-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Rrugëtimi i Erdoganit: nga varfëria dhe burgu te lideri global

Më të lexuarat

Turqia, para provës së madhe të së ardhmes…

Lagjja e ashpër e Stambollit, Kasimpasa, ka një veçori – kush rritet në të duhet të mësojë të sillet dhe të luftojë që fjala e tij të jetë e fundit. Është shkolla e rrugës që duan apo nuk duan djemtë e Kasimpashës, në përgatitjen më praktike për ujërat e stuhishme nëpër të cilat lundron jeta.

E vërtetë apo jo, ujërat nëpër të cilat përshkoi Rexhep Tajip Erdogan ishin të stuhishme dhe këtë duan të përmendin mbështetësit e presidentit aktual turk, i rritur në Kasimpasa, kur flasin me superlativë për liderin e tyre, liderin turk më jetëgjatë që nga themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturk.

Disa e quajnë atë një autokrat, një konservator, madje edhe një diktator. Megjithatë, për çfarëdo që të kritikohet, apo pretendohet mbi të, Erdogan, sipas të gjithë treguesve statistikorë, pavarësisht se vitet e fundit kanë qenë të trazuara, e ka bërë Turqinë një fuqi globale, në çdo kuptim.

Kritikët e tij nuk do të pajtohen me këtë të vërtetë, por gjithçka që ka bërë Erdogan – si të mira ashtu edhe të këqija – do të peshohen nga votuesit që do të vendosin fundjavën e ardhshme nëse Erdogan do të zgjasë sundimin e tij 20-vjeçar të Turqisë apo nëse do t’i duhet ta dorëzojë atë dikujt tjetër.

Kush është Rexhep Tajip Erdogan dhe si e hapi rrugën drejt pozitës së liderit turk dhe një aktori thuajse të pashmangshëm në ngjarjet më të rëndësishme politike botërore?

Futbollisti i paditur që rishiste kartolina

Në çdo rast, Erdogan nuk lë vend për indiferencë. Mbështetësit e tij pretendojnë se ai ka përmirësuar ekonominë turke dhe ka mundësuar reforma. Ata që janë kundër, nga ana tjetër, e akuzojnë për ambicie autokratike dhe imperialiste si dhe për minimin e identitetit laik të Turqisë.

Recep Tayyip Erdogan lindi më 26 shkurt 1954 në një familje të varfër konservatore. Sipas historianit Hakan Yavuz, ai lindi në Guneys dhe kur ishte adoleshent, familja e tij u shpërngul në lagjen e varfër Kasimpasa në Stamboll, në mënyrë që babai i tij të mundohej të siguronte një jetë më të mirë për pesë pasardhësit e tij.

Babai i tij ishte kapiten në rojet bregdetare turke, i cili, sipas raportimeve në internet, i jepte djalit të tij adoleshent vetëm 2.5 lira turke në javë para xhepi, më pak se një dollar.

Për të fituar pak para, i riu Erdogan u detyrua t’ja dilte siç dinte: rishiste kartolina në rrugë, si dhe shishe me ujë apo limonadë te shoferët e ngecur në bllokime trafiku.

Në rininë e tij, ai luajti futboll gjysmë profesioist për Camialtispor. Pati mundësinë të shkonte dhe te Fenerbahçeja e madhe, por babai nuk ia lejoi.

Përpara se të merrte një diplomë në menaxhimin e biznesit nga Universiteti Marmara i Stambollit, Edrogan ndoqi shkollën islame Imam Hatip, ku u shkolluan dhe të tjerë që më vonë do të ndihmonin në themelimin e partisë aktuale të Erdoganit, AK Parti (AKP). Në atë shkollë, ndër të tjera, studioi Kur’anin, jetën e profetit Muhamed dhe gjuhën arabe.

Rruga e tij politike filloi kur ishte në universitet, ku u takua me Necmettin Erbakan, i cili më vonë do të bëhej kryeministër dhe kur iu bashkua Lëvizjes Islame Turke.

Zgjidhja e problemeve të Stambollit dhe futja në burg

Konflikti i tij i parë me ligjin ishte pas grushtit të shtetit të vitit 1980, kur ndërsa punonte për një kompani transporti në Stamboll, ai refuzoi urdhrin e shefit të tij për të rruar mustaqet. Në vend të kësaj, ai u largua.

Karriera e tij politike në Partinë e Mirëqenies, derisa u ndalua në vitin 1998, u zhvillua me shpejtësi.

Në vitin 1994 ai u bë kryetar i Bashkisë së Stambollit. Edhe kritikët e tij e pranojnë se në katër vitet e ardhshme ai bëri një punë të mirë, sepse u përball me problemet më të mëdha të metropolit euroaziatik. E bëri Stambollin më të pastër dhe më të gjelbër. Ai zgjidhi problemin e plehrave me stacionet më moderne të riciklimit, ndërtoi dhjetëra ura, viadukte dhe autostrada dhe zgjidhi problemet e trafikut.

Ai reduktoi ndotjen duke kaluar në përdorimin e gazit natyror dhe zgjidhi problemin e mungesës së ujit, por vendimi i tij për të ndaluar shitjen e alkoolit në lokalet e qytetit nuk i kënaqi laikët.

Lufta kishte nisur: u burgos për katër muaj për “nxitje të urrejtjes fetare”, pasi recitoi publikisht një poezi të Mehmet Ziya Gokalp, me vargje të tilla si: “Xhamitë janë kazermat tona, kupolat janë helmetat tona, minaret janë bajonetat tona dhe besimtarët ushtarët tanë”.

Pas burgosjes së tij, Erdogan kamufloi prirjen islame, duke themeluar AKP-në në vitin 2001, e cila shpejt u vendos si partia politike më popullore e vendit, duke e çuar atë në një fitore dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2002.

Me një sfond politik të formuar islam, Erdogan, një demokrat i vetëshpallur konservator, promovoi politika socialisht konservatore dhe populiste.

Shumë ishin të mendimit se Erdogan nuk është një politikan i korruptuar, ndryshe nga shumë të tjerë. Biografia dhe përkushtimi i tij ndaj vlerave islame, të cilat burojnë nga edukimi i tij fetar, gëzuan shumë myslimanë në Turqi, të cilët më parë ishin persekutuar nga shteti.

Ai lidhej lehtësisht me njerëzit e zakonshëm, duke iu drejtuar me fjalë të ngrohta dhe duke i quajtur vëllezër ose nëna, duke fituar simpatinë e tyre.

Ringjallja e Turqisë

Ende i ndaluar nga detyra, bashkëthemeluesi i AKP-së Abdullah Gul u bë kryeministër, i cili më vonë hoqi ndalimin ndaj Erdoganit.

Një vit më pas, Erdogan zëvendësoi Gul si kryeministër dhe drejtoi qeverinë nga viti 2003 deri në 2014, pas së cilës u bë president.

Në atë moment, kur Erdogan u ngjit në fronin turk, për shumë turq, por edhe për aleatët e Turqisë në mbarë botën, ai dukej si një lider modern, një reformator modest properëndimor në një vend me shumicë muslimane, i cili do të ishte një pengesë e fortë kundër ekstremizmit të cilit Perëndimi i frikësohej pas 11 shtatorit 2001

Erdogan mori pushtetin gjatë një periudhe kur Turqia ishte tronditur nga inflacioni i rëndë dhe pas tërmeteve shkatërruese që shkaktuan zemërimin e popullatës ndaj qeverisë së atëhershme.

Me emërimin e tij si president, Erdogan pati një pakt të heshtur me elektoratin 74 milionësh të Turqisë – rritje të shpejtë ekonomike, vende të reja pune dhe më shumë para. Në fillim dukej e jashtëzakonshme. Të ardhurat për frymë u trefishuan dhe ai nënshtroi ushtrinë, e cila gjatë historisë, si një lloj roje e shpirtit laik turk, luajti një rol të madh në rrëzimin dhe vendosjen e udhëheqësve kombëtarë. Kritikët pretendojnë gjithashtu se ai përdori plebishitin për reformën kushtetuese për të vënë nën kontroll gjyqësorin, një tjetër bastion i gardës së vjetër laike të Turqisë.

Prandaj, shumë në Perëndim pretendojnë se gjykatat janë bërë vetëm instrumenti i Erdoganit për të frenuar kundërshtarët.

Por në kulmin e mbretërimit të tij, Turqia po përjetonte një rritje të shpejtë ekonomike dhe të standardit të jetesës. Ai shkoi aq shpejt sa Turqia, e cila dikur ishte deri në fyt me borxhe, në një moment arriti të bëhej ekonomia e 16-të më e fortë në botë.

Gjithashtu, industria e mbrojtjes përjetoi një revolucion dhe kontribuoi në krijimin e imazhit të Turqisë si një lider rajonal ushtarako-ekonomik.

Grusht shteti dhe fuqizim në shkallë globale

Marrja e pushtetit nga Erdogan u pasua nga shumë megaprojekte infrastrukturore në rrugë, hekurudha, aeroporte, ura, të cilat transformuan Turqinë.

Reformat që ai prezantoi ndihmuan negociatat për ofertën e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa liderët perëndimorë, të udhëhequr nga ish-presidenti i SHBA George W. Bush dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, cituan Erdoganin si “një shembull të fuqishëm për fqinjët e Turqisë, si p.sh. si Irani, Iraku dhe Siria”.

Testi më i madh i Erdoganit në mandatin e tij presidencial ishte më 15 korrik 2016, kur një grup ushtarësh renegatë pushtuan rrugët e Ankarasë dhe Stambollit dhe disa lokacione të rëndësishme, në përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti, duke e akuzuar atë për minimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Erdogan, i cili gjatë asaj kohe po pushonte në bregdetin e Egjeut, u kthye dhe mobilizoi mbështetësit e tij, të cilët shpejt mposhtën njësitë ushtarake dhe mbështetësit e tyre dhe rimorën kontrollin e qyteteve. Atë natë, rreth 400 njerëz u vranë, pas së cilës qeveria kreu një spastrim masiv të ushtrisë, policisë dhe shërbimit civil. Arrestimet e të dyshuarve për pjesëmarrje në tentativën për grusht shteti po ndodhin edhe sot.

Për të forcuar pushtetin e tij, theksojnë kritikët, Erdogan thirri një referendum kushtetues sipas të cilit sistemi parlamentar i Turqisë ndryshoi në një sistem presidencial, i kryesuar nga Erdogani i paprekshëm.

Lideri pragmatik turk përdori me mençuri çdo mundësi për të rritur ndikimin e tij në rajon dhe në botë. Kreu i ushtrisë së dytë më të madhe në NATO nuk hezitoi të përplasej as me presidentin amerikan, as me atë rus, madje rrëzoi një avion ushtarak rus. Luftërat në Siri, Libi, Nagorno-Karabak dhe Ukrainë, të cilat kritikët i quajtën neo-otomanizëm dhe imperializëm të Erdoganit, vetëm sa e forcuan rolin e tij diplomatik në botë, si një ndërmjetës i fuqishëm midis Lindjes dhe Perëndimit, fjalët dhe veprat e të cilit dëgjohen me kujdes. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit