Disa hoxhallarë të nderuar që gëzojnë popullaritet në masë dhe kanë ndjekës të shumtë, të cilët i mbushin sallat e xhamit në ligjerimet e tyre, duhet të vendosin kritere dhe standarde të debateve të ndryshme, dhe jo të prezantojnë në lloj-lloj emisionesh dhe me lloj-lloj komunistësh. Në një rast të njohur para më shumë se 10 viteve, dikush i kishte kërkuar debat predikuesit të njohur dr. Zakir Naik, dhe ky i fundit ishte përgjigjur: “Tuboj 10.000 njerëz që mendojnë sikurse ti dhe debatojmë me kënaqësi.” Në atë kohë, në Indi, tuboheshin më shumë se 100.000 njerëz në ligjerimet e dr. Naikit. Ky i fundit deshti t’i japë një mesazh atij: “Të fitosh famë e popullaritet në kurriz dhe në emrin tim, ku pastaj do të predikosh të kotën në asnjë mënyrë…!”
Në promon e një emisioni, pashë se një hoxhë i respektuar kishte marrë pjesë në atë emision. Ishte për keqardhje niveli i debatit që ishte zhvilluar aty. Nuk e kini idenë se çfarë nivelit ishte ai historian aty dhe çfarë dokrrash fliste, e çfarë urrejtje shfaqte në atë emision. Tani unë e njoh hoxhën, por deri më sot nuk e kisha njohur atë “historian”. Pra, shkurtimisht miqtë e mi, ata fitojnë famën dhe popularitetin nëpërmjet promovimit të kotësisë së tyre qoftë me vetëdije ose pa të, madje bëjnë edhe karrierë. Por, pastaj po ndjehemi të fyer kur këta të fundit na shajnë, na ofendojnë dhe na cenojnë shenjëtërit tona.