9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Martesa islame dhe detyrat reciproke bashkëshortore (I)

Më të lexuarat

Zoti i Madhërueshëm i ka krijuar njerëzit në tokë dhe në te ka caktuar ekzistencë të përkohshme, e cila është e lidhur me të lindurit e fëmijëve dhe shumëzimin e përgjithshëm të racës njerëzore. Madje kjo as nuk mund të mendohet pa martesë të vlefshme. Pikërisht për këtë si dhe për tjera shkaqe të arsyeshme, martesa Islame urdhërohet dhe rregullohet me ligj, ndërsa kurvëria dhe prostitucioni janë ndaluar rreptësisht.

Kurorë në Islam do të thotë: kontratë e martesës, e cila është lidhur me marrëveshje, sipas rregullave të Sheriatit, ndërmjet burrit dhe gruas, sipas së cilës personave përkatës u lejohet të jetojnë në marrëdhënie intime. Çdo gjë që e punojnë njerëzit duhet ta ketë qëllimin e caktuar, ngase ajo që punohet pa qëllim të caktuar nuk e ka vlerën e saj të vërtetë. Gjithashtu edhe martesa ka qëllimin dhe synimet e veta, prej të cilave do t’i theksojmë vetëm disa:

– Lindja e fëmijëve, për ruajtjen e racës njerëzore.

– Sigurimi i pasardhësve legjitimë, ngase duhet ditur se kujt i takojnë fëmijët.

– Sigurimi i trashëgimtarëve ligjor, ngase duhet ditur se kush kë e trashëgon me ligj.

– Përsosmëria e bashkëshortëve në pikëpamje morale, sepse pa sigurim të jetës morale nuk ka as rregull të mirë shoqëror.

– Edukimi i mirë i fëmijëve në pikëpamje fetaro-morale, ngase pa edukim të mirë të rinisë, bashkësia njerëzore nuk ka lumturi dhe mirëqenie të vërtetë.

– Mbajtja e gruas dhe e fëmijëve sepse duhet ditur se kujt i takon kjo detyrë.

Rreth vlerësimit të martesës ekzistojnë mendime të ndryshme, prej të cilave po i citojmë vetëm disa:

– Martesa shërben si bazë e fesë dhe e shtetit, ngase duke shërbyer si mjet për shtimin e njerëzimit, ajo i siguron jetë fesë dhe shtetit.

– Martesa është themel i bashkësisë njerëzore, me anë të së cilës mund ta dimë se sa vlen një burrë ose një grua.

– Martesa është mjeti më i mirë për mbrojtje nga prostitucioni dhe prishja morale.

– Martesa është në shërbim të kulturës dhe të njerëzimit, e cila na ruan nga krimet dhe mëkatet.

– Martesa na nxit në punë dhe angazhim, të cilat duhet t’i orientojmë në të gjitha drejtimet.

– Martesa është mjet, që i shpie popujt deri te fuqia, ndërsa bijtë e tyre deri te mirëqenia, lumturia dhe fama.

– Martesa është kopsht i lumturisë, mbrojtës i shëndetit dhe synim më fisnik i gjinisë njerëzore.

Nuk ka asnjë obligim fetar që daton nga njeriu i parë Ademi a.s. e që vazhdon deri më sot, përveç imanit-besimit në Zot dhe martesës. Andaj nga historia e njerëzimit shohim se të gjithë popujt e lashtë si p.sh. sirianët, babilonasit, egjiptasit, grekët etj. martesës i kanë kushtuar rëndësi të madhe. Filozofët: Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, atë e kanë konsideruar si detyrë të çdonjërit ndaj kombit dhe atdheut.

Islami rekomandon martesën dhe ndalon mosmartesën

Nga ajetet kur’anore dhe një numër i madh i haditheve të Pejgamberit, shohim se myslimanëve u rekomandohet martesa. Zoti i Madhërueshëm në Kur’an thotë: “Martoni të pamartuarit (e të pamartuarat) tuaja dhe skllavët (e skllavet) tuaja të ndershme. Nëse janë të varfër, Zoti do t’i begatojë nga dhuntitë e Tij … ” (Sure: Nur, ajeti 32). Muhammedi a.s. gjithashtu e porosit martesën duke thënë: “Tenakehu tekatheru fe in-ni ubahi bikumulumeme jevmel-kijameti.” “Martohuni dhe shumëzohuni, sepse unë krenohem me ju ndaj popujve tjerë Ditën e Gjykimit”.

Duke pasur parasysh se njeriu i pamartuar mund të jepet pas amoralitetit seksual, për shkak të cilit do të bënte mëkat të madh, Muhammedi a.s. thotë: “Men tezevvexhe fekad ahreze thuluthej dinihi”. “Kush martohet, ai i ka mbrojtur dy te tretat e fesë së tij”. Prandaj, martesa është mjeti më i mirë për t’u ruajtur njeriu nga amoraliteti seksual, i cili u sjell shumë të këqija jo vetëm individit, por edhe mbarë shoqërisë.

Muhammedi a.s., i fton të rinjtë që të martohen sepse martesa mjeti më i mirë për ruajtjen edhe të syve nga mëkatet e shikimit. Ai thotë: “Ja ma ‘sheresh-shubbani menistetaa minkumul-baete fel-jetezevvexh, fe innehu egaddu lil-besari ve ahsenu lil-ferxhi”. Që do të thotë: “O të rinj! kush i ka kushtet prej jush le të martohet se me të vërtetë martesa është mjeti më i mirë për shmangien e shikimit (nga gratë e huaja) dhe për ruajtjen e organeve seksuale (nga prostitucioni). (shënon: Buhariu dhe Muslimi, nga Abdullah ibni Mes’udi).”

Enes ibni Maliku tregon se e ka dëgjuar Muhammedin a.s. duke thënë: “Men erade en jelkallahe tahiren mutahheren fel-jetezevvexhil-haraire.” “Kush dëshiron të takohet më Allahun (Ditën e Gjykimit) i pastër e i pastruar (nga mëkatet e amoralitetit), le të martohet me femra që janë të ndershme”. Atyre, që martohen Zoti i Madhërueshëm u ndihmon, siç shihet, nga deklarata e Muhammedit a.s. e cila thotë: “Tre njerëz e meritojnë ndihmën e Allahut xh.sh: Ai që lufton në rruge te Zotit, shërbëtori që i shërben me nderë dhe besnikëri zotërisë së tij dhe ai që martohet për t’u ruajtur nga prostitucioni . (Transmeton Termidhiu, Ibni Habbani dhe Hakemi). Muhammedi. a.s. na fton që ta ndjekim rrugën jetësore të tij, ku bën pjese edhe martesa. Ai thotë: “Men ehabbe fitreti fel-jestunne bisunneti, ve min sunneti ennikjahu”. “Kush e donë natyrshmërinë time le ta ndjek traditën time, vërtetë nga tradita ime është edhe martesa”.

Feja Islame nuk na e ka rekomanduar pa arsye martesën, sepse gruaja për burrë është shok i jetës, person, e cila me të do të jetojë dhe do ta ndajë fatin, e cila në çdo kohë do t’i bëjë shoqëri, do t’ia lehtësojë brengat dhe pikëllimin dhe do të kujdeset për punët shtëpiake dhe edukimin e vlefshëm të fëmijëve.

Mosmartesa nuk është asgjë tjetër, përveç se shkelje e ligjeve të natyrës, ngase pjesa më e madhe e të pamartuarve jepen pas jetës amorale dhe prostitucionit, nga të cilat rrjedhin pasoja shumë të këqija. Gjithmonë ka pasur individë, madje edhe sot ka në mbarë botën, të cilët nga motivet e ndryshme i shmangen martesës. Shumica prej atyre i shmangen martesës vetëm pse nuk dëshirojnë të kenë kurrfarë obligimesh, dëshirojnë që gjatë tërë jetës të jenë plotësisht të lirë dhe pa obligime. Në lidhje me këtë H.Zschilsck thotë: “Asgjë nuk është në gjendje për ta lidhur njeriun për votër, për atdhe dhe për shoqëri si martesa e lumtur. Njeriu i pamartuar nuk i takon askujt. Ai është banor i botës, vazhdimisht udhëton pa qëllim”.

Muhammedi a.s, me fjalët e tij: “La rehbanijjete fil-islam”. “Nuk ka kallogjeri-klerikalizëm në Islam”, ua ndalon muslimanëve ikjen nga skena jetësore duke iu shmangur jetës bashkëshortore dhe shoqërore. Ai haptazi e ka gjykuar mosmartesën dhe gati tërësisht ka heq dorë nga ai që i ka kushtet për martesë dhe nuk donë të martohet. Me një rast ka thënë: Ennikahu sunneti femen regibe an sunneti felejse minni”. “Martesa është traditë ime, andaj ai që shmanget nga tradita ime, ai nuk është me mua”. Atyre që nuk martohen nga frika se duke i mbajtur gruan dhe fëmijët do të varfërohen, Muhammedi a.s. ua tërheq vërejtjen: “Kush nuk martohet duke iu frikësuar varfërisë, ai nuk u takon ithtarëve të mi”.

Kushtet e martesës

Sipas mësimit Islam, martesa-në kuptimin e ngushtë të fjalës, bën pjesë në të drejtën civile të Sheriatit, ndërsa në kuptimin e gjerë i takon të drejtës fetare të Sheriatit. Bënë pjesë në të drejtën civile, sepse nga martesa dalin obligimet e ndryshme qytetare ndërmjet burrit dhe gruas në një anë, dhe fëmijëve të tyre në anën tjetër. Ndërsa bën pjesë në të drejtën fetare të Sheriatit sepse është porositur me Kur’an dhe sunnet, siç e kemi vërejtur më parë. Duke marrë parasysh natyrën e njeriut dhe gjendjen ekonomike, nga pikëpamja thjeshtë fetare, juristët e Sheriatit kanë thënë se martesa:

– Për dikë është farz-detyrë e shkallës së parë, për dikë është vaxhib-detyrë e shkallës së dytë, për dikë është sunnet-detyrë e preferuar si traditë e Pejgamberit a.s., për dikë është mekruh, vepër e përbuzur, madje për dikë edhe haram-vepër e ndaluar.

Martesa është farz për atë person, i cili sipas natyrës së tij epshore, nëse nuk martohet, me siguri do të jepet pas prostitucionit, kurse materialisht është në gjendje që t’ i plotësoj nevojat bashkëshortore, e përveç kësaj, sipas natyrës së vet, e di që mund të sillet mirë dhe njerëzishëm me bashkëshorten e tij.

Martesa është vaxhib për atë person, i cili sipas natyrës së tij epshore, nuk është i sigurt se do të mund të ruhet nga prostitucioni, nëse nuk martohet, dhe përveç asaj nëse i plotëson dy kushtet e fundit në fjalë.

Martesa është sunnet për atë person, i cili sipas natyrës së tij epsh ore është i përmbajtur dhe i aftë që t’ i plotësojë nevojat bashkëshortore në pikëpamje materiale dhe është i sigurt se do të ketë sjellje të mirë me bashkëshorten e tij.

Martesa është mekruh për atë person, i cili nuk është i sigurt se do të mund të sillet mirë dhe të jetojë në harmoni me bashkëshorten e tij dhe përveç asaj është në gjendje të dobët materiale që t’ i plotësojë nevojat shtëpiake në mënyrë të denjë.

Martesa është haram për atë person, i cili është impotent (steril) si dhe për atë, i cili është aq i varfër sa që nuk do të mund t’i plotësojë obligimet bashkëshortore dhe shtëpiake, dhe përveç asaj, që ka edhe sjellje të keqe.

Nga njeriu i parë në Tokë e deri më sot, martesa ka pasur rregulla të kornizuara, qoftë edhe në forma të ndryshme. Islami me Kur’an dhe Hadith e ka rregulluar çështjen e martesës. Sipas rregullave juridike të Sheriatit kushtet për vlefshmërinë e martesës janë dy llojesh:

1 Shurutin-nikah – parakushtet e martesës.

2. Erkanun-nikah -kushtet me rastin e martesës.

Që të mund të martohen dy persona nevojiten këto parakushte:

– Akël – të jenë mentalishtë të shëndoshë.

– Hurrijjet – të jenë të lirë.

– Bulug – të jenë moshërritur,

– Ridut-tarefejni – të jetë pëlqimi i dy palëve

– Gajri muharrem – të mos jenë të afërm ndërmjet veti nga gjaku, qumështi dhe miqësia

– Përkatësia fetare e të fejuarve (burri duhet të jetë pa tjetër musliman, ndërsa gruaja mund të jetë edhe jomuslimane, por ithtare e një feje hyjnore).

– Kuvf-akran – të përshtatshëm ose meritor njëri për tjetrin, kjo vlen vetëm në disa raste.

Kushtet para vetë aktit të lidhjes së kurorës janë:

– lxhabi – oferta për martesë,

– Kabuli – pranimi i ofertës për martesë,

– Oferta dhe pranimi j saj të bëhet në praninë e dëshmitarëve

– Deklarimi për martesë-kurorëzim të jetë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë.

– Palët me rastin e shqiptimit të ofertës dhe pranimit të saj ta dëgjojnë njëra-tjetrën.

– Caktimi i mehrit-dhuratës së kurorës, e cila i takon gruas.

Nuk është me rëndësi se cila palë (djali apo vajza) ofron martesën dhe pranon atë, me rëndësi është që ato të shprehen me fjalë të qarta, nga të cilat kuptohet kurorëzimi e asgjë tjetër.

Sipas rregullave të Sheriatit, martesa-kurorëzimi duhet të bëhet në prani të dy dëshmitarëve burra ose një burri e dy grave. Muhammedi a.s. thotë: “La nikaha il-la bishuhundin”. “Nuk ka martesë-kurorëzim pa dëshmitarë”. Personat, të cilët marrin pjesë si dëshmitarë duhet të jenë: Moshrritur, mentalisht të shëndoshë, musliman, të dinë se fjala është për kurorëzim dhe ta dëgjojnë ofertën dhe pranimin e saj nga të fejuarit.

Mehri, sipas të drejtës së Sheriatit është kundërvlerë, të cilën burri ia dhuron gruas për hyrjen e saj nën kurorë. Nëse shuma e mehrit me rastin e martesës, nuk caktohet, martesa është legjitime, ngase mund të kompensohet me “mehri mithël” – të ngjashëm.

Duhet ditur se me çdo femër nuk mund të martohemi. Sipas rregullave të Sheriatit pengesat për martesë mund të jenë:

1. Afërsia e gjakut (karabe-neseb).

2. Afërsia e miqësisë (sihrijjet)

3. Afërsia e qumështit (reda)

4. Pengesat e përkohshme

1. Afërsia e gjakut. – Me ajetin Kur’anor në suren “Nisa”, martesa është e ndaluar me ato femra, të cilat i kemi të afërme me gjak, siç janë: Nëna, gjyshja prej babe dhe prej nëne, vajza, mbesa prej vajze dhe prej djali, motra dhe vajza e saj, vajza e vëllait dhe vajza e saj, motra e babës dhe e nënës (halla dhe tezja).

2. Pengesa e afërsisë së miqësisë. – Gjithashtu, martesa është e ndaluar me ato femra, të cilat i kemi të afërme në vijën e vjehërrisë, siç janë: Nëna e gruas (vjehrra) dhe ortakja e saj, vajza e gruas (me burrë të mëparshëm), gruaja e djalit, gruaja e djalit të gruas (me burrë tjetër) dhe gruaja e babës-njerka.

3. Pengesa e afërsisë së qumështit. – Afërsia e qumështit llogaritet kur një grua i jep gji fëmijës së huaj në kohën që është përgjish, ose ai fëmijë e absorbon qumështin e saj përmes gojës ose hundës, pa marrë parasysh sasinë e tij. Edhe pse ekzistojnë rregulla të qarta për këtë çështje, shumë gra mendjelehta e marrin fëmijën e gruas tjetër dhe i japin gji, duke mos menduar se të gjithë fëmijët e saj dhe fëmijës që i ka dhënë gji janë bërë vëllezër dhe motra prej qumështi, sikur të ishin të lindur prej një nëne. Kjo më së shumti ndodhë me rastin e lindjeve në spitale, në dasma etj. Afërsia e qumështit e ka rëndësinë e saj praktike, ngase nuk lejon martesën e të gjithë të afërmve prej qumështi, siç ua ndalon afërsia e gjakut. Sipas një hadithi, që gjendet në përmbledhjen e Muslimit, Muhammedi a.s. ka thënë: “Çdo gjë që është ndaluar për shkak të afërsisë së gjakut është e ndaluar edhe për shkak të afërsisë së qumështit.” Ndalesën e martesës me të afërmit e qumështit e ka përcaktuar edhe Zoti xh.sh. me Kur’an (sure Nisa).

4. Pengesat tjera të përkohshme. – Përveç pengesave të përhershme, të cilat i theksuam më lartë, kemi raste, kur pengesat kanë karakter të përkohshëm për martesë, të cilat posa të pushojnë së ekzistuari, lejohet martesa me femrën përkatëse. Kështu p.sh. nuk mund të martohemi:

– Me atë femër që nuk i takon asnjërës fe hyjnore (Islamit, hebraizmit dhe Krishterimit) ose është ateiste, deri sa të mos besojë në njërën prej tyre,

– Me atë grua që ka mbetur vejushë ose është lëshuar nga burri deri sa mos t’u kalojë koha e pritjes (e para 4 muaj e 10 ditë, ndërsa e dyta 3 muaj), e nëse janë shtatzëne deri sa të lindin dhe të pastrohen.

– Me atë femër e cila me gruan tonë ka lidhje farefisnore, që sikur të ishte njëra prej tyre djalë nuk do të kishte të drejtë për t’ u martuar me tjetrën si p.sh. motra e gruas, halla etj. deri sa të mos e kemi shkurorëzuar gruan e parë ose derisa ajo të mos ketë vdekur.

– vijon –

Hfz. Sinanudin Sokoloviq

Përktheu dhe përshtati nga “Glasanik” i vitit 1972/73 Sarajevë

Hajrullah Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit