14.4 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Bashkësia Islame pronare e nikoqire e “Lidhjes së Prizrenit”

Më të lexuarat

Historianët e studiuesit kanë folur për Lidhjen e Prizrenit, por shumë rrallë apo fare hiç nuk e kanë përmendur rolin e Bashkësisë Islame, në këtë projekt të rëndësishëm kombëtar e atdhetar. Ndërsa, dihet se Bashkësia Islame me ylematë e saj, ka qenë ideatore, organizatore e nikoqire e Lidhjes së Prizrenit, së paku në fazën themeltare të saj.

1 . Lidhja u mbajt në xhaminë e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklia)

Kompleksi aktual i Lidhjes së Prizrenit, që është ngjitur me xhaminë e Bajraklisë, deri vonë ka qenë pjesë e tërësisë së kompleksit “Gazi Mehmet Pasha”, i cili përfshinte: Dershanën, që tash njihet si simbol i Lidhjes, Medresenë, Xhaminë, Muzeleumin, selinë e Këshillit të BI-së, si dhe Hamamin, që gjendet pak më larg. Gazi Mehmet Pasha, në vitin 1573, këtë vatër të dijes e kulturës, e ndërtoi për “sevap” të tij, e për hir të Krijuesit, gjithnjë duke synuar shërbimin për popullin. Ai, personalisht, është kujdesur që edhe punët të kryhen me ndershmëri, ashtu siç e kërkon çdo vepër bërnirësie/hajrati. Punëtorët që kanë kryer punimet, duhet të ishin të pastër. Xhemati i Prizrenit, rlajnë një rrëfim interesant, në lidhje me pastërtinë. Transmetohet se, gjatë ndërtimit të xhamisë, e cila kishte filluar e para të ndërtohej, një punëtor, me gjasë mjeshtri kryesor, një ditë nuk doli në punë. Pas interesimit të Gazi Mehmet Pashës, punëtori tregoi se ishte i papastër (xhunub), e nuk ka dashur që të punojë me një gjendje të tillë, në një tempull të nisur për riza të Zotit. Ky moment, e inspiroi Gazi Mehmet Pashën, i cili, pezulloi punimet e xhamisë, ndërsa urdhëroi ndër-timin e hamamit, që gjendet disa dhjetëra metra larg xhamisë, në mënyrë që punëtorët të pastrohen, po edhe të shërbejë për të gjithë qytetarët. Dhe, kështu ndodhi. Në ndërkohë, aty, konsolidohet Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, i cili ka funksionuar që nga fillimi i shekullit XVI e që asokohe është njohur me emra të ndryshëm, si:

“Myfti Daire” “Vakuf”, etj. Po ashtu, aty, ka funksionuar Medreseja e lartë, të cilën e pati mbyllur dhunshëm okupatori serb, më datë 17 mars të vitit 1947, në orën 12 të ditës.

Kompleksi i Gazi Mehmet Pashës, në tërësinë e tij, ka shërbyer për nevojat e Lidhjes dhe seli e Lidhjes. E që do të thotë se nikoqir i Lidhjes së Prizrenit ka qenë Bashkësia Islame, e cila është kujdesur, për banim, ushqim, organizim e aspekte të tjera logjistike. Ndërsa, në xhami, që sot njihet si xhamia e Gazi Mehmet Pashës apo xhamia e “Bajraklisë”, Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, i ka zhvilluar punimet, prej datës 10 qershor deri më datë 18 qershor 1878.

Fatkeqësisht, shumë pak historianë, e citojnë faktin se në xhami është mbajtur Lidhja e Prizrenit, apo se Bashkësia islame ka qenë nikoqire dhe organizatore. Për më keq, librat shkollorë e devijojnë historinë, duke e paraqitur shtëpizën (Dershanen) si vend i mbajtjes së Lidhjes. E, disa, janë munduar ta kamuflojnë, duke përmendur sallën e Medresesë së Gazi Mehmet ‘Pashës, si vend i Lidhjes. Sa u përket sallës dhe klasave të Medresesë është e vërtetë, ato kanë shërbyer për aspekte ndihmëse, por, kuvendi historik i Lidhjes është mbajtur në xhami, sepse, bëhet fjalë për një kuvend, që në disa raste ka numëruar deri në 300 delegatë, e përveç xhamisë, nuk ka ndonjë hapësirë tjetër të përshtatshme për mbledhje të këtilla.

1 .1 . Fatkeqësisht, xhamia e Bajraklisë nuk gëzon asnjë status të veçantë

Edhe pse, xhamia e Gazi Mehmet Pashës, përmban historinë e lavdishme të kombit, megjithatë, institucionet tona, asnjëherë nuk e kanë vlerësuar në mënyrë meritore. Ajo, fare nuk është në agjendë të vizitave, me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes. Pastaj, ajo nuk gëzon asnjë privilegj apo status të veçantë. Natyrisht, kjo paraqet krizën tonë si popull. Sot, na gëzon fakti kur institucionet e Kosovës u garantojnë privilegje apo status të veçantë disa vendeve apo objekteve, që përmbajnë historinë e Kosovës, siç po ndodh me ato të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për hir të së vërtetës, tek në vitin 2013, edhe pse me shumë vonesë, Kuvendi Komunal i Prizrenit, ka bërë një hap drejt vlerësimit të xhamisë, së paku me një veprim krejt simbolik. Për herë të parë në histori, me rastin e shënimit të 135-vjetorit të Lidhjes, me vendim unanim të Asamblesë, Komuna e Prizrenit, më datë 10 qershor 2013, ka vendosur pllakën në hyrje të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës. Në këtë pllakë shkruan: “Këtu, në xhaminë e Bajrakut, me 10 qershor 1878, u mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Kjo nuk është asgjë, por megjithatë, është një përpjekje.

Konsiderojmë se Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, duhet të ndërmarrin iniciativën për t’ i dhënë status të veçantë xhamisë së Gazi Mehmet Pashës. Sepse, edhe vetë Pavarësia e Shqipërisë, në vitin 1912, i ka rrënjët në këtë vend, përkatësisht në kryengritjen e Lidhjes, e cila shënon kthesën e madhe për të ardhmen e shqiptarëve si komb. Prandaj, si e tillë, pa dyshim konsiderohet ndër vendet më emblematike në nivel të trojeve shqiptare.

1.2. Kompleksi aktual i Lidhjes- pronë e Bashkësisë Islame deri në vitin 1981

Por, ç’ e do që Komuna e Prizrenit, asokohe “Skupstina Opstine Prizren”, në vend të vlerësimit të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës, ndërmerr veprimet arbitrare për eksproprijimin e kompleksit të Gazi Mehmet Pashës. Me vendimin shpronësues, nr. 03/3- 463-30, datë 23.VII.198l, i nënshkruar nga drejtori Feta Vorfaj, Komuna e Prizrenit (SR SRBIJA – SAP KOSOVO, SKUPSTINA OPSTINE PRIZREN – Uprava za imovinsko – pravne poslove), ia merr Bashkësisë Islame, pronën ku aktualisht gjindet Kompleksi i Lidhjes, duke e ndarë nga xhamia e Gazi Mehmet Pashës. Në këtë vendim (Resenje) e që është në gjuhën serbokroate, thuhet: “Bashkësisë Fetare Islame, i eksproprijohen ndërtesat, të cilat gjenden në rrugën IY, Kos.Udarna Brigada, nr. 25, parcella numër 1913, në sipërfaqe prej 1762 m2 dhe parcella nr.19l2 në sipërfaqe prej 202 m2, gjithësej ne sipërfaqe prej 1964 m2.”

Ky vendim, që ka ndodhur në kuadër të shënimit të 1 OO-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka qenë vendim arbitrar dhe përbën një bashkëdyzim të ideve të okupatorit serb dhe disa shqiptarëve lojalë të pushtetit, për abstrahimin e rolit të xhamisë dhe Bashkësisë Islame. Ndryshe, kjo nuk mund të shpjegohet. Në këtë frymë antiislame, historianët e oborrit të pushtetit, e kanë shkruar historinë e Lidhjes në librat shkollorë, duke ofruar një variant të pavërtetë apo të mangët rreth saj. Sot, Kompleksin e Lidhjes në Prizren, e vizitojnë me qindra e mijëra nxënës, nga të gjitha anët e trojeve tona etnike, por asnjëri prej këtyre fëmijëve nuk e viziton vendin e vërtetë ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, pra nuk e vizitojnë xhaminë e Bajraklisë! Prandaj, kush nuk e ka ditur deri sot, le ta dijë se Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, ka qenë pronë e Bashkësisë Islame deri më datë 23.07.1981.

2. Raporti i oficerit britanik, viti 1878, për rolin e ylemasë dhe karakterin e Lidhjes

Gjithmonë do të themi se Lidhja e Prizrenit ka qenë një projekt kombëtar, për unifikimin e katër vilajeteve shqiptare, në një shtet të vetëm, në një Shqipëri, si një garanci për ruajtjen e tokave shqiptare nga copëtimet dhe apetitet gllabëruese të fqinjëve sllavë. Kjo, fare nuk diskutohet! Por, krahas kësaj, gjithmonë do të themi se, në këtë projekt kombëtar, politik e ushtarak, pra në organizimin dhe realizmin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rol mjaft madhor ka pasur Bashkësia Islame. Studiuesit e historianët e kanë për obligim që ta thonë, të rikonfirmojnë se Bashkësia Islame ka dhënë kontribut të madh ideor, cilësor e sasior, në organizimin e Lidhjes së Prizrenit, si një projekt kombëtar. Asnjëherë nuk është thënë se Lidhjes që ne e kujtojmë, i ka paraprirë, iniciativa e ylemave të kohës. Christine Von Kohli thotë se shqiptarët e ‘zhgënjyer e të zemëruar krijuan “Komitetin e Muslimanëve të Mirëfilltë”, i cili disa vjet më vonë u riemërua me ‘Lidhja e Prizrenit’. Po kjo autore mendon se në librat shkollorë shqiptarë është falsifikuar në frymë nacionaliste karakteri i kësaj Lidhjeje, duke e kaluar në heshtje orientimin e saj islamik e duke i përqendruar synimet e saj vetëm te kërkesa për një Shqipëri të pavarur. Të njëjtën gjë e pohon edhe Muhamed Pirraku. Sipas tij, Lidhja Shqiptare, e cila nga drejtuesit e saj, quhej ittifak (Lidhja) vepronte në Vilajetin e Kosovës nga fundi i vitit 1877 dhe drejtohej nga haxhi Ymer Efendi Prizreni, i cili edhe e pati hartuar Momerandumin e banorëve të Prizrenit, të 12 majit 1878, drejtuar përfaqë-suesve diplomatikë të Fuqive të Mëdha, në Stamboll, ku shprehte hidhërimin se disa pjesë shqiptare do t’u bashkohen Serbisë, Malit të Zi apo Bullgarisë së re.

Por, akoma më shumë, raporti i oficerit britanik, i cili, udhëtoi nëpër Kosovë në fund të vitit 1878, e sqaron më së miri atë që duam të themi. Ai thotë: “Kjo lëvizje është më shumë fetare sesa shekullare, asaj i prijnë myftinjtë, ulematë, kadinjtë: unë mendoj se është më se e qartë se Porta dhe Lidhja … tashti janë në marrëdhënie të mira dhe janë duke punuar për arritjen e qëllimit të përbashkët mbrojtjen e provincës.”

3. Çfarë përmbajtje kishte “Kararnameja” – Statuti i Lidhjes së Prizrenit

Karanameja është dokumenti apo më mirë të themi statuti, i cili përmban vendimet e Kuvendit të Lidhjes, të datës 18 qershor 1878 dhe është i përbërë prej 16 pikave. Është interesante se ky tekst nuk është përpunuar fare nëpër librat shkollorë, po edhe shumë pak, në librat e historiografisë shqiptare, me përjashtim të ndonjërit prej tyre dhe aty pjesërisht. Kam përshtypjen se kjo ka ndodhur me paramendim, pasi që, në përmbajtjen e saj, vërehet qartë fryma panislamiste e Lidhjes. Dhe, publikimi i saj, do t’i prishte planet e ideologjive antiislame, çfarëdo qofshin ato, që synonin, me çdo kusht ta paraqesnin Lidhjen si laike e sekulare.

Në vazhdim, pa ndërhyrje, po e sjellim “Kararnamenë” e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, datë 18 qershor 1878, të përpunuar nga studiuesi Xhafer Belegu, botuar në vitin 1939:

1) Lidhja e jonë asht formue me qëllim, që të mos njof asnji qeveri tjeter, përveç se atë të Perandorisë ottomane edhe të mbrojë integritetin toksuer duke përdorë të gjitha mjetet.

2) Qëllimi i jonë i naltë asht, me mbrojtë të drejtat e personit të pa-përgjegjshëm të Madhnis së Ti Sulltanit, Sovranit t’onë.

Na do t’i qujmë anmiq të kombit e t’ atdheut gjith ata që na kundërshtojnë dhe prishin qetsin; gjith’ ashtu edhe ata që përpiqen me dobsue auktoritetin e qeveris si dhe bashkpunuesit e ktyne. Në rasë se kta trubullues nuk hekin dorë, do të qiten jasht shtetit.

3) Ata delegatë të krihinave të tjera që dishrojnë me hy në lidhjen t’onë, do t’i pranojmë me gjithë gëzim e do t’i regjistrojmë në listën e antarve të Lidhjes si miq të qeveris e të vendit.

4) Në bazë të ligjit të naltë fetar (sheriatit) do të mbrojnë jetën, pasurin, dhe nderin edhe t’ atyne që s’janë muhamedanë, po janë besnikë, baras me t’ onat. Do të marrim masa ndeshkimore kundra kryengritësve, duke i dënue sipas fajit.

5) Të gjitha shpenzimet për luftarë t që do të mbledhin krahinat do të rregullohen e do të përballohen në bazë të dispozitave të vendimeve që do t’ apim.

Fuqiat ndihmëse, t’ardhuna prej së jashtmi, do të pranohen me kënaqsi në kontingentin t’onë.

6) Duke marrë parasyshë gjendjen e Ballkanit, nuk do të pranojmë n’asnji mënyrë që të marshojnë mbrenda tokëve t’ona ushtëri të hueja.

Ne nuk do të njofim me asnji mënyrë Bullgarin dhe as duem t’i ndëgjojmë emnin; edhe Serbia në rasë se nuk na i dorzon me të mirë tokët që na ka shkel, do te dërgojmë kundër sajë fuqi për me i a marrë me pushkë.

Dhe kundër Malit te Zi do të veprojmë po në kët mënyrë.

7) Atyne bashkatdhetarve dhe besnikve të qeveris në Ballakn të cilët kanë me hy në Lidhjen t’ onë, do t’ u apim dorën e do të ndihmojmë njani tjetrin si pas rasës e nevojës.

8) Në rasë se nji krahinë, për zbatimin e nji vendimi të Lidhjes, has në kundërshtime, krahinat fqij, në bazë të marrveshtjes, do të shpejtojnë me i ndifë në të kryemit të qëllimit.

9) Cilido që del prej Lidhjes t’ onë, Zot na ruej! Cilido që ban spiunazhë, e cilido që vepron mbas qejfit të vet e nuk degjon urdhnat e te parve, do të ndeshkohet me dënim që meriton.

10) Kurë nji vendës i nji krahine të Lidhjes kushdo qoftë e nga çdo fe që t’jerë, kërkon të dali nga Lidhja nuk do të lejohet me shkue as në Serbi as në Mal të Zi. Po në qoftë se shkon, do të njifet spiun e do të dënohet sipas vendime në fuqi.

11) Kushdo prej nesh që ka vu në dispozicion të Lidhës fuqin e ti sipas zotsis, dhe u shmanget detyrime të marruna përsipër e s’u ve vesh ose kundërshton urdhnat ose shpërdoron detyrën ose sillet brutalisht ose ban ndonji çnderim, do të ndëshkohet me nji dënim relative me fajin që ban.

12) Dërgimi i fuqive, thirrja dhe përdorimi i tyne do të regullohen sipas instrukcioneve që janë duke u-përpilue. 13) Për me zbatue kta nene, do t’ i epet nji randësi o kujdesje e vaçante korespondencës.

14) Asht e ditun që qeverija nuk do të lejohet me asnji mënyrë me i ndërhy Lidhjes në punët e veta; as Lidhja nuk do t’i trazohet qeverisë në administratë; për ndryshe kjo gji do të quhet nji cënim i të drejtës së saj.

15) Nji kopje e kti vendimi do t’i paraqitet çdo krahine dhe qyteti.

16) Në bazë të besës së lidhun prej perfaqsusve të burravet të pa-tremb un të Shqip nis së Veriut, e asaj te Jugut e të Bosnjes, t’ atyne trimave që çkurë se kanë le nuk kanë dijtë tjetër mjeshtëri veç se pushkës dhe që për Shtet, Komb e Atdhe janë kurdoherë gati me derdhë gjakun, kemi zgjedhun Prizrenin për kryeqytet të Lidhjes.

Sikurse qemë të zott me i vu Lidhjes gurin e parë të themelit edhe në t’ ardhmen s’kemi me durue nji tirani që sht-yp banorët e vendeve t’ ona. Bijt t’ onë dhe bijt e bijvet t’ onë do të jenë besnikë të Lidhjes dhe kush të largohet praj saj do të konsiderohet sikurse ka hek dorë prej muhamedanismës dhe do të mallkohet e do të përbuzet prej nesh.

Na detyrohemi me i ndejtë besnikë kti vendimi duke dhanë nënshkrimet t’ ona. (47 nënshkrime).

4, Fryma panlslamiste dhe programi i Lidhjes

Siç shihet, përveç sheriatit për sistem ligjor, Kararnameja pasqyron lojalitetin ndaj Perandorisë Osmane, si dhe, duket edhe pjesëmarrja e vëllezërve myslimanë nga Bosnja, e që dëshmon se Lidhja përmbante brenda saj edhe aleancën islame, si një antipod kundër pansllavizmit agresiv asokohe, që shtrihej nga fqinjët e afërt e deri te Rusia dhe vendimet pansllaviste të traktatit të Shën Stefanit, 03 mars 1878. Po ashtu, në fund, Lidhja njihet si “islame/muhamedaniste”: “dhe kush të largohet praj saj do të konsiderohet sikurse ka hek dorë prej muhamedanismës dhe do të mallkohet e do të përbuzet prej nesh … ”

Pra, këto dhe shumë të tjera, tregojnë për orientimin programor të Lidhjes, së paku në fazën e saj themeltare. Por, kjo, nuk e zbeh Lidhjen si një projekt kombëtar. Sepse, siç konstaton edhe studiuesi Nexhat Ibrahimi: “në fund të fundit, vendimet në Lidhje, paraqisnin reflektim të kohës, rrethanave dhe të nevojave të tyre fetare, kulturore, politike dhe ekonomike, pra jo reflektim të kohës që do të vijë.

Në të vërtetë, Kararnameja, në mënyrë tipike, pasqyron antagonizmin në mes aleancës panislamiste, në njërën anë dhe asaj pansllaviste, në anën tjetër, e që pati prekur edhe vilajetet shqiptare. Shqiptarët, sikurse edhe sot, kanë qenë të detyruar për t’u orientuar nga një shtet i fuqishëm. Natyrisht, prirja e natyrshme, në atë kohë, ka qenë drejt Perandorisë Osmane, për shumë arsye, përfshirë ngjashmërinë kulturore, bashkëpunimin politik, strategjik, etj., sikurse që shqiptarët ortodoksë e katolikë kanë ruajtur një simpati për fuqitë e Mëdha, që i përkisnin së njëjtës fe. Po ashtu, për të njëjtat arsye, siç citon Evangelos Kofos: “Në ditët e Kongresit të Berlinit, Maratos (një emisar grek) tregon se të gjithë të krishterët (ortodoksë) të Sanxhakut të Gjirokastrës – duke përfshirë ata të qyteteve të Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës dhe Përmetit – refuzuan të nënshkruajnë peticione (kundër Shën Stefanit). Të njëjtin qëndrim kishin mbajtur edhe të krishterët e Sarandës, siç raportonte konsulli grek në këtë qytet.” Pastaj, rasti tjetër me Mirëditën. Edhe pse Kongresi i Berlinit i kishte injoruar kërkesat e shqiptarëve dhe të Lidhjes së Prizrenit, megjithatë, të vetmen çështje që e kishte shqyrtuar ishte ajo e Mirëditës. Në protokollin e 13 të Kongresit të Berlinit, pjesa e dytë, bëhet fjalë për “privilegjet dhe liritë e popullsisë katolike të Mirditës. Pra, janë fakte të pamohueshme.

5. Historianët dhe paragjykimet

Por, pavarësisht orientimit programor apo më mirë të themi prezencës së elementeve islame, Lidhja e Prizrenit ka pasur synime kombëtare shqiptare. Feja islame nuk e cenon këtë përcaktim, në asnjë rast. Historianët këtu kanë gabuar rëndë, kur e kanë deformuar të vërtetën e Lidhjes, për shkak të paragjykimeve ideologjike e hipotekave antiislame. Ata, sikur kanë harruar se ylematë shqiptarë, ishin patriotë të spikatur dhe në shërbim të çështjes kombëtare, në të gjitha etapat e historisë. Si çdo shqiptar atdhetar, edhe ata, veçse më shumë, i kanë pasur aspiratat e tyre kombëtare. Në instancë të fundit, Lidhja ka qenë e detyruar të rreshtohet në njërën anë, ose në anën e Perandorisë ose në anën e Fuqive të Mëdha anëtare të Kongresit të Berlinit. Në secilin rast, elementi fetar ka qenë i paevitueshëm. Për këtë arsye, brenda Lidhjes, ka pasur edhe të krishterë, pjesëmarrja e tyre nuk ishte për arsye fetare, por për arsye kombëtare. Pastaj, sesi do të duket shteti i ardhshëm shqiptar, çfarë orientimi do të ketë ai, fetar apo sekular, kjo ka qenë e parëndësishme për ato momente, edhe për faktin se orientimet e shteteve dallojnë nga periudha në periudhë. Pra, orientimi politik ndryshon gjatë kohës. Vetë Shqipëria, pas vitit 1945, ka pasur disa orientime, politike, ushtarake e kulturore. Fryma islame e Lidhjes së Prizrenit, ka treguar orientimin kah Perandoria Islame, por asnjëherë nuk e ka cenuar synimin kombëtar të saj. Përndryshe, me këtë logjikë, atëherë, të gjitha shtetet, që kanë orientime fetare të caktuara, dashka që mos t’i konsiderojmë si shtete kombëtare, kjo logjikë është absurde!

Prandaj, në këtë kohë kur e kujtojmë Lidhjen, duhet të themi gjërat e vërteta, pa paragjykime e pa ngarkesa ideologjike. Prej pak historianëve, që sado pak e kanë thënë të vërtetën objektive për Lidhjen, është akademik Ali Hadri. Sipas tij: “Kjo Lidhje ka pasur tri programe. Programi l parë dhe i dytë ishin bukur shumë në frymën panislamiste, ndërsa programi i tretë ka qenë shumë më përparimtar … ” Por, Xhafer Belegu, që duket se është njohës i mirë i burimeve të kësaj teme, edhe për shkak të afërsisë kohore me kohën e Lidhjes, për versionin e tretë, që përbëhej prej 19 pikave dhe për “Talimatin”, që përbëhej prej 8 pikave, Belegu, thotë, se krahas frymës kombëtare, megjithatë vërehet elementi turk (lexo: islam), derisa përmendet dhe Bosnja. Po ashtu, sipas Belegut, Stambolli e ka përkrahur iniciativën për Lidhjen, që në fillim. Bile, Sulltan Abdyl Hamiti, u shkroi përkrahje kryetarëve të fesë muhamedane, si Ahmet efendi Korenicës, kadiut të Gjakovës, Myderrizit të Prizrenit Ymer Efendiut dhe Myftiut të Dibrës Jonuz Zyhdi Efendiut, dhe u dha urdhër komandantëve ushtarakë në Shqipëri që të mos e pengonin Lidhjen e veprimet e saj.

Prandaj, fryma panislamiste në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ishte orientim themeltar dhe përfundimtar.

1. Dokumenti, nr. 03/3-463-30, datë 23. VII.I981, që gjendet në arkivin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

2. Shih: Ramiz Abdyli & Emine Bakalli, Historia II (Gjimnazi i shkencave natyrore), Libri Shkollor, Prishtinë, fq.139.

3. Christine Von Kohl, Shqipëria. Prishtinë, 2006, sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra – 10, Logos-A, Prishtinë. 2009, fq. 723.

4. Shih: Dr. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni – ora, zemra dhe shpirti iLidbjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003, fq.55.

5. Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq. 230. Më 1879, konsulli britanik në Shkodër, i përshkroi anëtarët e Lidhjes në Kosovë si ‘myslimanë fanatikë: Shih, po aty, fq. 422.

6. Nocionet: “shtet, komb, atdhe’: në disa punime studimore, hasen si përkthim i nocioneve në origjinal: “din, devlet, vatan’; Shih: Nexhat Ibrahimi, Dimensioni islam dhe kombëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878. https:!/www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1424, data e publikimit dhe citimit: 13 qershor 2010; Olsi [azexhi, Lidhja e Prizrenit, nuk ishte lidhje shqiptare por ishte lidhje islamike, sipas: https://olsijazexhi.ëordpress.eom/20l8/06/1l/lidhja-eprizrenit-n”k-ishte-lidhje-shqiptare-por-ishte-lidhjeislamike/, data e publikimit dhe citimit: 11.06.2018.

7. Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë 1878-1881, Tiranë, 1939./q.31-33. Teksti është sjellëpa ndërhyrje.

8. Nexhat Ibrahimi, Vepra – 10, Logos-A, 2009, Prishtinë, fq.7l4.

9. Evangelos Kofos, Greek reactian to the Albanian League of Prizren, Balkan Studies, Vol, 23, 1982, fq.356, sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, 2009, Prishtinë,fq.718.

10. Abib Ahmeti, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.164.

11. Ali Hadri, Historia e popullit shqiptar, për shkollat e mesme, botimi i tretë i përmirësuar, Prishtinë, 1973, fq. JOO.

12. Shih: Xhafer Belegu, po aty, fq.4O.

13. Shih: Xhafer Belegu, po aty, fq. 17-18.

Dr. Orhan Bislimaj

DituriaIslame 343

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit