1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Epoka e Predikuesve – Gerdi Demneri

Më të lexuarat

nga Gerdi Demneri

Çdo bashkësi fetare ka lulëzuar në sajë të kultivimit të besimtarëve prej Profetëve të dërguar tek ata. Instrumenti kryesor që kanë përdorur Profetët për të përmbushur kultivimin ka qenë dija hyjnore, me të cilën i kishte pajisur Zoti.

Ky proces përmblidhet në ajetin e dytë të sures Xhumu’ah, ku Zoti i përshkruan funksionet profetike të Profetit Muhammed ﷺ me fjalët: “Ai është, Ai i Cili dërgoi tek analfabetët një të dërguar prej tyre, i cili (1) u lexon shenjat e Tij, (2) i kultivon nëpërmjet dëlirësimit, (3) u mëson Librin dhe (4) Urtësinë, ndonëse më parë ishin vërtet në një devijim të qartë”.

Me kalimin e brezave, bashkësitë fetare largohen gjithnjë e më shumë nga dija dhe prijësit e tyre shndërrohen nga dijetarë, në predikues të zbrazët dhe moralizues. Ky tëhuajësim ndodh nga humbja e dijes rreth domethënieve të vërteta të shpalljes dhe nga mungesa e kuptimit të duhur rreth zbatimit të përmbajtjes së shpalljes.

Këtë dukuri, të ilustruar me shembullin e bashkësisë së hebrejve pas vdekjes së Musait, Zoti i Lartësuar e përmend në vazhdim të sures Xhumu’ah, në ajetin e pestë:
“Shembulli i atyre që u ngarkuan të mbajnë përgjegjësinë e të vepruarit sipas Teuratit, e pastaj nuk e mbajtën atë, i ngjan shembullit të gomarit që mban libra!”

Në komentimin e këtij ajeti, “Katadeh ka thënë se ajeti simbolizon ata që nuk dinë çfarë detyrimesh u ngarkon Libri i Shpalljes dhe as nuk dinë çfarë përmban ai. Ndërsa Ibën ‘Abbasi është shprehur se Allahu e ka shëmbëllyer atë që lexon Librin dhe nuk ndjek udhëzimet e tij me gomarin që mbart librin me peshë të Allahut dhe nuk e di çfarë ka në të” (Ibën Xherir et-Tabari).

Fakhr ed-Din er-Razi ka evidentuar edhe arsyen përse Zoti e ka krahasuar kategorinë e besimtarëve të përshkruar në ajet me gomarin. Sipas tij, “ky shëmbëllim është bërë për të nxjerrë në pah injorancën dhe trashësinë e tyre, sepse këto karakteristika janë më të dukshme te gomari se sa te kafshët e tjera. Gjithashtu, gomari ka një përulësi dhe mungesë rëndësie si asnjë kafshë tjetër. Peshat i ngarkohen mbi kurriz në mënyrën më të lehtë dhe më të plotë për shkak se gomari është i bindur dhe i kollajshëm për t’u drejtuar, sa edhe një fëmijë apo i metë e nënshtron atë pa mundim dhe vështirësi”.

Nga dukuria e përmendur më sipër nuk ka shpëtuar pa u prekur as bashkësia e muslimanëve. Profeti ﷺ ka parathënë në hadithin e transmetuar prej Ebu Sa’id el-Khudrij nga Buhariu dhe Muslimi:
“Nuk ka dyshim se do të pasoni traditat e atyre që kanë qenë përpara jush, në mënyrë të padiskutueshme, pëllëmbë pas pëllëmbe, hap pas hapi, aq sa edhe sikur të hyjnë në strofullën e ariut do t’u shkoni nga pas”. Ne e pyetëm: “O i Dërguari i Allahut, të hebrejve dhe të të krishterëve?!” Profeti ﷺ u përgjigj: “E të kujt tjetër?!”

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Neveviju ka thënë: “Synimi i simbolikës së pëllembës, hapit dhe strofullës së ariut është portretizimi i përputhshmërisë së theksuar me bashkësitë e mëparshme fetare, përputhshmëri në mëkate dhe kundërshtime të urdhëresave të Zotit. Ky parashikim është nje mrekulli e qartë e Profetit ﷺ, sepse ndodhi pikërisht ajo që kishte lajmëruar”.

Gjithashtu, Ibën Mes’udi e ka parashikuar metamorfozën që do të pësojnë muslimanët në fjalët e tij drejtuar një bashkëkohësi, të cilat i transmeton Imam Maliku si vijon:
“Ti jeton në një epokë ku ka shumë “fukaha” (njerëz me kuptim të thellë për fenë) dhe pak lexues Kurani, ku ruhen kufijtë e Kuranit dhe humbasin gërmat e tij, ku ka pak nga ata që kërkojnë lëmoshë dhe shumë nga ata që japin, ku zgjatet namazi dhe shkurtohet predikimi (hytbja), ku njerëzit i japin përparësi veprave të mira ndaj pasioneve të vetes.

Por, njerëzve do t’u vijë një kohë kur do të ketë pak juristë të fesë dhe shumë lexues të Kuranit, do të ruhen gërmat e Kuranit dhe do të humbasin kufijtë e tij, do të ketë shumë nga ata që kërkojnë lëmoshë dhe pak nga ata që japin, do të zgjatet predikimi dhe do të shkurtohet namazi, e njerëzit do t’i japin përparësi pasioneve të vetes ndaj veprave të mira”.
Në komentimin e librit të Imam Malikut, Muhammed ez-Zerkani shpjegon termat e përdorur nga Ibën Mas’udi duke thënë:

“’Fukaha”, (shumësi i “fakih”) janë ata që nxjerrin dispozita prej Kuranit. Termi ‘lexues Kurani’ nënkupton ata që e lexojnë Kuranin duke qenë të boshatisur nga njohja e domethënieve të tij dhe kuptimi i tij. Kjo nuk do të thotë se në kohën e Ibën Mes’udit kishte pak lexues. Ajo shquhej se kishte shumë njerëz që e lexonin Kuranin, por kishte pak nga ata që e lexonin dhe nuk e kuptonin atë. ‘Ruajtja e kufijve të Kuranit’ nënkupton zbatimin e urdhëresave të tij, njohjen e tyre dhe shpalosjen e të vërtetës. ‘Humbja e gërmave të Kuranit’ nënkupton që në kohën e Ibën Mes’udit besimtarët i jepnin përparësi ruajtjes së kufijve të Kuranit ndaj zgjerimit në njohjen e llojeve të ndryshme të leximit të tij.

‘Zgjatja e namazit dhe shkurtimi i predikimit’ ka qenë praktikë e Profetit ﷺ, të cilën ai ka urdhëruar të ndiqet. Profeti ﷺ predikonte me pak fjalë, sepse ai që këshillohet përkujtohet vetëm nga fjalët që mban ndër mend, e prandaj ato duhet të jenë të pakta. Gjithashtu, predikimi është këshillë (vaz, “ua’adh”), kurse namazi është vepër. Veprat e besimtarëve të asaj kohe ishin të shumta, ndërsa këshillat e tyre të pakta“.
Parashikimi i detajuar i Ibën Mes’udit është i frymëzuar nga kuptueshmëria e tij për mësimet e Profetit ﷺ. Imam Ahmedi transmeton nga Ebu Dherri një hadith që përmend kohën që i referohet Ibën Mes’udi, në të cilin Profeti ﷺ ka thënë:

“Ju jetoni në një kohë që ka shumë dijetarë dhe pak predikues (“khutaba”, shumësi i “khatib”), ku ai që lë (pa zbatuar) një të dhjetën e asaj që di, humbet. Do t’u vijë njerëzve një kohë në të cilën do të pakësohen dijetarët dhe do të shtohen predikuesit. Cilido kapet në atë kohë pas një të dhjetës të asaj që di, ka për të shpëtuar”.

Një prej urtësive më të mëdha në këto transmetime qëndron në evidentimin e mashtrimit të muslimanëve të kohës që përmend hadithi me aparencat. Duke qenë se ato i referohen kohëve afër fundit të botës, njerëzit gjithnjë e më shumë do të gënjehen me dukjen. Kështu, një predikues do t’u duket si dijetar, ndërsa një tjetër që citon dhe lexon Kuranin do t’u duket sikur njeh kuptimet e Kuranit dhe dispozitat e tij.

Muslimanët e kësaj kohe do të besojnë se duke folur dhe predikuar shumë njerëzit do të binden, ndërkohë që Ibn Mes’udi parashikon se predikimet e gjata që karakterizojnë kohën tonë dhe namazet ku lexohet pak Kuran, janë shenjë e prishjes së kohës dhe devijimit nga tradita profetike.
Nëse hadithi i Profetit ﷺ qorton predikuesit që kanë humbur trashëgiminë e dijetarëve dhe predikojnë pa dije, ai lavdëron dhe i jep shpresë besimtarëve që kapen qoftë edhe pas një të dhjetës të asaj që dinë. Një version tjetër i këtij hadithi është transmetuar prej Tirmidhiut nga Ebu Hurejra, në të cilin Profeti ﷺ ka thënë:

“Ju jetoni në një kohë ku ai që lë një të dhjetën e asaj me të cilën është urdhëruar, është i rrënuar. Më pas do të vijë një kohë ku ai që do të veprojë një të dhjetën e asaj me të cilën është urdhëruar, është i shpëtuar”.

Në komentimin e hadithit të lartpërmendur, Ali el-Qari shpjegon se veprat, të cilave u referohet hadithi, janë të sferës së veprimeve të pëlqyeshme (sunet-it) dhe atyre që synojnë përmirësimin e shoqërisë, sepse muslimani nuk ka justifikim për neglizhimin e detyrimeve personale ndaj vetes së tij. Ai vazhdon më tej duke thënë se “në kohën e Profetit ﷺ feja mbizotëronte, e vërteta ishte e dukshme dhe ata që ndihmonin ishin të shumtë.

Kështu, lënia pa kryer e diçkaje ishte pasojë e neglizhencës, e prandaj e pajustifikueshme. Pastaj, do të vijë koha kur islami do të dobësohet, njerëzit e padrejtë dhe të paskrupullt do të shtohen, ndërsa ata që ndihmojnë do të pakësohen. Prandaj muslimanët e asaj kohe do të justifikohen, sepse moskryerja nuk do të jetë nga neglizhenca, por pasojë e pafuqisë”.

Përgatiti: Gerdi Demneri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit