-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Hoxha erudit i Malësisë së Tetovës Molla Jahja i Shipkovicës

Më të lexuarat

Që në vitet e para si hafiz i ri, në mexhliset fetare në lagjen e Çarshisë së Epërme ku më tepër ka banorë të ardhur nga Malësia e Tetovës, e dëgjoja shpesh emrin e Molla Jahjës nga Shipkovica. Banorët e Malësisë së Tetovës me entuziazëm dhe në trajtë të mitit flitnin për Molla Jahjën. Kjo tregon se ai, krahas konceptit fetar didaktik, ka arritur që të bëhet pjesë edhe e ndjenjave të besimtarëve të kësaj pjese të Tetovës.

Molla Jahja ka lindur ne vitin 1885 në fshatin Shipkovicë të Malësisë së Tetovës. Rrjedh prej një familjeje fisnike dhe atdhedashëse. Babai i tij Bahtijari ishte i pasur, i respektuar në Malësi dhe kishte lidhje të ngushta me rilindasit shqiptarë. Zotni Bahtijari ka qenë, gjithashtu, një prej mbështetësve kryesorë të Rexhep efendi Vokës. Molla Jahja pasi që i ka marrë mësimet e para pranë babait të tij dhe në mektebin e fshatit, shkollën fillore/ibtidaijje e ka vazhduar në Tetovë, ndërsa rushdijjen/të mesmen dhe idadijjen/gjimnazin në Prizren. Në vitin 1909 e ka përfunduar gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm. Vitet kur ai e ka përfunduar shkollimin në Prizren janë vite të trazirave dhe përgatitjes së luftërave ballkanike. Si rrjedhojë e këshillimit me babain e tij, Molla Jahja është kthyer në vendlindje dhe ka filluar të punojë në rushdijjen/shkollën e mesme të Tetovës e cila ishte hapur pikërisht në vitin 1909, si dhe në fshatin e lindjes së tij Shipkovicë.

Shipkovica në kohën e Molla Jahjës është shndërruar në një çerdhe të arsimit fetar dhe shkencor, veçanërisht të fshatrave të Malësisë së Tetovës. Përgatitja profesionale e Molla Jahjës ka qenë e gjerë dhe ai në medresenë e tij krahas hoxhallarëve i ka përgatitur edhe nxënësit të cilët e kanë ndjekur shkollimin e rregullt në kohën e mbretërisë jugosllave. Sipas rrëfimit të familjarëve, Molla Jahja ka shërbyer në gjimnazin e Tetovës edhe në periudhën e mbretërisë jugosllave dhe një prej nxënësve të tij ka qenë edhe Sadudin Gjura.

Malësia e Tetovës ka qenë e sigurt në duart e hoxhës së nderuar Molla Jahjës dhe për atë në medresetë e qytetit të Tetovës, asokohe, ka pasur nxënës nga të gjitha fshatrat e rrethit të Tetovës përveç prej fshatrave të Malësisë, pasi ata mësimet fetare i kanë ndjekur në medresenë e Molla Jahjës.

Molla Jahja, krahas përmasës intelektuale, ka qenë edhe njeri i urtë dhe një mik i vërtetë i Zotit. Disa herë kam pasur rast t’i dëgjoj banorët e moshuar të fshatrave të Malësisë së Tetovës duke folur për jashtëzakonshmëritë gjatë jetës së tij.

Ai me këto ndjenja e ka edukuar edhe familjen e tij. Ka pasur tre djem, Musain, Bahtijarin dhe Burhanedinin, dhe dy vajza, Kumrushahen dhe Sheqiben. Djali i tij Molla Bahtijari ka qenë gjithashtu imam në fshatin Shipkovicë dhe unë e kam takuar disa herë. Ishte shumë i mprehtë dhe me sens të sforcuar të humorit. Ishte i dashur në mesin e hoxhallarëve. Zoti e mëshiroftë!

Molla Jahja si edhe një numër i madh i hoxhallarëve të Tetovës është burgosur në vitin 1953 dhe ka qëndruar në burg deri në vitin 1955. Ka nderuar jetë një vit pasi ka dalë prej burgu, në vitin 1956.

Periudha kur Molla Jahja jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, , ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar në aspektin fetar, politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare dhe atdhetare. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar nga njëra anë, si dhe të ndarjes së shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë nga shteti amë, në anën tjetër. Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për ngritjen fetare, intelektuale, pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht edhe për një pjesë të myslimanëve, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Molla Jahjën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre tek populli.

Zoti e dashtë dhe e miqësoftë me të mirët.

Hafiz Metin Izeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit