-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Të moshuarit dhe familja

Më të lexuarat

Të moshuarit dhe familja

Të moshuarit janë pemët e dinjitetit (Maverdi)

Pleqëria është periudha që të jep mundësi të vlerësosh ngjarjet, të tjerët dhe veten më mirë. Dobësia që shihet tek trupi i të moshuarve nuk duhet të na shtyjë të mendojmë se tek ata ka mbaruar çdo gjë, sepse tek të moshuarit në raport me dobësinë fizike ka një ngritje shpirtërore. Duke u lehtësuar nga preokupimet e periudhës së rinisë, ata kanë kohë të mjaftueshme për t’u interesuar me problemet e njeriut dhe botën shpirtërore.

Të stërvitur nga përvoja e kaluar në pleqëri cilësitë, si: dashuria, dhembshuria, aftësia për të kuptuar drejt, hasen më shpesh. Por, në të njëjtin raport interpretimi i keq ose vlerësimi i padrejtë i këtyre përvojave mund të bëhet shkak i disa gabimeve në pleqëri. Ka shumë të moshuar që e shohin veten më lart se të tjerët, që nuk heqin dorë nga mendimi i tyre qoftë edhe i padrejtë dhe që nuk i japin liri të rinjve. Shkaku është se e shohin suksesin e arritur si një meritë vetjake duke anashkaluar ndihmën e Allahut. Epshi dhe dëshira për post është lloji më i vështirë i egos që mund të evitojnë njerëzit.

Në ditët e sotme vlerësimi më shumë se ç’duhet i vlerave materiale, të menduarit vetëm për vete, kanë shkaktuar robërimin e njerëzve ndaj egos, si rrjedhojë edhe largimin e tyre nga njëri-tjetri. Fatkeqësisht nga kjo vetmi janë ndikuar më shumë të moshuarit. Njeriu është një qenie sociale që ka prirje të jetojë në grup dhe asnjëherë të jetuarit vetëm nuk mund të konceptohet liri. Mendimtarët dhe psikologët më të njohur bashkëkohorë tashmë mendimin e gabuar të “lirisë” që e shpie njeriun në vetmi, e kritikojnë ashpër duke i dhënë prioritet ndjenjave të vëllazërimit dhe afrimit të individëve me njëri-tjetrin.

Nuk është e mundur të mendojmë se të moshuarit janë “barrë” për shoqërinë, sepse ata kanë investuar për t’i shërbyer shoqërisë. Në krye të investimeve të tyre padyshim radhitet edukimi, ndërsa investimi më i madh është edukimi i rinisë. Në këtë aspekt atyre u jemi shumë mirënjohës.

Fakti që të moshuarit konsiderohen si problem në shoqëri, vjen nga shthurja gjithnjë e më tepër e familjes si thelb i saj. Në ditët e sotme është e vështirë të dallosh se çfarë detyre, çfarë roli mbajnë mbi supe individët e një familje. Është më se i vërtetë fakti se një nënë teksa nuk gjen kohën e mjaftueshme për të edukuar fëmijën e vet, për t’i përkushtuar dashuri, për ta rritur nën frymën e dhembshurisë dhe për të sakrifikuar që të ndodhet gjithnjë pranë tij….a mos vallë do arrij të gjej kohën e mjaftueshme për t’u interesuar për të moshuarit?!

Nga ana tjetër të moshuarit kanë nevojë për dashuri, interesim. Çdo individ ka detyrime ndaj familjes, si ndaj fëmijëve, ashtu edhe ndaj prindërve të tij. Që të dy anët presin nga ai dashuri dhe interesim. Për të realizuar këtë duhet një personalitet i ekuilibruar, ndërsa tek individët egoistë si rezultat i prishjes së këtij ekuilibri, të moshuarit ose lihen pas dore, ose braktisen fare.

Në familje të moshuarit, gjyshja dhe gjyshi, luajnë një rol të rëndësishëm si tek fëmijët në aspektin e dashurisë dhe të besimit në vetvete, ashtu edhe tek të rinjtë në formimin e personalitetit të tyre. Tek të moshuarit ekuilibri i hormoneve nga agresiviteti e ashpërsia janë drejtuar kah dashuria dhe mëshira. Është vërtetuar shumë herë që në rininë e tyre shumë të moshuar kanë qenë të ashpër dhe agresivë, kurse sot në pleqëri janë vetëm burim i dashurisë, dhembshurisë, mëshirës ndaj nipërve të tyre… ndërsa për shoqërinë kjo përmban në vetvete një rëndësi të veçantë.

Në familje duke përfshirë edhe të moshuarit të gjithë individët kanë detyrat e tyre. Këto detyra janë pasuria më e madhe e familjes. Nëse një pjesë e këtyre detyrave lihen pas dore bëhet shkak i paevitueshëm në edukimin e padrejtë të fëmijëve.

Individët duke përfituar nga përvoja dhe aftësitë e njëri-tjetrit duhet të jetojnë në një harmoni të plotë. Veçanërisht fëmijët përfitojnë shumë nga përvojat, dashuria, mënyra e të shprehurit të të moshuarve. Teksa prindërit mundohen për t’i siguruar jetesën fëmijëve, nuk gjejnë kohën e mjaftueshme për t’u interesuar për to. Si rezultat i kësaj fëmijët futen në vetmi dhe ndikohen vetëm nga moshatarët e tyre. Nëse gjithnjë do të gjenden në një ambient vetëm me moshatarët e tyre, do jetë shumë e vështirë të zgjerojnë të folurin, pikërisht në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm prania dhe roli i të moshuarve.

Të moshuarit me një karakter sa serioz, aq dhe të dashur do të jenë shembull për fëmijët dhe të rinjtë. Do të jenë përfaqësuesit më të denjë të vlerave njerëzore që do të trashëgohen brez pas brezi.

Azilet e pleqve në plan të parë mendohen si një vend ideal për të moshuarit. Por, nga ana tjetër duke i larguar nga njerëzit e dashur sado të mira të jenë kushtet në azile, vendin e familjes nuk e zë asnjëherë. Lind ajo ndjenja e dështimit që mund të përjetojnë… duke pyetur veten, a mos vallë unë nuk isha i denjë për nipërit dhe fëmijët e mi? Pikërisht këto mendime shkaktojnë tek të moshuarit rënie si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror e moral.

Mahmut Çamdibi

Etika 12

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit