0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Zvogëlimi i pranisë së policisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës në veri (Dokument)

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështes mbajtjen e zgjedhje të reja, pas verës.

Pajtimi për këtë është arritur gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas Qeverisë të gjitha hapat do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.

Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

Telegrafi ka siguruar marrëveshjen në gjuhën angleze mes Kosovës dhe BE-së në të cilën janë të përfshira katër pika:

1.Qeveria e Kosovës publikisht shpall përkushtimin e saj për të punuar në depërshkallëzimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë masë për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Kjo përfshin një ulje të menjëhershme për 25% të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

2.Policia e Kosovës kryen rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

3.Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike duke inkurajuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas verës në katër komunar në veri. Kosova angazhohet që të ketë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

4.BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel për të finalizuar Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha dispozitave të marrëveshjes.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serb. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit