8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Ibn Kajjimi i ndanë adhuruesit në 4 grupe në lidhje me mendimet që kanë ata në lidhje me adhurimin më të virtytshëm

Më të lexuarat

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë në një nga kryeveprat e tij (Medarixhus Salikin) i ndanë adhuruesit në 4 grupe në lidhje me mendimet që kanë ata në lidhje me adhurimin më të virtytshëm.

Grupi i parë janë ata që mendojnë se adhurimi më i virtytshëm është ai që i vjen më vështirë nefsit. Grupi i dytë janë ata që mendojnë se është të heqësh dorë nga kjo botë, të mjaftohesh me sa më pak, të mos i kushtosh rëndësi dynjasë dhe të mos shtosh asgjë nga kjo botë. Grupi i tretë janë ata që mendojnë se adhurimi më i virtytshëm është adhurimi që i shërben dhe i sjell dobi të tjerëve, çdo lloj adhurimi që bëhet për të mirën e njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër.

Grupi i katërt janë ata që mendojnë që duhet të punosh për të fituar kënaqësinë e Allahut në çdo kohë të caktuar, të kryesh çdo adhurim në kohën e saj, t’i kushtosh rëndësi çdo lloj adhurimi dhe çdo lloj vepreje të mirë në kohën e saj. Domethënë kur është koha e tij, në atë kohë ai adhurim është më i virtytshmi.

Kur është koha për namaz, të falësh namazin, kur është koha për agjërim, agjërimin, kur është koha për dhikër, dhikrin, kur është koha për tu interesuar me mysafirët, të kujdesësh për ta, kur është koha për t’i shërbyer të tjerëve, për t’i ndihmuar, për t’i mësuar Islamin etj, t’i shërbesh, t’i ndihmosh dhe t’i mësosh atyre, kur është koha për tu vetmuar, të vetmohesh, kur është koha për dua, të bësh dua etj. Ai përmend shumë më shumë gjëra dhe më pas bën një përshkrim tjetër shumë ama shumë të bukur për këtë grupin e katër që sipas tij këta janë ata që e adhurojnë Allahun në çdo kohë dhe në çdo formë:

“Të tillët janë njerëzit e adhurimit të pakufizuar, ndërsa llojet e përmendura më parë janë njerëzit e adhurimit të kufizuar. Kur njëri prej tyre largohet nga dega e adhurimit me të cilën është i lidhur, ai e sheh veten si të mangët dhe sikur e ka braktisur adhurimin e tij. Një person i tillë e adhuron Zotin vetëm në një mënyrë. Ai, adhurimi i të cilit është i pakualifikuar, nuk e sheh qëllimin e tij përfundimtar në vetë një adhurim të caktuar, të cilin ai e preferon mbi të gjithë të tjerët, por qëllimi i tij është të ndjekë kënaqësinë e Zotit të Lartësuar kudo që të jetë.

Boshti i robërisë së tij është kënaqësia e Allahut. Ai vazhdon të endet midis niveleve (shkallëve) të robërisë, sa herë që para tij del një stacion, ai përpiqet të arrijë në atë stacion dhe vazhdon të jetë i zënë me atë të mëparshmin derisa të arrijë në një nivel tjetër. Vendosmëria dhe përpjekja e tij vazhdojnë derisa të arrijë qëllimin e tij.

Nëse i sheh dijetarët, do ta shohësh atë me ta; Nëse i shihni adhuruesit (abid), do ta gjeni atë me ta; i sheh muxhahidët, edhe ai është me ta; i sheh zakirët (ata që bëjnë dhikër), edhe ai është me ta. I sheh ata që bëjnë mirë dhe japin sadaka, edhe ai është me ta.

Nëse sheh njohësit e halvetit (ata që veçohen në vetmi me Allahun), ata, zemrat e të cilëve janë të drejtuar tek Allahu, edhe ai është me ta.

Ky është robi që nuk njeh kufi në adhurim. Ashtu siç nuk mund ta rrethojnë atë kufijtë, ashtu nuk mundet që të kufizohet në forma.
Veprat e tij nuk janë për dëshirën, rehatinë apo kënaqësinë e tij. Përkundrazi, ai punon vetëm për hir të Zotit të tij, edhe nëse rehatia e nefsit të tij është në gjëra të tjera.

Ky është personi që vepron fjalë për fjalë “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” dhe që i përmbush këto dy parime siç duhet.

Ai vesh çdo gjë që gjen, ha çfarëdo që gjen dhe është gjithmonë i zënë me atë që ka urdhëruar Allahu. Kudo që shkon, (ai vënd) bëhet streha dhe vetmia e tij. Nuk mund të zotërohet nga asnjë aludim, nuk mund të kufizohet nga asnjë kufi e formë. Ai është vërtet i lirë. Kudo që shkon ai është me urdhërin e Allahut. Kudo që ai e drejton karavanin e tij, ai i bindet urdhrave të eprorit të tij. Kudo që të vendosen tendat e tij, ai është me Allahun.

Çdo njeri i drejtë e sheh shoqërinë e tij mikpritëse dhe çdo gënjeshtar largohet prej tij. Ai është si shiu që bën dobi aty ku bie shi dhe si hurma, gjethet e së cilës nuk bien kurrë dhe çdo grimcë e saj është e dobishme, duke përfshirë edhe gjembat. Ai është i zemëruar kundër atyre që kundërshtojnë urdhrin e Zotit.

Ai është i Allahut dhe është me Allahun. Sigurisht, ai është në shoqërinë e Allahut pa qenë me njerëzit dhe me njerëzit pa qenë vetëm me nefsin e tij.

Për më tepër, kur është me Allahun, ai largohet nga shoqëria dhe i braktis ato. Kur është me robërit e Allahut, ai e largon nefsin e tij nga aty dhe e lë atë.

Fatkeqësisht, sa pak njerëz të tillë ka në shoqëri dhe sa të vetmuar që ndihen ata. Por sa e madhe që është afërsia dhe lumturia e tij me Allahun. Sa i qetë dhe në paqe është ai me Zotin e tij! Vetëm Allahu është Ai prej të Cilit kërkohet ndihmë dhe tek i Cili mbështetesh.”

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, në Medarixhus Salikin, pjesa “Shkallët e Frymëzimit (ilham)”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit