2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pacifizëm – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Shumë njerëz ose nuk kanë pasur kurrë dell luftarak ose u ka vdekur me kalimin e kohës dhe nuk janë aspak të gatshëm të përballen me të keqen, sidomos ku shohin se kjo përballje shkakton zhurmë, konflikt dhe acarime. Ata mendojnë se t’i bësh gjithmonë gjërat urtë e butë dhe t’i mbash nën kontroll që të zhvillohen pa u ndjerë, është pjesë e urtësisë dhe mençurisë.

Këta njerëz mendojnë apo u është injektuar me kalimin e kohës metoda “me qetësi dhe dashuri” dhe e konsiderojnë këtë të vetmen metodë të të bërit të punëve dhe se fetarët duhet të jenë vetëm të tillë, pacifistë me të gjithë dhe me gati çdo gjë. Sidomos kur përballja me të keqen domosdoshmërish të përplasë drejtpërdrejtë me njerëz dhe struktura me pushtet, ky soj janë njerëzit më të largët në përballje. Disa prej tyre arrijnë deri aty sa pasojat e përballjes t’i konsiderojnë trazim i papranueshëm i “qetësisë shpirtërore” të dëshiruar dhe një “fatkeqësi” tërësisht e shmangshme.

Ka prej atyre që edhe nëse marrin pjesë në ndonjë betejë futen në të pa ndonjë emocion dhe vendosmëri, dhe në momentin që beteja ashpërsohet dhe kërkon qëndrime të forta, ata tërhiqen në guaskën dhe rehatinë e vetë, duke e quajtur këtë urtësi, ndërsa qëndrimet e forta dhe ashpërsimin e betejës të gabuar dhe të dëmshëm.

E keqja dhe njerëzit që e mbështesin atë nuk janë kurrë njerëz paqësor edhe pse ndoshta mund të duken ndonjëherë të tillë, ata janë agresivë dhe luftarak në mbrojtje të së ligës dhe së pavërtetës së tyre, madje edhe kur e kuptojnë se janë në pozita të gabuara. Kështu që në të tilla kushte është e pamundur që e keqja dhe e pavërteta të largohen vetvetiu dhe në paqe të plotë, ato kërkojnë ashpërsinë dhe këmbënguljen e nevojshme për t’iu bërë ballë.

Shembullin më të mirë të të gjithë kësaj e kemi tek profetët e Zotit. Lexoni me vëmendje debatet dhe përballjet e tyre në Kuran dhe reagimin e zullumqarëve dhe popujve të tyre që i refuzonin si dhe këmbënguljen e profetëve, pa u tërhequr dhe stepur nga pasojat e përballjes.

Kjo tregon se Islami nuk është një fe pacifiste e tipit budist apo taoist, që nuk i trazon ujërat e qeta të gjendjes ku gjenden njerëzit, por një fe që paqen në radhë të parë e ka me Zotin dhe se shpirtin luftarak ndaj së ligës e ka pjesë të qenësishme të tij. Kush nuk e ka kuptuar këtë ose është i paditur ose gënjen veten dhe të tjerët me pacifizmin e shtirur ndaj së pavërtetës dhe zullumit.

Allahu thotë në Kuran: “E ata, të cilët luftuan për hirin Tonë, Ne do t’i drejtojmë patjetër në rrugët Tona. Sepse, sigurisht, Allahu është me bamirësit.” ( 29:69)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit