Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se situata në pjesën veriore të Kosovës mbetet shqetësuese.
Pas takimit që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani, ambasadori Hovenier u tha gazetarëve se është e rëndësishme që të mos bëhet hyrja me forcë në objektet komunale në veri.
Hovenier tha se ky është qëndrim i SHBA-së dhe i vendeve të tjera të Quint-it: Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës dhe Gjermanisë.
“Në takim me kryetarët biseduam se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre, për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, në një mënyrë që tregon përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, dhe diçka e tillë, sipas nesh, tani nënkupton mos hyrje në ndërtesë me forcë”, tha Hovenier.
Takimi u zhvillua në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku i pranishëm ishte edhe shefi i kësaj zyre, Tomas Szunyog.
Hovenier para takimit me Osmanin është takuar me kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Ambasadori tha se në takim janë ftuar të katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri, por se të pranishëm ishin vetëm dy. /Telegrafi/