9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hovenier: Kurti të veprojë siç duhet, ta pranojë planin tre-pikësh të BE-së

Më të lexuarat

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se pret që kryeministri Albin Kurti ta pranojë sot në Bruksel planin tre-pikësh të BE-së për de-eskalim të situatës në veri, pasi sipas tij, kjo është mënyra e duhur për të ndalur tensionet.

“Është vështirë të them se çfarë presim, shpresa jonë është që të gjejmë një rrugë për përparim. BE-ja ka qenë e qartë dhe SHBA-ja e ka mbështetur pikëpamjen për planin tre-pikësh për të arritur de-eskalimmin në veri, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrje të serbëve dhe të vazhdojmë me implementimin e plotë nga të dy palët të marrëveshjeve që janë arritur. Shpresa jonë është që kështu të dalim nga kjo situatë”, tha Hovenier në një intervistë për RTV21, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën tha se biseduan për një numër problemesh, duke përfshirë situatën e tanishme në veri të Kosovës.

Hovenier tha se ekziston një zgjidhje afatshkurtër për de-eskalim të situatës, që është plani tre-pikësh i BE-së.

Ambasadori tha se të gjithë aleatët perëndimorë e kanë përkrahur planin tre-pikësh dhe se nga Kurti presin që ta pranojë këtë dhe të veprojë në mënyrë të duhur.

“Ai është kryeministër nga zgjedhje demokratike të vendit, dhe ai ka përgjegjësi në atë drejtim. SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë në NATO dhe shumë të tjerë i kanë shprehur Kurtit pritjet tona se si ai do e menaxhojë situatën në veri. Siç e përmenda, ne të gjithë po e mbështetim planin tre-pikësh të BE-së dhe shpresa jonë është që ai ta pranojë këtë dhe të veprojë në mënyrë të duhur”, deklaroi Hovenier.

Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq pritet të takohen pasditen e sotme në Bruksel. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit