-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Legjendë burgosjesh e grevash urie: palestinezi që u shua në burgjet izraelite

Më të lexuarat

Kush ishte Khader Adnan, bukëpjekësi i diplomuar në matematikë?

Mijëra palestinezë mbyllën dyqanet e tyre dhe lanë vendet e tyre të punës për të dalë në rrugë për të treguar mbështetjen e tyre për të ndjerin Adnan. Familja e tij kërkoi nga autoritetet izraelite trupin e tij në mënyrë që ta varrosnin dhe palestinezët të ruanin qetësinë.

Bashkëshortja e Adnanit, Randa tha se ajo dhe familja e saj nuk duan asnjë lloj reagimi si sulmet me raketa për vdekjen e të shoqit.

“Burri im i ndjerë thoshte që nuk duhet derdhur asnjë pikë gjaku. Tani, pas vdekjes së tij dhe të gjitha sakrificave që bëri, ne nuk duam që të derdhet asnjë pikë gjaku”, u tha ajo gazetarëve para shtëpisë së tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Ne nuk duam të shohim ndonjë përgjigje për vdekjen e tij. Ne nuk duam të shohim raketa të lëshohen dhe Gaza të bombardohet në këmbim”.

Khader Adnan, një aktivist i lidhur me grupin e Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), vdiq të martën në një burg izraelit pas gati tre muajsh në grevë urie.

Adnani, i cili ka qenë në paraburgim në pritje të gjykimit, sipas autoriteteve izraelite, ka hyrë dhe dalë nga burgu për më shumë se dy dekada dhe ka qenë në grevë urie për të protestuar ndaj arrestimeve të tij.

Jeta e Khader Adnan

Adnani ka lindur më 24 mars 1978 në qytetin Arrabeh afër qytetit të Jenin-it në Bregun Perëndimor të okupuar.

Ai ishte bukëpjekës nga zanati dhe u diplomua për matematikë në Universitetin Birzeit. Ai zotëronte një furrë buke në qytetin e Qabatya-s, në jug të Jenin-it.

Adnani u bë një avokat politik i PIJ-së gjatë ditëve të tij studentore dhe u arrestua për herë të parë nga Izraeli dhe u ndalua për katër muaj në 1999.

Tetë muaj më vonë, ai u arrestua nga Autoriteti Palestinez (PA) për udhëheqjen e një demonstrate studentore të vitit 1999 në Universitetin Bir Zeit kundër kryeministrit francez Lionel Jospin. Studentët hodhën gurë mbi Jospin dhe makinën e tij.

I përket PIJ

Adnani më vonë do të bëhej zëdhënës i PIJ në Bregun Perëndimor.

PIJ u themelua në vitin 1981 nga studentë palestinezë në Egjipt me qëllim të krijimit të një shteti palestinez në Bregun Perëndimor, Gaza dhe territore të tjera të pushtuara.

Xhihadi Islamik është më i vogli nga dy grupet kryesore palestineze në Rripin e Gazës dhe është dukshëm më i madh se grupi qeverisës Hamas.

Familja e tij i tha Al Jazeera-s në vitin 2012 se ai kurrë nuk kishte qenë aktiv në krahun ushtarak të PIJ-së dhe as Izraeli nuk e kishte akuzuar ndonjëherë për një gjë të tillë.

Adnani u arrestua pesë herë para se të martohej me Randa Adnan, një 31-vjeçare e diplomuar për ligjin islam në Universitetin Kombëtar An-Najah në Nablus, në vitin 2005.

Ndërmjet viteve 2005 dhe 2011, ai u arrestua edhe tre herë të tjera.

Greva e urisë 2012

Adnani, i cili në atë kohë ishte 33 vjeç, u arrestua më 17 dhjetor 2011 nga shtëpia e tij në Arrabeh.

Randa ishte shtatzënë në momentin e arrestimit dhe çifti kishte dy vajza të vogla.

Ai u mor në pyetje për 18 ditë dhe dyshohet se u torturua dhe u poshtërua nga agjentët e forcave të sigurisë izraelite.

Ai u mbajt në “paraburgim administrativ”, një kategori e krijuar nga autoritetet izraelite për të burgosur njerëzit pa akuzë dhe pa pasur nevojë t’u dorëzojnë ndonjë provë kundër tyre avokatëve.

Gjatë kohës së burgimit, Adnani hyri në grevë urie për 66 ditë, greva më e gjatë e një të burgosuri palestinez në atë kohë në Izrael. Ai përfundoi grevën e tij të urisë në shkurt të vitit 2012, pasi u arrit një marrëveshje me autoritetet izraelite.

Greva e tij e urisë tërhoqi vëmendjen mbarëbotërore dhe nxiti protesta solidariteti në të gjithë Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Arrestime të rregullta

Adnani u arrestua gjithsej 12 herë, herë u mbajt në “arrest administrativ” dhe herë nën akuza të tilla si “aktivitete që kërcënojnë sigurinë rajonale”.

Në vitin 2014, ai u arrestua dhe u dënua me gjashtë muaj burg, i cili më pas u zgjat, duke rezultuar në grevë urie 56-ditore të Adnanit, e cila përfundoi me lirimin e tij më 12 korrik 2015.

Adnani u arrestua disa herë përpara arrestimit të tij përfundimtar më 5 shkurt 2023. Këtë herë ai u padit në një gjykatë ushtarake izraelite me akuza që përfshinin lidhje me një grup të ndaluar dhe nxitje për dhunë, tha Shërbimi i Burgjeve të Izraelit.

Në protestë kundër arrestimit të tij pa akuzë, ai refuzoi të hante për 87 ditë, sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinez.

Ai u gjet i vdekur në qeli të martën.

Familja e Adnanit kishte paralajmëruar se, pas 80 ditësh pa ushqim, jeta e tij ishte në rrezik.

Një mjek nga grupi Doctors for Human Rights Israel, i cili vizitoi Adnanin në burg këtë javë, paralajmëroi se ai “po përballej me vdekjen e afërt” ndërsa i kërkoi atij që “të transferohej menjëherë në spital”, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.

Shërbimi i burgjeve të Izraelit tha se Adnani “refuzoi t’i nënshtrohej testeve mjekësore dhe të merrte kujdes mjekësor” dhe “u gjet pa ndjenja në qelinë e tij”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit