3.4 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Lajçak: Nuk e di përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit, duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët

Më të lexuarat

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur pak para takimit të sotëm që do të mbahet në Bruksel.

Lajçak ka thënë se statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

Ai në një intervistë për agjencinë kroate “Hina” ka deklaruar se drafti i statutit të Asociacionit do të prezantohet nga ekipi menaxhues, derisa ka shtuar se nuk e di përmbajtjen e tij.

“Ne nuk e dimë se çfarë është në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Së fundi, duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se në fund do të varet nga të dyja palët se si do të duket statuti, duke thënë se Asociacioni nuk është diçka e imponuar.

“Ne jemi këtu për të zbatuar atë që është rënë dakord gjatë dialogut. Kjo nuk është imponim, është rënë dakord mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013. Për ne është e rëndësishme që çdo zgjidhje të jetë evropiane”, theksoi Lajçak për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

Siç tha ai, BE-ja nuk dëshiron të krijojë një Asociacion të bazuar në një model që nuk është testuar më parë në botë.

“Pra, ne duhet të zbatojmë atë që është rënë dakord më parë, por në të njëjtën kohë duhet të marrim frymëzim nga zgjidhjet praktike të modeleve ekzistuese evropiane. Ne nuk duam të krijojmë diçka që nuk është testuar kurrë askund në botë, por duam që vendet të gjejnë frymëzim në modelet evropiane që funksionojnë mirë” tha Lajçak.

Sot në Bruksel do të takohen kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.

Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është bërë e ditur se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit