Kur ishim të vegjël na paralajmëronin se çdo sjellje e jona pasqyron edukatën familjare dhe ne, nga frika se mos kritikohej familja pse nuk na ka edukuar, bënim kujdes të veçantë për sjelljen tonë.
Duke u rritur, filloi që kjo “përgjegjësi” të bie mbi mësuesit dhe ata që administronin arsimin.
A mund të jenë të gjithë këta, faktorët kryesorë të formimit tonë është temë diskutimi, por a do duhej të luanin rol pozitiv, është e pamohueshme. Dhe, a i dhanë njerëzit vetes të drejtë për t’i gjykuar për “mos edukimin” tonë, edhe kjo është evidente. Duhet thënë se njerëzit në gjykimet e tyre rëndom tregohen të pamëshirshëm.
Me fillimin e ndonjërit për të frekuentuar xhaminë, u paraqit edhe një institucion edukues: xhamia, Islami, hoxha… Këtu shtohet ndjeshmëria e paralelisht me këtë duhet të rritet ajo doza fillestare e kujdesit. Sepse tanimë, sjellja jote jashtë xhamisë bëhet tregues i ndikimit të fesë në edukatën tënde. Njerëzit natyrshëm e dinë se ai që shkon në xhami duhet të jetë skajshmërisht i sjellshëm. Dhe, nëse ti gabon, nuk tregohesh korrekt, i matur dhe i kujdesshëm, kush do të gjykohet?!
Pavarësisht me sa zell dhe përkushtim e ke marrë edukatën e Islamit, njerëzit sërish do të gjykojnë fenë (dhe xhaminë, namazin e hoxhën) për dështimet tua. Prirja e tyre për t’ia hedhur fajin kujtdo është e dëshmuar. Ndërsa realiteti dëfton se, në këtë rast pastaj, sa të pamëshirshëm bëhen. Andaj kujdes!
Hoxhë Ekrem Avdiu