1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Puna në Islam

Më të lexuarat

PUNA NË ISLAM

Që me paraqitjen e Islamit, myslimanët e njohën vlerën e punës dhe për këtë ai e ka obliguar shoqërinë dhe përgjegjësit e saj të kontribuojnë në punësimin e njerëzve.

Transmetohet se një nga ensarët (banoret e Medinës) doli për të lypur dhe kur shkoi tek Pejgamberi a.s. e pyeti: A nuk ke gjë në shtëpi? Ai tha: Po o i Dërguar i Allahut kam një shtroje që e përdor për ta shtruar dhe për mbulojë, kam dhe një enë që e përdor për të pirë në të. Profeti a.s. i tha: Shko dhe eja me to, pastaj i paraqiti duke thënë: Kush i blen këto të dyja (shtrojën dhe enën). Një burrë tha: Unë i blej me një dërhem. Pejgamberi a.s. tha: Kush shton më tepër? Një tjetër tha: Dy dërhem. Pastaj Pejgamberi a.s. mori njërin prej dërhemëve dhe ia dha ensariut e i tha: Blej me këtë ushqim për familjen tënde dhe me këtë tjetrin blej një sqepar pastaj ktheu tek unë. U kthye ensariu te Pejgamberi a.s. pasi kreu porositë. Pastaj Pejgamberi a.s i vendosi sqeparit një dru (bisht) dhe tha: Shko mblidh dru dhe shiti e të kthehesh tek unë pas 15 ditëve. Erdhi ensariu te Pejgamberi a.s. pas 15 ditëve që kishte mbledhë dru dhe kishte shitur ato nga te cilat kishte fituar 8 dërhem me 4 prej tyre bleu çfarë i nevojitej për shtëpinë e tij. Pejgamberi a.s. i tha: Kjo është më mirë sesa të vijë lypja si pikë e zezë në fytyrën tënde ditën e Kiametit”. Me këtë sjellje Pejgamberi a.s. na mëson ne, shoqërinë, pronarët dhe çdo njeri që të mos i shajmë lypësit siç ndodh rëndom në ditët tona, por na del si detyrë sipas mundësive t’i ndihmojmë për t’iu siguruar punë. Në mënyrë që këto shtresa të shoqërisë të jenë anëtarë të dobishëm të shoqërisë dhe jo si gjemba të saj.
Siç na nxit Islami të sigurojmë shanse pune për punëtorët ai bën thirrje edhe për ruajtjen e të drejtave të tyre. Ka prej punëtorëve që janë në gjendje të dobët ekonomike dhe fizike, si dhe ka prej atyre që janë në varësi të pronarëve që i ngarkojnë me punë më tepër sesa mund të përballojnë. Për këtë, feja Islame na urdhëron të sillemi me xhentilesi me punëtorin, të mos e ngarkojmë atë me ato punë që nuk i përballon dot apo edhe nëse puna ka stërmundim që del jashtë aftësisë së punëtorit ta ndihmojmë atë. Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Kush ka nën dorën e vet dike (punëtor) le ta ushqejë atë me çfarë ushqen veten e vet, le ta veshë atë me çfarë vesh veten e vet, të mos e ngarkojë atë me punë më tepër se ç’mundet dhe nëse e ngarkon me çfarë s’mundet le ta ndihmojë atë”. Për më tepër shohim vetë Pejgamberin a.s. që i ka ndihmuar sahabët (shokët) e vet kur po ndërtonin xhaminë në Medine, ku dhe Pejgamberi ka ndihmuar në mbartjen e gurëve për ndërtimin e xhamisë. Po ashtu në një rast tjetër kur sahabët deshën të gatuanin një dele, ”Tha njeri prej tyre: detyra ime ta prej atë, tjetri tha: Detyra ime ta gatuaj, Pejgamberi tha: Detyra ime të mbledh drutë. Sahabët i thanë: O i Dërguari i Allahut gjithë ne të mjaftojmë për këtë punë. Ai a.s. tha: E di porse unë nuk dëshiroj të dallohem mbi ndonjërin nga ju”. Me këtë rast Pejgamberi na jep shembullin ideal më të lartë në respektimin e punëtorëve, në ruajtjen e të drejtave të tyre. Ai a.s. na ka mësuar që t’i japim punëtorit pagën (hakun) para se t’i thahet djersa e tij e jo ta lëmë të presë apo t’ia vonojmë e zvarrisim atë.

Hadithet e Profetit a.s. na japin të kuptojmë se ruajtja e të drejtave të punëtorëve është një prej gjërave të rëndësishme që duhet të mbrojë një shoqëri dhe të mos përçmojmë asnjë në punën që bën. Nëse një njeri bën një punë sado të rëndomtë, por me sinqeritet, ai tek Allahu xh.sh. është madhështor, kështu e ka vlerësuar Pejgamberi a.s. punëtorin që erdhi të takonte Profetin a.s. dhe kur desh të takonte duart me te ai e mbështjelli dorën e tij me një fashe, Pejgamberi a.s. tha: “Pse e mbështjell dorën tënde kur takohesh me mua? Ai tha: O i Dërguar i Allahut, duart e mia i kam të çara nga puna e shumtë. Pejgamberi a.s. i hoqi fashat prej duarve të tij, i puthi ato dhe i ngriti duke i tundur për sahabët si flamur dhe tha: Këta duar i donë Allahu dhe i Dërguari i Tij”.
Nuk e di a ka fe apo ideologji që vlerëson punën e ndershme dhe punëtorët më tepër sesa e vlerëson feja Islame punëtorin dhe kërkimin e punës. Kushdo që mundohet t’i paraqesë punëtorëve lëvdata e shpërblime nuk mund ta shpaguajë djersën dhe gjakun që ata japin për veten dhe shoqërinë, por në Islam mjafton të kujtojmë hadithin e Pejgamberit a.s. që përmendëm me sipër që thotë: ”Kush ngryset i ngopur nga puna e duarve të veta ngryset i falur nga mëkatet “.

Marrë nga revista “Mmexhelletu AlAzhar”

Dr. Ahmad Omer Hashim
Përktheu nga arabishtja: Admir Temja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit