Përderisa qytetarë serbë po vazhdojnë protestat kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, disa të tjerë kryejnë shërbimet e tyre të cilat i ofrojnë po këto komuna.
Telegrafi gjatë qëndrimit të enjten në Zubin Potok ka parë nga afër zhvillimet atje, derisa qytetarë serbë kryenin shërbimet në Zyrën Lokale për Kthim dhe Komunitete në fshatin Çabër të Komunës së Zubin Potokut.
Kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri në një prononcim për Telegrafin tha se komuna i ofron të gjitha shërbimet njëjtë për të gjitha komunitetet, pasi siç u shpreh ai “jam kryetarë i gjithë komunës që përfaqësoj, pa dallim”.
“Këtu janë disa dikastere që veprojnë, e të cilat kanë vepru në shërbim të të gjithë qytetarëve siç janë regjistrimi civil, zyra për lëshimin e pasaportave dhe letërnjoftimeve dhe regjistrimit të kerreve. Drejtoria e çështjeve sociale, të cilat janë për të gjithë qytetarët e komunës…”.
Por, gjatë intervistës, kryetari tha se edhe pse veprojnë në këto zyra, ai dhe kabineti i tij janë të gatshëm kurdo që të shkojnë e të kryejnë punën e tyre nga Komuna e Zubin Potokut.
“Po me siguri, ne jemi të gatshëm. Çdo ditë kemi informacione rreth situatës se çfarë po ndodh rreth objektit të komunës. Jemi të gatshëm çdo moment të shkojmë në zyrat tona”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci tha se janë duke punuar nga Zyra për Komunitet në fshatin Kelmend, gjersa theksoi se punët janë duke shkuar mirë.
“Këtu kemi filluar punën shumë mirë, çdo gjë po na shkon mirë. Çdo gjë po shkon me kohë, me kabinetin tim…diku 80 për qind të drejtorëve i kemi zgjedh”.
I pyetur nëse ka pas ndonjë takim me komunitetin serbë, ai tha: “deri më tani jo…vazhdimisht jam jo vetëm kryetar i shqiptarëve, por i gjithë qytetarëve të kësaj komune, i njëjtë për të gjithë. Ish kandidaten për kryetare që ka qenë nga komuniteti serb e kam emëruar nënkryetare të komunës…”.
Ndryshe, janë bërë dy javë që kryetarët e komunave veriore janë duke ushtruar funksionin e tyre. Disa në zyrat e tyre e të tjerë në zyrat për komunitete, kjo për shkak të protestave të vazhdueshme të qytetarëve nga komuniteti serbë si dhe nga strukturat kriminale serbe në veri. Këto komuna u përballën me protesta masive dhe të dhunshme, kur për pasojë të lënduar mbetën pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, 30 ushtarë të KFOR-it si dhe u sulmuan ekipet e mediave. /Telegrafi/