-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ekstremet – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Ajo që njerëzit shpesh quajnë ekstrem, është një përkufizim subjektiv që ndikohet nga faktorë individualë, psikologjikë, si dhe socialë e kulturorë, ndaj për përkufizimin sa më objektiv të ekstremit, gjithmonë i duhet referuar të vërtetës së plotë të realitetit dhe gjykimit hyjnor, të ardhur nga i vetmi i drejtë dhe i paanshëm që është Krijuesi.

Ekstremet, në themel janë produkte të bindjeve të gabuara, por përveç kësaj, shpesh gabimi i njërës palë shërben si argument për gabimin e kundërt të palës tjetër. Ekstremizmi kështu ushqen dhe përligj liberalizmin, ashtu siç edhe liberalizmi bën të njëjtën gjë për ekstremizmin.

Mjaft herë, njerëzit e zellshëm dhe të përkushtuar në fe, por edhe të paditur, ndihen shumë keq në mesin e një fryme liberale dhe neglizhuese ndaj normave të fesë, ndaj kjo i shtyn ata të bien në ujërat e ekstremizmit havarixh dhe tekfirist. Dhe pa e kuptuar, ata bëhen shkak që liberalët, të cilëve iu kundërvihen, këto qëndrime ekstreme t’i përdorin si justifikim dhe përligjje të liberalizmit të tyre. Ndaj është e vërtetë thënia se ekstremi pjell ekstreme.

Ekstremistët që mbajnë linjën e ashpërsisë dhe shtrëngimit janë gjithmonë pakicë, sepse shumica e njerëzve për shkak të dobësisë njerëzore, që iu shkon pas tekave, janë të prirë më shumë drejt liberalizmit. Ndërkohë, ajo që humbet në këtë mes është pikërisht mesatarja e artë, e drejta dhe e vërteta, që qëndron e distancuar nga ekstremet, por që shihet si pjesë e ekstremit kundërshtar nga të dyja palët ekstreme.

Zhurmën më të madhe e bëjnë gjithmonë pakica ekstreme e linjës së ashpër, sepse ata qëllojnë të jenë edhe të dhunshëm, për shkak të frustrimit që iu shkakton gjendja e degraduar e ekstremistëve liberalë. Havarixhët e dikurshëm, por edhe të sotëm, përdorin si përligjës të qëndrimeve të tyre edhe gjendjen e degraduar morale dhe fetare të njerëzve, duke konsideruar kështu shumë nga gabimet dhe gjynahet njerëzore si akt dezertimi nga feja dhe duke kërkuar devotshmëri maksimale për njerëzit.

Në anën tjetër, murxhiat e përligjin qëndrimin e tyre edhe me pasojat negative të ekstremit havarixh, duke theksuar kështu, se besimi është vetëm në zemër dhe duke mos kërkuar nga njerëzit shpesh as devotshmërinë më minimale bazike të detyrimeve fetare.

Në fakt, shoqëria njerëzore, sidomos kjo e sotmja, vuan më së shumti nga ekstremizmi liberal dhe ai i murxhiave, edhe pse pala kundërshtare janë gjithmonë më të zhurmshëm dhe në shënjestër, pikërisht edhe pse janë pakicë.

Si ekstremistët, ashtu edhe liberalët, shfrytëzohen gjithmonë si mjete në duart e armiqve të Islamit, të parët si pretekst, dhe të tjerët si kolonë e pestë. Dhe kështu, panorama e realitetit pështjellohet aq keq, sa shumica e njerëzve, që i shohin gjërat vetëm bardh e zi, nuk dallojnë dot të vërtetën nga e pavërteta, të drejtën nga e padrejta, besnikërinë nga tradhtia, të mirën nga më e mira, dhe të keqen nga më e keqja. Ndërkohë, e gjithë tollovia vjen nga padija, dija e mangët, si dhe pasionet dhe tekat e egos njerëzore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit