2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Dialogu Kosovë-Serbi dhe ideja për sekuencim – deklaratat e Borrellit, Bislimit dhe kryesuesit të Komisionit për çështjen e të pagjeturve

Më të lexuarat

Një ditë më parë shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për deklaratën rreth çështjes së të pagjeturve.

Borrell njoftoi se deklarata do të miratohet në takimin e ardhshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pajtimi për deklaratën për të pagjeturit erdhi pas takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq në Bruksel.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. Bashkimi Evropian pret që të dyja të respektojnë të gjitha obligimet dhe të fillojnë zbatimi sa më shpejt. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim të mundshëm…”, tha ai.

“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë…”, theksoi Borrell.

E pas deklaratës së Borrellit menjëherë pati reagime nga zyrtarët vendorë.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë.

Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh kanë arritur të bëjnë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti

“… pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim).

Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare.

Prandaj, më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, ka shkruar ai.

Gjithashtu, sipas tij është e rëndësishme që me anë të kësaj deklarate “Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”.

“Sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do t’i publikojmë edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate. Pavarësisht që më duhet të them që për mua si familjar, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plotë të saj, për çka presim përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga miqtë tanë ndërkombëtar, SHBA e BE.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen për të pagjeturit dhe ka thënë se pothuajse kanë pasur një dakordim që nga gushti i vitit të kaluar.

“Në fund të bisedimeve z. Kurti kishte nënshkruar dokumentin vetëm atëherë kemi vërejtur tërheqjen e z.Vuçiq, i cili kishte thënë se nuk është i gatshëm ta nënshkruajë. Pastaj ka ardhë një dokument i modifikuar nga z. Lajçak në shtator dhe dje mbi këtë dokument kemi diskutuar dhe kemi propozuar diçka që do të na sjellë te 18 gushti ajo është pranuar nga Serbia dhe kemi pasur dakordimin që ky dokument të nënshkruhet”, ka thënë tutje Bislimi.

Por më skeptikë është kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini.

Çerkini në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nëse Hoti ka thënë se “Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë”, në anën tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq e thotë të kundërtën.

Sipas tij, kjo çështje ka mbetur pezull dhe nuk ka asgjë definitive deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshje nga kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ai ka thënë se Serbia ka pranuar, e Petkoviqi thotë që s’kemi pranuar dhe e kemi heq fjalën ‘me dhunë’. Edhe çka është hiç mos me besu thonë ‘na jena dakordu, por duhet të vendosin Kurti me Vuçiqin’. D.m.th kjo ka mbet pezull dhe nuk ka asgjë definitive. Nuk besoj aspak hiç, deri të bëhet nënshkrimi i saj”, ka thënë Çerkini. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit