë zhbllokim.

Të tria qasjet për në fshatin Banjskë, nga drejtimi i Zveçanit, Zubin Potok dhe nga rruga kryesore Mitrovicë Veriore – Leposaviq, janë të bllokuara.

Vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për qarkullim dhe pasagjerë nga drejtimi i Serbisë, ndërsa nga drejtimi i Leposaviqit në Rashkë është i mundur kalimi.

Kujtojmë se në sulmin e terroristëve serbë ndaj policisë së Kosovës që ndodhi dje në veri të Kosovës, mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Më pas, në një operacion ndëshkimor të Policisë së Kosovës, u vranë tre terroristë dhe dhjetë të tjerë u arrestuan. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit